“Qeveria subvencionon rrushin, duhanin dhe prodhime të tjera dhe jo edhe gështenjën”, ankohen prodhuesit dibran. Sipas tyre, subvencionimi i gështenjës do të mundësojë rritjen e prodhimtarisë si dhe përforcimin ekonomik të familjeve që merren me pemën e gështenjës
Vjollca SADIKU
Dibër, 13 tetor – Në komunën e Dibrës, për shkak të kushteve tejet të volitshme atmosferike, gështenja zë një vend të veçantë në aktivitetet bujqësore me të cilët merren shumë familje dibrane, e të cilët kryesisht janë nga fshatrat kufitare. Prodhuesit e gështenjave këtë vit thonë se prodhimtaria është mesatare, kurse sa i takon kualitetit – në pjesën dërmuese gështenja është e një niveli të lartë. Dibranët sa i takon plasmanit të këtij fruti, nuk kanë probleme meqë gështenjat e Dibrës gjithmonë janë të kërkuara jo vetëm në vend, por edhe në tregun e jashtëm. Në bisedën që patëm me familjet të cilët janë prodhuesit më të mëdhenj të gështenjës në rajonin e Dibrës, u informuam se këtë vit janë prodhuar diçka më shumë se 200 ton gështenja. Familjet Dema, Lela, Strikçani, Delishi , Fida, e tjerë thonë se grumbullimi i tyre ka filluar dhe për plasmanin nuk do të ketë probleme. Dilaver Dema thekson se kushte e volitshme për prodhimin e gështenjës në rajonin e Dibrës në kontinuitet kanë stimuluar gështenjën në këto troje.
“Aktualisht në tregun e Dibrës gështenjat për një kilogram shiten nga 100 deri më 120 denarë, por kur është në pyetje shitja me shumicë, ajo blihet më lirë nga biznese të ndryshme që merren me tregtimin e gështenjës”, thotë Dema. Edhe këtë sezon, në Dibër pikërisht tani mund të shihen përfaqësues të bizneseve të shumta që blejnë gështenjën me shumicë e pastaj ata i plasojnë në qytetet tjera të vendit, por edhe jashtë shtetit. Familjet që merren me prodhimin e gështenjës shtojnë se tani më vite me radhë një pesë e theksuar e gështenjës përfundon në fabrikat e çokollatave në Itali, Francë, Gjermani, Koraci, Greqi… Gështenjat e Dibrës karakterizohen me aromën e veçantë dhe nivelin e sheqerit që posedojnë ata. Duke biseduar rreth kualitetit të gështenjës këtë vit, bashkëbiseduesit tanë na thanë se janë të kënaqur nga kualiteti, por shtojnë se një pjesë e vogël e prodhimtarisë të gështenjës në disa hektarë të Dibrës ka patur probleme me sëmundjen të vrugut për shkak të thatësirës që ishte prezente sidomos në tre muajt e fundit.
Kushte të volitshme për prodhimtarin e gështenjës, e cila si pemë karakterizohet për jetëgjatësinë e vet, në rajonin e Dibrës është prezente masovisht në fshatrat Bomovë, Konjarë, Sollokiç, Xhepishtë, Otishan, por edhe në disa fshatra të Zhupës dhe Rekës së Poshtme. Të dhënat e institucioneve kompetente lokale që veprojnë në Dibër thonë se mbi 250 familje dibrane merren me prodhimtarinë e gështenjës. Gështenjat janë prezente në 270 hektarë dhe kultivimi i tyre është tradicional. Pikërisht kjo prodhimtari ka shumë efekte pozitive financiare meqë shumë familje dibrane nga brezi në brez jetojnë me prodhimtarin e tyre. Ka familje të cilët merren kryesisht me prodhimin e gështenjës dhe kanë të kultivuara sipërfaqe të mëdha. Gështenja e Dibrës karakterizohet me prodhimtarin e saj organike. Pikërisht kjo e ka rritur interesimin tek blerësit. Në Njësinë e Ministrisë për Bujqësi informojnë se dibranët kultivues të gështenjës nuk përdorin plehra kimik në sipërfaqet e mbjellura me gështenja.
Por, kultivuesit të frutit të gështenjës këtë vit edhe njëherë kanë kërkuar nga Ministria kompetente e cila aktualisht udhëhiqet nga një ministër shqiptar, të ndajë subvencione edhe për gështenjat. “Gështenja, e cila është dominante në pjesën perëndimore të vendit duhet të subvencionohet ashtu si edhe pemët e tjera për të cilët Qeveria jep subvencione”, theksojnë familjet dibrane kultivues të gështenjës. “Qeveria subvencionon rrushin, duhanin dhe prodhime të tjera dhe jo edhe gështenjën”, ankohen prodhuesit dibran. Sipas tyre, subvencionimi i gështenjës do të mundësojë rritjen e prodhimtarisë si dhe përforcimin ekonomik të familjeve që merren me pemën e gështenjës. (koha.mk)