Omer XHAFERI
Shkup, 25 prill – Akuzat për “terrorizëm” dhe “organizatë terroriste” drejtuar të akuzuarit Fazli Osmani për ngjarjet e prillit dhe majit të vitit 2015m, që ndodhën në Kumanovë, Prokuroria Publike i mbështet në dëshmitë ku i akuzuari dëgjohet duke biseduar për shitblerjen e një sasie të konsiderueshëm të patateve. Ndonëse në radhe të parë duke qesharake, mirëpo për hir të së vërtetës seanca e fundit gjyqësore për rastin e “Lagjes së Trimave” është zhvilluar rreth procesit të kultivimit të patateve, kohës kur ato mbjellën dhe periudhën kur mblidhen, gjegjësisht afatin e përdorimit dhe çmimin e tregut, të cilin e ka caktuar i akuzuari Fazli Osmani, i cili me profesion është bujk. Duke ju referuar aktakuzës të cilën e Prokuroria Themelore Publike e ka ngritur kundër këtij personi (i cili njëherit është djalë i të akuzuarit tjetër për këto ngjarje-Sulejman Osmanit dhe kushëri i të akuzuarve tjerë, siç janë Elham Arifi, Fejzi Rushitovskit, Nasuf Bekirit dhe nip i të akuzuarit Ibrahim Murtezanit), aty thuhet se ai akuzohet për fshehjen e armëve të cilët janë konfiskuar nga “Grupi i Kumanovës” pas sulmit të karakollit të Gushincës me 21 prill të vitit 2015. Megjithatë, sipas akuzave të prokurorisë nga përcjellja e bisedave telefonike të cilat i ka realizuar ky i akuzuar nga data 27 prill e deri me 16 maj të vitit 2015, është konstatuar se aty flitet vetëm për kultivimin e patateve, të cilat gjatë asaj periudhe i akuzuari i ka shitur në qytetet e Kumanovës, Tetovës e kështu me radhë. Sidoqoftë, i akuzuari Osmani duke përshkruar zhvillimet e periudhës mars-prill të vitit 2015, tha se shtëpia e tij në fshatin Bërnjarcë gjatë ditëve të fundit të muajit mars është sulmuar nga persona të panjohur. “Për këtë ngjarje ne e kemi njoftuar policinë e cila menjëherë atë natë të marsit të vitit 2015, pas orës 22:00 kur ndodhi sulmi, erdhën në vendin e ngjarjes. Aty u ndalën për disa çaste dhe e shikuan vendin se ku janë futur plumbat dhe thanë se ditën e nesërme do të vijë një ekip i krim teknikës për të kryer ekspertizë të rastit. Mirëpo, të nesërme nuk erdhi askush. Kjo mënyrë e punës zakonisht bëhet kur janë në pyetje shqiptarët. Nga ana tjetër, pas disa ditëve policia ka hyrë për bastisje në fshatin Malinë, ku vëllai jem nga frika ka filluar të ikë”, tha i akuzuari Fazli Osmani në dëshiminë e tij para trupit gjykues. Për sulmin në shtëpinë e tij, ky i akuzuar tha se janë interesuar edhe mediat vendore, mirëpo ata asnjëherë nuk kanë arritur të marrin deklaratë nga ai. Por këtë gjë e ka bërë një gazetare nga Kosova, e cila ishte njoftuar me rastin përmes mediave nga Maqedonia. Lidhur me këtë ndodhi, në pjesën e seancës ku pyetje mund të parashtrojnë edhe të akuzuarit tjerë, i akuzuari Nasuf Bekiri, njëherit edhe kushëri i të akuzuarit Osmani, e pyeti atë se vallë para sulmit në shtëpinë e tij, që ka ndodhur në fund të muajit mars të vitit 2015, a ka vërejtur lëvizje të pazakonta rreth shtëpisë. “Kjo është e vërtetë. Rreth orës 19:00 të asaj dite, të cilën nuk e mbajë mend me datë, ka shtëpia e prindit tim Sulejman Osmanit, ka lëvizur një veturë e bardhë. Ndërkohë, ajo për një çast është ndalur dhe e ka vëzhguar hapësirën përreth. Por, nuk mund të vërtetoj se kush kanë qenë këta persona”, tha shkurt i akuzuari Osmani. Ndryshe, gjykatësja e rastit Verka Petrovska, e ka pyetur të akuzuarin se a ka dijeni se sa lloje të patateve ekzistojnë dhe cilin lloj prej tyre ai e kultivon. Po ashtu ajo nga i akuzuari kërkoi të sqaroj se gjatë cilës periudhë mbjellën këto perime dhe kur bëhet grumbullimi i tyre. “Ekzistojnë rreth gjashtë lloje të patateve që mund të kultivohen, ndërsa unë e kam mbjellë llojin e patateve ‘Agri’. Koha e zakontë kur e përpunojmë tokën për patatet janë muajt maj-qershor, ndërsa në fund të muajit shtator e bëjmë mbledhjen e tyre. Pas kësaj, deri në qershor apo korrik të vitit të ardhshëm kemi kohë që t’i shesim. Gjatë vitit 2015 kam shitur rreth 10 tonë patate me çmim prej 11 denarë për kilogram”, tha i akuzuari Osmani në përgjigjen drejtuar gjykatëses Petrovska. Seanca gjyqësore e radhës është caktuar të mbahet me 27 prill.
Arrestimi jonë hakmarrje për 2001
I arrestuar në aksionin policor “Rrufeja” dhe më pas i bashkëngjitur në aktakuzën për ngjarjet e Kumanovë, Ragmi Latifi në dëshminë e tij para trupi gjykues të martën tha se arrestimi me pretekstin se janë “grup i logjistikës” është bërë vetëm për t’u hakmarrë ndaj pjesëmarrjes së tyre në luftën e 2001-shit. “Bastisja e shtëpive tona dhe arrestimi është realizuar pesë muaj pas ngjarjeve të majit në vitin 2015 që ndodhën në ‘Lagjen e Trimave’ në Kumanovë. Gjatë kësaj kohe shteti ka bërë plane se s’i ta bëjë këtë rast më bombastik dhe kështu ka vendosur të na arrestojnë edhe neve, me qëllim të shtimit të numrit të të akuzuarve për ‘terrorizëm’. Akuzat për këtë vepër sinqerisht nuk i kam të njohura, për shkak se fjalën ‘terrorizëm’ e kam dëgjuar vetëm në televizor. Ky lloj i veprimeve e di që bëhet nëpër shumë vende të botës, siç janë Turqia dhe vendet tjera. Por, në Maqedoni, asnjëherë nuk ka pasur ‘terroristë’. Një aksion ‘terrorist’ mund ta kisha paramenduar se si një person futet këtu në sallën e gjykatës dhe të gjithëve do të na kishte nxjerr jashtë dritareve. Për këtë edhe unë isha pajtuar se është vepër ‘terroriste’. Kështu që i gjithë ky plan bëhet nga vetë shteti, jo nga ne. Në familje asnjëherë nuk kam pasur lidhje me ‘terroristë’ dhe aq më pak unë ndonjëherë të kisha pasur lidhje me kësi lloj organizate”, theksoi i akuzuari Latifi.