Barcelona po planifikon t’i rrëmbejë Napolit mbrojtësin senegalez Kalidou Kulibali. E përditshmja “Sport”, një media shumë pranë klubit katalanas, në shkrimin kryesor të ditës së sotme zbulon se drejtuesit e “blaugranave”, në fakt, po kërkojnë dy qendërmbrojtës, por më kryesori mbetet 26-vjacari që po shkëlqen nën urdhrat e Sarrit. Te Barcelona e kanë të qartë se për ta shkëputur futbollistin nga Seria A duhet të shpenzojnë mbi 50 milionë euro. Kulibali ka rinovuar kontratën me napolitanët deri në vitin 2021, por në marrëveshje nuk është përcaktuar asnjë klauzolë largimi. Emra të tjerë për mbrojtjen e Barcës janë Zagadou i Borussias së Dortmundit dhe Diakhaby i Lionit, të cilët më shumë se përforcime të momentit konsiderohen investime për të ardhmen, pasi janë vetëm 18 dhe 20 vjeç.