Sot është ditëlindja e shkrimtarit emblematik Beqir Musliu.
Beqir Musliu u lind në Gjilan, më 11 qershor 1945; vdiq më 24.06.1996, në Prishtinë dhe u varros në Gjilan.
Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjilan, ndërsa Fakultetin Filozofik(Gjuhë dhe letërsisë shqipe) në Prishtinë.
Mënyra e të shkruarit dhe metaforat e simbolet e përdorura në shkrimet e tij, atë menjëherë e renditën në rangun e shkrimtarëve me një perspektivë të theksuar. Punimi i parë iu botua në revistën letrare “Jeta e Re” të cilën e udhëhiqte Esat Mekuli. Po kjo revistë, tri vite më vonë, në vitin 1965, ia botoi edhe librin e parë.
Shkrimet e Beqir Musliut janë të një niveli të lartë dhe përdorin me mjeshtri të madhe metaforat dhe simbolet, andaj mund të quhet edhe shkrimtar i simboleve.
Puna e tij kryesisht ka të bëjë me gazetari, publicistikë dhe redaktim të revistave. Së pari punoi si gazetar e redaktor në revistën “Zëri i rinisë”, e pastaj edhe në “Fjala” të Prishtinës. Së bashku me disa krijues të gjeneratës së vet, sa ishte student, nxori dhe redaktoi revistën letrare “Plejada”, e cila arriti të botohet vetëm deri në numrin 6, sepse pushteti i atëhershëm, duke parë ndikimin e krijimtarisë letrare në masën e gjerë, nuk e financoi dhe e shantazhi për të mos u botuar. Më vonë Beqir Musliu ishte anëtar i redaksisë, e një kohë edhe redaktor në revistën “Jeta e Re”.
Beqir Musliu është prezantuar thuaja në të gjitha antologjitë e shkrimtarëve shqiptarë të kohës së tij e më vonë. Punimet e tij janë përkthyer në gjuhën frënge, angleze, spanjolle, italiane, arabe, gjermane, hungareze, rumune, turke, sllovake, maqedonase, sllovene, serbe dhe kroate.
Në vazhdim po sjellim eseun e shkrimtarit, tash më të ndjerë, Ragip Sylaj, mbi portretin letrar të Beqir Musliut, i titulluar “BUKURIA E GJAKIMIT JETËSOR DHE KRIJUES”
“Edhe pse, në shikim të parë, vepra e këtij autori duket e vështirë për komunikim, sepse ajo kërkon njohje dhe sens të veçantë, një pjesë të suksesit a të shkëlqimit të vet ajo e pati edhe për të gjallë të shkrimtarit. Por, Beqir Musliu, edhe nëse nuk arriti të krijojë ndonjë shkollë të veten letrare, së paku me potencën e ideve dhe të imazheve ndikoi fuqishëm, ndoshta më shumë te krijuesit se te lexuesit.
- Nga udhëtimi i mbramë i maestros
Udhëtimi i mbramë nga Prishtina i maestros Beqir Musliu, njërit nga themeluesit e poetikës sonë moderne, ndodhi më 24 qershor 1996. Ai, që në rininë e hershme, e kultivoi shprehjen e pastër artistike, duke i refuzuar klishetë dhe shkollat ekzistuese letrare të kohës. Edhe në poezinë brilante, ekskluzivisht estetike (ku shquhen librat “Bukuria e zezë” dhe “Libri i anatemave”) edhe në prozë (ku veçmas shquhet romani i imazheve “Mbledhësit e purpurit”), edhe në dramat e karakterizuara si libër-teatër e teatër-libër (“Shtrigani i Gjel-hanit” dhe “Rrakullima”), Beqir Musliu është poet i ndjenjës subtile, i mendimit filozofik dhe i formave harmonike të përpjesëtimeve të përkryera e të pazakonshme në letërsinë shqipe. Artin e flijimit, Beqir Musliu e krijoi me durimin dhe sensin e artistit, flijim i profetizuar dhe i shpërfaqur në teatrin e flisë që e përjetoi Kosova dhe shqiptarët, në epopenë e fundit të luftës për lirinë. Gjuha specifike e veprës së këtij autori ishte një sprovë e veçantive të strukturës së tekstit letrar dhe e ekspresivitetit të tij. Së këndejmi, ai ishte edhe shembulli