“Për shumë vetë komoditeti se si jetonte Mijallkov në publik ishte sinjal i tradhtisë ndaj drejtësisë”, thotë një tekst nga IRL. Dhe këtu është çështja. Shuplaka, xixat e së cilës ende i shohin qytetarët. Sepse ikja e tij, mund të ishte “show”, “cirk”, “skandal”, “orkestrim”, përforcon ndjesinë se drejtësia edhe gjatë s’do vijë në Maqedoninë e Veriut. Kjo aq më shumë theksohet nëse je shqiptar, sepse shpesh rastet me interes të theksuar ku janë shqiptarët, i fundit është “Monstra”, janë të mbështjella me dyshime, politikë dhe elemente të padrejtësisë të theksuar
Nga Nazim RASHIDI
E pse na duhen filma kur i jetoj më ato? Dhe jo miq, ankthi s’ka mbaruar. Maqedonia e Veriut u përfshi në dy ditë të dramës dhe thrillerit të jashtëzakonshëm, me (mos)ikjen e Mijallkovit, ish shefit të shërbimeve sekrete. Por kur do e lexoni këtë tekst, pra më 26.02.2021, në Shkup do ketë protesta e gjithashtu do të duhet të jepet vendimi nëse Sasho Mijallkov ishte fajtor për një nga akuzat më me peshë që rëndojnë ndaj tij. Kjo do të thotë që ngjarje që edhe për filmat a serialet do konsideroheshin të tepërta do ndodhin prej vërteti. Më kujtohet seriali “House of Cards” për shembull, një serial disa vjeçar me në qendër politikën e pushtetin,që trajton planet si të merret pushteti me hile, me veprime të pamëshirshme, me manipulime, me tradhti dhe me keqpërdorim të pushtetit.
Çfarë? “House of Cards”, nuk është asgjë pranë dramës dhe thrillerit tonë politik. Dhe më pyeti një mik, në bisedë një pyetje sa naive, por në thelb esenciale: “Pse u bë kaq e madhe kjo histori me Mijallkovin”?. Por përgjigjen e dinë të gjithë. E artikulojnë ose jo. Ajo është se zhvillimet e dy ditëve të (mos)ikjes së tij, shpërfaqën brutalisht para gjithë neve se veç për pushtetarin s’ka pasoja.
E thashë edhe më sipër, kur do botohet ky tekst, mund të ketë vendim për akuzat ndaj Sasho Mijallkovit, por sjellja e tij, sjellja e politikës, sjellja e prokurorëve, ndjesia e përgjithshme na tregon se vështirë do të harrojmë ngjarjet, të orkestruara ose jo, që na treguan se institucionet s’janë as afër aty ku dëshirojmë. Asgjë të res’po them në fakt. Por ngjarja shkatërroi, thërrmoi të gjitha shpresat se ndoshta, ndoshta, edhe mund të bëhet mirë.
Por le të kujtojmë: Sasho Mijallkov ishte figura shtyllë e qeverisjes së Nikolla Gruevskit, i cili me disa figura të tjera bënë që në raporte ndërkombëtare për Maqedoninë e Veriut të përdoret shprehja “shtet i kapur”. Pushteti i tij dhe grupit të vogël nuk ishte si ai në filma, për ata realisht thuhet se kanë përdorur të gjitha metodat, ndër të cilat edhe përgjimet masive, për çka edhe ra pushteti dhe për çka edhe gjykohet dhe pret vendimin në rastin që është i koduar me emrin “Target – Kështjella”. Rasti është “nëna” e gjitha rasteve të ngritura ndaj qeverisjes së Nikolla Gruevskit, i cili gjithashtu iku duke mos dalë para drejtësisë. Por si në filma, ndryshimi i ngjarjes së pritur nuk përfundonte aty. Fuqia e Mijallkovit vijoi edhe pas akuzave të rënda. Qeveria e re erdhi me premtime tëmëdha për luftën e krimit dhe korrupsionit. Por siç e përshkruajnë kolegët e faqes Investigative Reporting Lab (IRL), kur Mijallkovi ishte drejtor i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, ose thjesht i shërbimit sekret pasuria e tij që rritej ishte e fshehur pas emrave anonim dhe në kompani off shore. Pas ndryshimit të qeverisë, ai u legjitimua si pronar i hotelit Meriot, hyri në biznesin e naftës dhe kazinove dhe në muajt e fundit prezantonte imazhin e një biznesmeni. Madje tregonte dhe ambicie për të marrë, ose siç thuhet “shpëtuar” partinë VMRO DPMNE nga lideri aktual Hristijan Mickovski.
