“Kukulla dibrane” pa teatër dibran!

Festivali edhe pse realizoi edicionin e tretë dhe kënaqi të rinjtë të qytetit, përsëri pjesëmarrës nuk kishte teatër nga Dibra edhe pse mbante emrin “Kukulla dibrane”

 

Vjollca SADIKU

Dibër, 30maj – Këto ditë në Dibër përfundoi edicioni i tretë i festivalit “Kukulla dibrane 2023”, me pjesëmarrje të teatrove të kukullave nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Organizatorët e këtij festivali, shoqata për kulturë dhe tradita dibrane “Art Kult 57”, thonë se edhe pse festivali ka patur përkrahje nga Ministria e Kulturës, ai për shkak të mjeteve teje të ulëta nuk ka mundur të realizohet pa përkrahje të komunës Dibër dhe disa kompanive të tjera që veprojnë në qytet. Festivali edhe pse realizoi edicionin e tretë dhe kënaqi të rinjtë të qytetit, përsëri pjesëmarrës nuk kishte teatër nga Dibra edhe pse mbante emrin “Kukulla dibrane”.

Advertisements

Drejtori i festivalit Arben Jajaga për gazetën KOHA, thotë se interesimi për teatrot e kukullave në Dibër është shumë i madh. Ai shton se këtë e treguan edhe tre edicionet që janë mbajtur deri tani. “Qëllimi i festivalit de fakto është që edhe fëmijët dibran të kenë mundësi të ndjekin teatrot e kukullave por njëkohësisht edhe të ngjallet ideja që edhe në Dibër të themelohet një teatër i kukullave. Deri tani kjo nuk ka ndodhur edhe pse ka patur përkrahje verbale. Mungesa e mjeteve është shkaku kryesor që Dibra vazhdon të mos ketë një teatër të kukullave. Kemi aktivitete të shumta dhe biseda për të formuar një Teatër të kukullave në Dibër si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror. Përkrahja është prezent por pa mjete nuk ka realizim”, thotë drejtori i festivalit “Kukulla dibrane”, Arben Jajaga.

Udhëheqësia e festivalit potencon se Festivali në tre edicionet ka patur probleme të mëdha financiare. Ministria e Kulturës miraton projektin për këtë festival por mjetet që sigurohen janë minimale. Ata thonë se falë kontakteve të shumta me komunën Dibër festivali i kukullave mbahet. Festivali edhe këtë vit tregoi se interesimi është i madh meqë në çdo prezantim të Teatrit të kukullave nga Tirana, Elbasani, Pogradeci, Tetova, etj, salla ishte përplot me spektator.

Biseduam në lidhje me këtë Festival edhe me disa dibran. Përfaqësues të shoqatave dibrane por edhe përfaqësues të institucioneve arsimore, poashtu edhe përfaqësues të pushtetit vendor për nevojën që në festival të ketë një pjesëmarrje të vet edhe teatri i kukullave në Dibër. Të gjithë janë pro kësaj ideje meqë Dibra e meriton këtë. Pjesa dërmuese e bashkëbiseduesve thonë se nuk ka logjikë që një festival që mban emrin “Kukulla e Dibrës” të mos ketë në program edhe teatrin e kukullës nga Dibra. Përkrahja vjen nga të gjithë institucionet dhe kërkohet një realizim me dëshirë që edicioni i katër të jep mundësi edhe teatrit të kukullës në Dibër. (koha.mk)