më tipik i blasfemisë së modeleve shkrimore stereotipe. Arti i tij, i dimensioneve poliedrike, i suksesshëm në secilin lloj të kultivuar letrar: poezi, prozë, dramë etj., është i karakterit elitar. Veçantia e veprës së Beqir Musliut, para së gjithash, shquhet për natyrën e materies specifike, me të cilën është e brumosur ajo. “Materia” metafizike, me të cilën është e përshkuar vepra e gjithëmbarshme e tij, si te asnjë autor tjetër yni, madje edhe te tekstet e kritikës teatrore e të natyrës publicistike, atë e shpërfaqin me krejt dendurinë kuptimore dhe me sensibilitetin e personalitetit të tij fisnik. Çiltëria e shkrimit të paimponueshëm të veprës së këtij artisti, pos nga kontakti i drejtpërdrejtë i veprës me lexuesin, mund të nënkuptohet edhe nga një deklaratë e një interviste të tij, kur thotë se, “unë tërë jetën e kam shkruar përrallën e melankolisë pagane”. Gjurmët e tij të ndritura, Beqir Musliu do t’i lërë kudo që punon, duke mbetur shembull i guximit të qytetarisë, i fisnikërisë dhe i dinjitetit, veçmas në fushën e letërsisë, po edhe të kulturës në përgjithësi: redaktor në “Zërin e rinisë”, redaktor profesional i “Jetës së re” etj. Ai shkoi në përjetësi, kur kishte për të thënë edhe shumëçka të shtrenjtë, por së paku arriti ta shkruajë rekuiemin e vetvetes – “Rekuiem i vitit 1995”. Edhe pse më 24 qershor të vitit 1996, Beqir Musliu e ndërpreu gjëllimin e tij (bio)fizik, mund të thuhet se, vepra që la pas e arriti konsolidimin e nevojshëm dhe autorin e saj e shquan si njërin prej klasikëve të fundit të letërsisë shqipe. Kjo mund të thuhet për faktin se shkrimtari Beqir Musliu, edhe nëse nuk arriti të krijojë ndonjë shkollë të veten letrare, së paku me potencën e ideve dhe të imazheve ndikoi fuqishëm, ndoshta më shumë te krijuesit se te lexuesit. Dhe, kjo mund të hetohet fare lehtë nga veprat e autorëve, të cilët nuk arritën t’i shpëtonin magjisë dhe mrekullisë së veprës së Beqir Musliut.
- Artistit i ikën e tashmja, por e ardhmja është e tij
Përvjetorët e vdekjes së shkrimtarëve të shquar, në mos për asgjë tjetër, do të ishin një shtytje që së paku kolegët e tyre t’iu rikthehen librave të tyre, sa për ta kujtuar mikun e letrave, po aq edhe për t’i zbuluar të fshehtat e tjera që mban akëcila vepër artistike. Në përvjetorin e vdekjes së Beqir Musliut, jam orvatur të bëjë një përsiatje për disa këndvështrime karakteristike të veprës së tij, sidomos të opusit të tij poetik, i cili për shumëçka është i veçantë si për formën, si për mënyrën e artikulimit të ideve poetike, si për gjuhën e kursyer dhe subtile artistike. Jo vetëm poezia e tij, sepse vepra letrare e Beqir Musliut në përgjithësi është thellësisht poetike, por edhe proza e drama, madje edhe shkrimet e tjera ligjërimore janë të një ndjesie të thellë. Ndonëse edhe arti është dije, gjë e cila nuk i mungonte këtij autori, cerebraliteti artit të ndjeshmërisë subtile të tij asnjëherë nuk ia nxë frymën. Ndërkaq, gjuha retorike, që del si përkryerje e stilit dhe e vulos individualitetin e tij, ta kujton një mëtim tjetër që i fle veprës letrare të Beketit, te e cila esenca është formë dhe forma është esencë (R. M. Shala).
Shkalla e lartë e abstraksionit poetik të Beqir Musliut disa herë është vlerësuar si refuzim i formave ekzistuese kanonike në letrat tona dhe si kërkim i përhershëm i origjinalitetit dhe me qëllim që artin e tij ta dominojë artistikja.