“Për shumë vetë komoditeti se si jetonte Mijallkov në publik ishte sinjal i tradhtisë ndaj drejtësisë”, thonë nga IRL. Dhe këtu është çështja. Shuplaka, xixat e së cilës ende i shohin qytetarët. Sepse ikja e tij, mund të ishte “show”, “cirk”, “skandal”, “orkestrim”, përforcon ndjesinë se drejtësia edhe gjatë s’do vijë në Maqedoninë e Veriut. Kjo aq më shumë theksohet nëse je shqiptar, sepse shpesh rastet me interes të theksuar ku janë shqiptarët, i fundit është “Monstra”, janë të mbështjella me dyshime, politikë dhe elemente të padrejtësisë të theksuar. Maqedonisë së Veriut i kanë ikur disa figura të mëdha, ndër ta edhe një ish Kryeministër, akuzat ndaj të cilëve janë realisht si skenare filmash, por ndjesia është se kulla e tyre prej kartave nuk po bie. Mijallkovi pas ikjes dhe rishfaqjes, duke thënë se veç ishte izoluar ngase kishte pasur temperaturë, rriti temperaturën e gjithë njerëzve, por dhe padurimin për këtë “shfaqje” të shëmtuar.
Ai në ndërkohë u shfaq me një bluze gati 1000 dollarëshe, siç u raportua. Ndërroi adresën ku do bëjë arrestin shtëpiak. Prokuroria, edhe pse tentoi të ikte, tha se rishfaqja e tij është “bashkëpunim” dhe nuk kërkoi arrest. Nuk u mor vesh se si i iku policisë, e cila pas alarmeve se ka rrezik për largimin e tij nga prokuroria, thoshte se ka “kontakt vizual” e pastaj se gjente dot. Nuk ka përgjigje se si shërbimet e inteligjencës nuk dinin gjë. Nuk ka shpjegime se pse pas kërkesës së Prokurorisë për paraburgim, duhej mbi gjashtë ore e gjysmë që gjykata të vendoste për këtë kërkesë. Nuk dihet nëse dikush e kishte informuar Mijallkovin për vendimet për arrest shtëpiak, apo edhe për vetë vendimin e gjykatës që duhet të shpallet sot, të premten 26.02.2021. Nuk dihet se çfarë konkretisht e shtyu Mijallkovin të rishfaqet, madje duke kërkuar falje. Skenarët e filmit mund të marrin leksion nga ngjarjet. Madje janë bazë për të zgjatur me vite, me gjithë ato të panjohura që prodhohen.
Esenca e gjithë këtyre ngjarjeve rreth Mijallkovit është se pushtetarët, politika dhe gjithë ata që janë pranë saj, s’arrijnë dot ta kuptojnë rëndësinë e sundimit të ligjit dhe sidomos rëndësinë e peshës së drejtimit të institucioneve sipas ligjeve. Mendësia është ta përdorin pushtetin për interesat e tyre, e cila mënyrë jetese pastaj shndërrohet në arrogancë. Dhe kjo shfaqet gjithandej, që nga ne kur nuk zbatojmë rregullat e “vockla” të mbajtjes së maskës, apo të mospirjes së duhanit në lokale, apo të tejkalimit të shpejtësisë së lejuar me veturat, e deri tek pushtetarët që kundërshtojnë hapur zbatimin e ligjeve dhe urdhrave për ndërtime, rrugë, punësime që i japin gjykatat e që kulmojnë tek persona si Mijallkovi, që pavarësisht që pushtetet ndryshuan, sjellja e tij prej të paprekuri vulos të gjitha ato që thashë më sipër.
Pavarësisht se çdo të ndodhë dhe çfarë do shqiptojë gjykata, për rastin më emblematik të një qeverisjeje aq problematike të Kryeministrit të ikur Nikolla Gruevski, ku Sasho Mijallkovi ishte shpesh dhe regjisor, edhe skenarist, edhe aktor, ndjesia se pushteti, paraja dhe forca do të mposhtin drejtësinë do vijojë. Simbol i kësaj qëndrese do jetë kulla, hoteli Meriot, që sa herë do kaloni në qendër të Shkupit, do ju kujtohen ngjarjet që ishin si në filma, por që kulla s’ishte prej kartash dhe s’u rrëzua. Dhe po tek llibri dhe seriali “Kulla prej kartash” që e përmend është dhe shprehja se “pushteti është si patundshmëria. Gjithçka ka të bëjë me lokacionin, lokacionin, lokacionin. Sa më pranë burimit, aq më i lartë është çmimi i pronës”. Gjithçka e qartë. Por jo siç duan qytetarët!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)