Shtëpia ku lindi Atë Gjergj Fishta nga e premtja ka marrë një pamje të re. Falë investimit prej 5.5 milionë lekëve (rreth 45 mijë euro) nga Ministria e Kulturës, kulla dykatëshe, në fshatin Fishtë, ka pasur si vizitorë të parë kryeministrin Edi Rama, ministren e Kulturës, Elva Margariti, si dhe kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu.
Në ceremoninë e hapjes që shënoi edhe 149-vjetorin e lindjes së “Homerit shqiptar”, kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka theksuar se Fishta e bukur “prej sot ka një arsye më shumë për t’u ndaluar e shijuar ajrin e natyrës dhe historisë shqiptare”.
“Dita e vdekjes e Naimit dhe dita e lindjes së Gjergj Fishtës duket sikur janë vendosur me dorën e Zotit për të ndjekur njëra-tjetrën. Të dy e kanë merituar lavdin e të qenit ‘Homerë të Shqipërisë’. Të dy lirikë e të dy epikë. Të dy etër të shqipes së shkruar e të folur mbi dy partitura të ndryshme muzikore. Njëri toskë e tjetri gegë, Naimi dhe Gjergji janë dy zërat e Shqipërisë dykrenore, asaj të jugut plot gurgullima e asaj të veriut plot bubullima”, ka thënë Rama.
Objekti i rikthyer në identitet është shtëpia ku autori i “Lahutës së Malësisë”, një prej penave dhe rilindësve më të shkëlqyer që ka nxjerrë Shqipëria, kaloi vitet e tij të rinisë.
Rindërtimi i shtëpisë ku Fishta kaloi fëmijërinë e tij, sipas kryeministrit Rama, është vetëm një ndër hallkat e projektit “Gjurmët Fishtiane”, që synon të nxjerrë nga harresa të gjitha vendet ku rilindësi kaloi etapat e jetës së tij.
Midis ndërhyrjeve të studiuara, sipas kryeministrit, është famullia e Troshanit, vendi ku u zbulua në moshën 6-vjeçare talenti i tij i jashtëzakonshëm dhe shkolla françeskane në Shkodër, aty ku Gjergji mori formimin e tij të parë.
Punimet restauruese i janë përmbajtur konfiguracionit origjinal të ndërtesës, në të gjitha elementet e saj, në dyer, dritare, dysheme, tavane druri, shkallë, parmakë e çati. Ndërsa në dhomat e saj janë ekspozuar edhe veprat e Fishtës. (Koha Ditore)