3.Metafizika – segment i filozofisë së artit poetik
Dëshmi e këtij origjinaliteti është arti i modernitetit dhe i pasionit të lartë që ka kultivuar ky krijues, esencë e të cilit pos të tjerash janë edhe figurat stilistike autoriale, si: mbledhësit e purpurit, dafrunga hyjnore, lulëkuqet e gjakut etj. Duke qenë estetizant i madh, Beqir Musliu është kundruar edhe si lartpurlartist. Në këtë kontekst nuk duhet harruar konstatimin e Çabejt që autori e nxjerr edhe moto të ciklit poetik “Albanopoli” se çdo thellësi është edhe e errtë. Kësaj errësire për ata që nuk kanë vështrim të thellë, jo pa qëllim, ky krijues i ishte përkushtuar, duke e pasur të njohur thënien e Shën Palit, sipas të cilit, ne nuk i drejtomë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme. Po, cilat janë gjërat që nuk duken, e me të cilat ishte i mishëruar përhershmërisht ky artist? Është bota metafizike, e cila kërkon njohje të thellë dhe mundësi të mëdha krijuese për ta materializuar artistikisht atë. Vdekja, ëndrra, dashuria, pikëllimi, magjia etj. janë disa nga “objektet” e përsiatjeve që përbëjnë filozofinë e artit poetik të këtij shkrimtari. Kontemplacionet e tilla gjithmonë ofrojnë mundësi për ta përftuar kohën subjektive, brenda së cilës rrjedhin e shkrihen, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Këto janë disa nga premisat qenësore që një mjeshtri të artit letrar t’i mundësojnë që të përftojë vlera të karakterit universal. Veçantitë e këtij arti doemos e kërkojnë edhe recepientin e veçantë, të niveleve të larta energjetike ose të atillë që janë në të njëjtat valë të botëpërjetimit të krijuesit të tyre. Arti i tillë prore i grish shpirtrat e privilegjuar, ata që gjuhën e tillë e shqiptojnë si gjuhë të fisnikërisë së lartë. Sipas dijetarit Xhon Raskin, kjo mund të shprehet edhe kështu: “Vepra në të cilën qenia e përsosur flet duhet ta ketë edhe qenien e përsosur që ta dëgjojë”. Këtij konstatimi do t’i shtohej edhe një segment tjetër i Lasgushit tonë, i cili, sipas Petraq Kolevicës, thoshte se arti nuk është për të gjithë njerëzit. Është për ata shpirtra të lartë që e ndiejnë. Më tej, moskorrespondimi i artistëve të mëdhenj me bashkëkohësit dhe përbuzjen që iu shkaktohet për të gjallë të tyre, italiani De Sanktis do ta shtronte në këtë mënyrë ngushëlluese: “këtyre qenieve vetmitare u ikën e tashmja, por e ardhmja është e tyre”.
4.Misteri poetik dhe dendësia e figuracionit
E shëmtuara, si kategori estetike, disa herë bëhet bazament i artit letrar të këtij autori, madje edhe frymëzuesja kryesore e tij. Mbase në këtë rrafsh, ky shkrimtar i merr shtytjet më të forta krijuese, sepse zemërimi lind vargun (Juvenali). Pësimet e subjektit lirik, por edhe të protagonistëve të veprave të tjera (“Mbledhësit e purpurit”, “Vegullia”, “Shtrigani i Gjel-Hanit”, “Rrakullima” etj.) janë dhënë me tone melankolike dhe me nota baladike. Shfrytëzimi i mitologjisë së antikitetit e i asaj kombëtare dhe shkrirja mjeshtërore në tekstin poetik e kontekstualizon mesazhin universal të veprës së tij. Disa nga të veçantat e përmendura më suksesshëm janë realizuar te libri poetik (sepse B. Musliu nuk botonte përmbledhje poezish), “Bukuria e zezë” (1968). Ndërkaq, misteri poetik i kësaj vepre, për të mos thënë i krejt opusit poetik të Beqir Musliut mund të shprehet me thënien e Santorit
“Kam në zemër një diçka që as unë s’di ta them”. Strukturën tekstore të kësaj poezie e dendëson figuracioni i pasur e në këtë kuadër disa herë edhe paradoksi poetik, si mbindërtim i thënieve antitetike, p. sh. “Asgjë s’more nga unë e s’më le gjë” etj. Përjetimi i kësaj poezie nga lexuesi, prandaj, kërkon jo vetëm njohjen e shkrim-leximit letrar por edhe një art të leximit, thënë sipas Sabri Hamitit. Për gjuhën specifike e të racionalizuar artistikisht, Beqir Musliu, bashkë me Lasgush Poradecin, Ernest Koliqin, Mitrush Kutelin, Martin Camajn, Anton Pashkun, Azem Shkrelin etj., mbetet njëri ndër klasikët e letrave shqipe. Ai, pos të tjerash, ishte edhe njëri nga autorët më me ndikim në poezinë shqipe të Kosovës.
- Rituali i këngës, i këngës që është jetë, i jetës që është dhembje
Qysh si fëmijë kishim fituar përshtypjen se shkrimtarët janë vetëm ata njerëz krijues që nuk jetojnë më fizikisht në mesin e të gjallëve, prandaj edhe na dukeshin disi figura mitike. Vetë shkrimtarët, në kohë të hershme, kishte raste që nuk i nënshkruanin veprat e tyre me emër e mbiemër, duke ua dhënë atyre shenjën e universalitetit, të gjeniut popullor, të krijimit që ishte përsosur, duke “u redaktuar” brez pas brezi. Kjo flet edhe për një fakt tjetër, që i ka të dy anët e medaljes: për modestinë dhe për anën e vështirë për t’u identifikuar me veprën, që e kërkon edhe një trajtë tjetër të përgjegjësisë e të flijimit. Më vonë, ndërkaq, do të mësoj se në Kosovë kishte pothuaj vetëm shkrimtarë të gjallë, por ky nuk ishte ndonjë zhgënjim imi, madje më të shquarve ndër ta as që do t’u zbehet aureola mitike që kisha imgjinuar. Kjo brerore hyjnore mbase më kishte bërë ta adhuroja librin deri në fetishizim dhe më kishte yshtur që edhe unë të mëtoja për ta nyjëtuar fjalën e të fshehtave që i ndryn vetëm zemra dhe që mund t’i flasë në heshtje veç shpirti. Ky gjakim dhe nevoja për ta përplotësuar atë më kishte mundësuar që me disa shkrimtarë të bashkëjetoja miqësisht nëpërmjet librave të tyre, ndërsa me disa të tjerë të jem, përveç koleg, edhe mik i tyre. Kjo miqësi e ky kolegialitet shpeshherë ka edhe një masë të madhe naiviteti, por pikërisht këtu buron çiltëria dhe shenjtëria që fle te qeniet krijuese, që për shumëçka dallon nga qeniet e tjera njerëzore.
