Loriana Kuka ka fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian U23 të xhudos, që po mbahet në Hungari. Xhudistja kosovare triumfoi në kategorinë deri 78 kilogramë duke e mposhtur në finale gjermanen Christina Faber. Në këtë kampionat Kosova fitoi edhe një tjetër të artë. Pos Kukës, të artën Kosovës ia solli edhe Akil Gjakova që triumfoi të shtunën.
Përmes një postimi në Facebook Driton Kuka ka treguar për rëndësinë që ka për familjen Kuka suksesi i 21 vjeçare sot në Evropian.
“E veçantë kjo medalje për mua, për familjen Kuka, për vëllanë tim Sylën – që e kam pas trajner dhe udhërrëfyes në jetë”, ka shkruar Driton Kuka.
Ai ka kujtuar edhe njëherë faktin se Loriana Kuka kishte lënë Zvicrën për ta përfaqësuar Kosovën, dhe sot ka rrëmbyer medaljen e parë Evropiane nga familja Kuka.
“Erdhi para dy vitesh dhe u vendos në Pejë për të rritur performancën por edhe për ta përfaqësuar vendin e familjes së saj. Medalja e parë nga një Kampionat Evropian për dikë nga familja jonë. Shumë i lumtur për këtë medalje”, ka shkruar ai.