- Harta e shenjave shpirtërore dhe mbretëria e metaforave
Njohja ndërmjet krijuesve, kur është nevojë e brendshme dhe një miqësi pasionante që e lidh shkrimi, shpeshherë ndihmon për të zbuluar shtresa të reja të veprave të tyre. Gjithashtu është ndihmesë që ta njohësh veten edhe në dimensione të tjera dhe fiton mundësinë që në fushën e krijimtarisë ta bësh edhe një hap përtej vetvetes. Bota e misterit prore merr trajta të reja dhe si e tillë të provokon pandërprerë për ta vënë interkomunikimin shpirtëror të ndërmjetvetshëm. Kjo ndodh sidomos me atë vepër që ka strukturë interesante tekstore, veçanti dhe pasuri gjuhësore, ndjeshmëri të thellë dhe mesazhin a kumtin e përkorësisë së gjithkohshme. Një studiues yni njëherë tha se libri është si je vetë. I tillë mund të thuhet se ishte edhe poeti, prozatori e dramaturgu Beqir Musliu: I mbyllur e i hapur ashtu siç e kishte veprën letrare. Ai ishte me përvojë të pasur jetësore dhe me kulturë të gjerë letrare e artistike. Prandaj, për të depërtuar te ai e te vepra e tij, duhej ditur me gjetur çelës të posaçëm. Duhej njohur hartën e shenjave shpirtërore për t’u bërë rob i mbretërisë së metaforave të tij. Arti i fshehtësive të tij përbën një ritual poetik, origjina e të cilit i ka rrënjët në thellësinë mijëvjeçare. Ai është rituali i këngës, i këngës që është jetë, i jetës që është dhembje. Por, ku shpie kjo dhembje? Kjo dhembje më në fund i falet amshimit, qoftë në rrafshin metafizik, kur shpirti ndahet përgjithmonë nga trupi, qoftë në rrafshin artistik, e cila mbetet qenësi e gjallë e letrave për t’u deshifruar nga lexuesi i kohëve të ndryshme. Kjo ma kujtoi edhe kohën kur shkrimtarët e gjallë (prijatarë, në Kosovë, ishin Esad Mekuli e Martin Camaj) e nisën udhëtimin e tyre për në përjetësi. Në këtë udhë të mbramë shkonin shkrimtarët modernë të letrave shqipe dhe bëheshin gurë të paçmueshëm në themelet e traditës sonë më të re: të rilindjes sonë moderne. Shkuan për ta lënë vazhdën e tyre të ndritur: Esad Mekuli, Hasan Mekuli, Martin Camaj, Fahredin Gunga, Hajdar Salihu, Anton Pashku, Mirko Gashi, Beqir Musliu, Azem Shkreli, Latif Berisha, Ymer Elshani etj. Pastërtinë e qenies së tyre të gjallë, këta artistë e lanë në letrat shqipe, pjesën më sublime të frymës së tyre që arritën ta bënin art të pavdekësisë së tyre dhe tonës.
7.Vepër e sensualitetit të stërholluar dhe e ligjërimit filozofik
Shkrimtari Beqir Musliu jetoi 52 vjet dhe ndonëse nuk arriti t’i botojë të gjitha veprat e tij, mund të thuhet se, megjithatë, ai ia doli ta rrumbullakësojë opusin e tij krijues. Që në rininë e tij të hershme, Musliu do të shpërthejë me talentin e tij, shenjat e individualitetit të të cilit do të vazhdojnë të pasurohen dhe të zgjerohen në spektrin e opusit letrar të paralajmëruar. Këto shenja më pastaj do ta konstituojnë hartën e botës krijuese të autorit, si në poezi, në tregime e romane, në drama dhe në veprat mikste, që dikush i ka quajtur, bie fjala, romane kentaurë etj. Kështu, edhe drama e tij, sado që duket krejt laboratorike dhe një pjesë e kritikës e ka quajtur teatër eksperimental, a teatër në teatër, ajo shpërfaq botën krijuese dhe krejt origjinale të autorit të saj, Beqir Musliu, i cili prore sillte freski, qoftë me sensualitetin e stërholluar, qoftë me botën e mendimit filozofik, edhe kur bosht i saj është mitologjia kombëtare ose ajo e antikitetit. Edhe pse, në shikim të parë, vepra e këtij autori duket e vështirë për komunikim, sepse ajo kërkon njohje dhe sens të veçantë, një pjesë të suksesit a të shkëlqimit të vet ajo e pati edhe për të gjallë të shkrimtarit. Mund të thuhet kështu, qoftë pse opusi i tij poetik u bë objekt trajtimi nga studiuesit tanë më eminentë, qoftë pse dramat e tij u inskenuan nga teatrot tona, madje edhe u ekranizuan dhe si të tilla arritën një sukses të konsiderueshëm me modernitetin e niveleve të tyre estetike. Andaj, bukuria e gjakimit jetësor dhe krijues të Beqir Musliut nuk përfundon me udhëtimin e mbramë të maestros nga Prishtina për në Gjilan, aty, ku trupi i tij prehet në qetësinë e amshueshme, për të mbretëruar në kujtesën historiko-letrare”.
Beqir Musliu – letërsia emri i tij
Nga Nijazi Ramadani
Me veprën e tij, mund të flitet për një rrumbullakim të artit si tërësi (poezi, prozë, dramë, kritikë, publicistikë, etj.), duke i përthyer limitet tradicionale mes gjinive, llojeve, zhanreve letrare, që ai arrin te Vegullia, si dhe me romanin “Amullia”, i cili priti ta shoh dritën vetëm pas një çerek jetë njeriu. Beqir Musliu gjatë viteve sa punoi, krijoi dhe editoi për revistën “Jeta e Re” me E. Mekulin, R. Qosjen, si edhe te “Fjala” e “Zëri i Rinisë”, Prishtinë. Ai mbeti deri në fund një libër i hapur, përkundër asaj se iu muar për të madhe “formula e tij e një tipi më të mbyllur”, ndonëse ishte e qartë se e shkruar në “ kohë të pakohë”.
Në çerekun e fundit të jetës së tij, ai i solli letrave shqipe edhe përmbledhjet me poezi “Sezamet” – ’72, “Parabolla” – ’76, “Darka e magjisë” – ’78), romanet “Vegullia” – ’79, “Mbledhësit e purpurit” – ’82, sikur edhe tri të tjerat të shoqëruara me tetë dramat, përmbledhur në librin “Shtrigani i Gjel-hanit” – ’89 dhe “Rrokullima” – ’90. Megjithatë opus të gjer të art-jetë-shkrimit Ai, ka ndërruar vetëm dhomën me 11 qershor 1996, për të cilin jeton vepra e tij. Pas vdekjes Beqës, iu botuan edhe shtatë veprat e tij, njëra nga ato vepra është edhe përmbledhja me tregime të dala nga prozat tregimtare, “Kori i gjelave të vdekur”, sipas përzgjedhjes dhe shijes artistike të atyre letrave që na i la në dorëshkrim, si borxh për t’ia botuar me amanetin e tij, nën përkujdesjen e Musa Ramadanit. Dhe, në mesin e atyre tregimeve është edhe “Arkivoli për Sadek Hadajatin”, (Jeta e Re”, 1996) në të cilin më së shumti reflektohet qenia e tij, krijuese, fati i shkrimtarit të përndjekur që fati i popullit të tij dhe kohës që jetoi, kujtojmë atë në shënim të ditë lindjes së tij që po e nderon Gjilani edhe sivjet.
Beqir Musliu ishte njeri i rrallë i letrave shqipe në gjysmë shekullin e kaluar
Me Beqir Musliu i Gjilanit, aso kohe, dëshira e krijuesve ishte ta pyesnin diçka, por, duke përbirë e përtypur fjalën për të satën herë që të flasim rreth artit.
Ndërkohë ndonjë varg, pa e hedhur fare në letër, ia tregoj atij, ndonëse, i druaj vetës për vargun… mos do jetë i mbyllur, mu ashtu siç ishim edhe ne vetë, për një kohë të pakohë. Thjeshtë nuk dëshiroja ta largoja nga meditimet e thella, sado që, si gjithnjë ai, ishte libër i hapur për të gjithë ne që dëshironim të ecnim në rrugën e letrave. Si i hapur, ai, nuk kurseu asgjë për të na mësuar ndonjë, diçka nga zanati i artit letrar, siç shprehej ” ruajuni mos të dal përtej…” Shumë kush e pa si njeri i rrallë i letrave shqipe në gjysmë shekullin e kaluar. Shi për këtë, më vonë e përkujtova përmes vargjeve të shkruara te revista Fjala.., si njeri që ec me Shën Albanin…, i cili përballoi “karshi” regjimit të atëhershëm të viteve të ’60-të a, para Plenumit të VI-të, kur ia vunë prangat, atij dhe poetit, Rexhep Elmazit, ( i martirizuar) të prirë prej Adem Demaçit. Beqiri pastaj talenti e guximi iu bënë virtyt, në librin e tij, “Rima të shqetësuara” – ’65; poezitë Shqiponja mërdhezuni, Lulëkuqet e gjakut, dhe si autor i “Kurorës sonetare për Skënderbeun”, u përball me anatemën, dogmat, ndonëse më vonë i është ndaluar hovin te Plejada në numrin e shtatë të saj…
Vitet e ’70-ta i vazhdoi me frymën liberale, poemën “Vdekja e poetit në kurorën sonetike”, kushtuar poetit të martirizuar, Fazli Graiçevcit, kur mbet si një rob i fisnikëruar për të lënë edhe amanetin në frymën e tij të fundit, varrosmëni në vendlindje. Sa herë kam dashur të pyes diçka, e kamë gjetur në veprën e tij.
Beqir Musliu – Ligjërimi simbolik
Merita Bajraktari Januzi
Brenda këtij punimi është trajtuar poezia e Beqir Musliu, kryesisht ajo e viteve 60-70-ta, duke marrë për bazë poezinë me komunikim të ulët me prirje hermetike. Shohim se Musliu që në veprën Rima të shqetësueme u dëshmua për mjeshtërinë poetike. Tema e tij esencialisht kombëtare vjen me vargun që sjell rrjedhat e kohës, mbushur me elemente mitike e të oralitetit, për të shprehur shqetësimet e subjektit të tij lirik. Me larushinë figurtive e te formave poetike, e me nuanca intertekstuale (me poezitë e Bodlerit e të Uitmanit, por edhe të Shkrelit), shohim se ai dhe brezi i tij veç e kishin përqafuar poezinë moderne hermetike.
Lulëkuqet e gjakut, autori ia dedikon njeriut dhe lirisë së tij, për vazhduar me abstraksionin poetik e simbolikën alla bodleriane ku e mbërthen shqetësimi për fushat e Kosovës, lirinë e saj. Metafora Bukuria e zezë na e tregon nivelin e figurës së tij, tek e metaforizon bukurinë dhe hedh vallen baladave dhe legjendave tona të lashta (Vorret e kryshqëve, Gjergj Elez Alinë, Motrën me nandë vëllazën, si dhe Përrallën e përhimtë ose Baladën për shtatë ditë e shatë netë) për vendin e tij, njësoj tutje te Sezamet vazhdon me temën e madhe kombëtare, tek i kthehet historisë dhe mitologjinë, plot fantazira (Ciklet me tituj: Shtegëtimet e Zef serembes, Albanopoli, Nga poema që duhet ta këndojë populli, Rozafa, Fyelli apo diç mbi anatominë e fjalëve dhe Trendafilet e drynjta), në kërkim të lashtësisë dhe të vërtetës tonë historike.
Kritika letrare shqipe, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, Beqir Musliun e konsideron si prijës të brezit të letërsisë hermetike në Kosovë. Poezia e tij futet në taborrin hermetik, për të qenë lirikë e artikuluar me mjeshtri e delikatesë dhe në funksion esencialisht kombëtar dhe socio-kulturor. Studiuesi Leka Ndoja në vështrimin e tij mbi hermetizmin thotë: „Nëse do të përdorim termin tërësisht hermetik, tekstet e Beqir Musliu aktualizohen në format kultike të intonimit të poezisë. Toni i poezisë së tij është tërësisht i zymtë, ashtu si edhe libri i tij i parë hermetik (bëhet fjalë për përmbledhjen Rima të shqetsueme). Vështirë të depërtojë një rreze drite në poezinë e Musliut, ky pra është një nga elementët stilistik përbërës të hermetizmit sidomos me vargun e përpunuar deri në stërhollim, pavarësisht se kuptimi përveç ciklit bizantin, mbetet për t`u interpretuar nga lexuesi implicit apo lexuesi model sipas Umberto Ekos…”
Filozofia e artit të tij, me diskursin personal, historik, oral e mistik, metaforik e simbolik, shoqëruar me larushi figurative, na shtyn në botën magjike të artit modern, të krahasueshëm me atë evropian/bodlerian.
Duke qenë se një nivel të theksuar hermetizmi e gjejmë te veprat Rima të shqetësueme dhe Lulëkuqet e gjakut, le t`i shohim në tërësi e tyre, duke i interpretuar aq sa mundemi vargjet e poezive më reprezentative. Edhe Ibrahim Rugova e vë theksin te këto dy vepra tek flet për hermetizmin lirik në poezinë tonë. Ai konsideron se një shkallë më të lartë të hermetizmit e vërejmë te B. Musliut, kryesisht te veprat: librat e tij të parë Rima të shqetësueme (1965) dhe Lulëkuqet e gjakut (1966), në të cilat studiuesi vlerëson se zhvillohet edhe një meditacion për situatën e mbyllur, hermetike të subjektit poetik. Rugova gjithashtu mendon se ky hermetizëm është edhe elementi esencial në formimin e subjektit poetik të poezisë sonë, në nivel më të lartë e më të thellë në planin poetik, pas poezisë briliante që na e solli Lasgush Poradeci.”
1.1. Rima të shqetësueme
Në veprën Rima të shqetësueme që nga titulli metaforik shihet se vargjet shprehin shqetësimet e autorit dhe artikulohen me një frymë dhe formë ndryshe, duke sjell një gërshetim të diskursit personal me atë oral e mistik. Vargjet e forta, ashtu siç i ka veshur ato me vellon orale e mistike, u ka dhënë atyre madhështinë, magjinë e shprehjes së fuqishme poetike.
Vepra për nga struktura është e përbënë nga katë nëncikle poezish (Festat e vogla të jetës, Bylbylat, Piramidet e qetësisë dhe Zamaret e gjakut). Cikli i parë nisë me poezinë Ngjyrat e fjalës, të cilat tregojnë se ka larushi formash poetike brenda veprës dhe rimat e shqetësuar, përveç që tregojnë se autori jo vetëm që s`ua vë veshin rimave, d.m.th. kryesisht e lë të lirë vargun, ka në vazhdimësi tronditje shqetësimi për gjërat që do t`i hedh në letër, për t`u dhënë shpirt nga gjaku i tij, nga brendia e subjektit të tij poetik.
Vargjet sjellin nuanca intertekstuale me poezitë e Bodlerit e të Uitmanit, që tashmë veç ishin bërë model i parapëlqyer i shkrimit edhe për poetët tanë, prandaj edhe kemi një varg simbolesh të ngjashme si bari, lulja, dielli që dominojnë mbi simbolet dhe figurat tjera. Duke qenë i përcaktuar për poezinë që i këndon jetës me larushitë e saj si dhe vdekjes si imencë njerëzore ai ka vetëdije artistike dhe ndjeshmëri ndaj formave të saj, gjithnjë në kërkim të vlerës dhe jetëgjatësisë së saj:
”Nuk kemi me i quejtë të marrë njerëzit-
Pse nuk kanë me dijtë me i dashunue pëllumbat
Nuk kemi me u shikue- si në pasqyrë.
Me hijet e vetevetes së kërrusun.
…
Nuk kemi me qenë vrasësit e kohës
Në kullat e mbyllura të gjakut
Nuk kemi me këndue vetëm për lindje
Meqë vdekjen e mbajmë mbi kurriz.
Në gishtat tanë secili ndien
Të prekunit e butë të diellit-
Dhe sa çudi: na blerohen gishtat si bari.”
(Ngjyrat e fjalës)
Autori figurativisht nuk don të bie në gjak me kohën, por do ta shfrytëzojë atë siç don ai për t`i kënduar jetës dhe vdekjes, si dhe për t`i dhënë blerim, ngjyrë fjalës së tij, poezisë së tij. Nga elementet kanunore ai nxjerr kuptimin e ri figurativ dhe mesazhin e ri don ta çojë tutje vargjeve që për misionin kanë artin e vërtetë poetik përgjatë artikulimit të situatave jetësore. Prandaj në këtë vijë janë edhe vargjet mjaft simbolike të poezisë Përshpëritjet:
”sa herë trenohet lumi nga shiu, e i merr fushat
Me vehte tue i bajtë sendet e vërshueme-
Unë gjatë, gjatë shtrihem buzës së tij dhe e pres kangën time;
…
Atëbotë, mu në cakun e lodhjes sime e të gjymtyrëve
Lindin si rruzarë vargjet në rima të shqetësueme,
Si pikat e imta të ujit në tenxhere-mbas avullimit
Dhe si lule kërkojnë me u rritë në msheftësitë e gjakut tim.”
Kështu e gjithë përmbledhja ka përkushtimin ndaj vargut edhe kur thotë: „Sa larg asht rruga me mbërri deri te ajo lule e paçelun!” (poezia Dita) por edhe kur u këndon njerëzve të bukës që dashuri i kanë verën, diellin, korrikun dhe shinat, por edhe kur i thur vargje bylbylit, i cili është vetja e tij dhe kënga-poezia e tij:
”derisa andrroj ujin nën kambët e mija- në gji
Nisë rritën kanga, përshëndetje flakrume t`shokut;
E kur dielli në maje të gjuhës sime të zenë me u shkri,
Unë atëherë kam me i frye në zamaret e vet-gjakut!”
Pastaj autori ka edhe ndjenjën e venerimit se edhe të tjerët po i bashkohen atij në udhëtimin e ri, në risinë që sjell poezia e tij e lirizmit hermetik:
”QE-dikush prej nesh po e grish pranveren e zogjt
Dhe ngadal po i bashkohet
Kangës sime e t`shiut…”
E kënga i bëhet e rëndë (Kanga e randë)[8] kur ajo përkundet në djepin e stuhisë, ku gjethi thyhet pa mëshirë në krahnor apo kur duhet të derdh ca lotë, kur dikush ka vdekë
dhe lulet vyshkuna u kanë mbetë në dorë (Mësheftësitë e vjeshtes), metafora Djepi i stuhisë, kush mund të jetë tjetër veç koha e stuhisë që populli ynëpo e vuante dhe njërëzit tanë thyheshin pa mëshirë nga sistemi jugosllav, prandaj bart vuajtjen e dhembjen e madhe për njerëzit e vendit të tij:
”Me arkivolet e mia të dashunve mbi kurriz:
Me i varrosë zbrazësinat n`rrath t`arës, në rrajët e bimëve-
Që andrrojnë të mrekullueshme diellin
…
Se erdhi çasti me na përzanë gjaku, si t`huej prej lëkurës,
Të çmendun me e vorrosë lutjen e mbramë të gjethit.
…
Në nëntokën e thellë e të qetë që kurr s`ka me dijtë
Për brenga e ndjesë, për dhimbje e ngushëllime.”
Me diskurs thuajse të njëjtë Beqir Musliu vazhdon edhe me veprën tjetër Lulëkuqet e gjakut, për të cilën Nysret Krasniqi, thotë se: ”ky autor në botën e tij poetike integron komunikimin e brendshëm me kulturën e përbotshme , me leximet e tij, kryesisht duke ”luajtur” me simbolikën e Khajamit, i cili i shërben autorit tonë për të përvijuar në trajta të ndryshme gjendjen e tij poetike… Madje kjo përmbledhje niset me triptikun sonetik që për simbol ka Khajamin. Por nëse rubairat e poetit persian ndërtohen në katrena, Musliu shkruan sonetin, nëse Khajami niset me kërkesën e shpirtit për qejfe, Musliu pi gotën për të shëtitur në botën e mendimeve.”Le ta shohim në vijim edhe këtë vepër reprezentative për temën e trajtuar dhe nivelin e komunikimit.
1.2. Lulëkuqet e gjakut
Vepra përbëhet nga gjashtë cikle poezish: Ndërgjegja dhe kanga, Engjujt e zezë të Deçanit, Njerëzit, udhëtarët e bukurisë, Dashinija dhe reflekset, Elegjitë egjanave të thjeshta, Tri netë në Metohi
Cikli i parë ka relacion ndërtekstual me rubairat e Khajamit, edhe ashtu e konfirmon me poezinë (Triptokon për Khajamin dhe Trashëgim Khajamian). Siç e theksuam edhe më lart, te Triptikon për Khajamin, vargjet transmetojnë emocion tek autori don të dehet për të shëtitur nëpër mendimet e veta, për të fshi çdo brengë e për të ndërtuar rrugën me butësi deri sa ta kuptojë e zbulojë jetën që e rrethon:
”SHPIRTIN e kam pi një natë n`heshtje vetëm me nji gotë,
Dhe n`ato ngërça t`idhtë kam ndie se si dikush më ka thirrë:
Unë shetitësi i mendimeve t`botës m`u mbyllë në `i
Rubairë-
Dhe me dollitë e gjakut me fshi si Khajami çdo brengë e
lotë!”
Poezia e tij i dedikohet njeriut, ecjes së tij, lirisë së tij, përmballjes së jetës me vdekjen, kërkimeve në vazhdimësi për të gjalër e të vdekurit, veçanërisht tani kur ai kërkon famën e tij prej poeti: „Se – famën dhe fatin e jetës e kanë mallkue për poetë / …/ Edhe pse e dij se, asgja e pambërrime s`ka m`i mbetë breznisë!”
Më tej në ciklin e dytë, shpreh simbolikisht botën e brendshme të tij, lidhjen me bukurinë e Deçanit dhe gatishmërinë e tij prej poeti për të luajtur me fjalë figura që t`i nxjerr jashtë banorët e heshtjeve dhe djajtë për t`i futur në ferr si Danteja, apo për t`i gozhduar si Prometheun, deri sa ta thur këngën dhe të vdes i thejshtë dhe madhështor si Ciceroni, ose të gjithë „me ju vorrue sonte në vargun tim / që u shndërrue në një përmendore të gjakut e të dashunisë.”Shihet se autori dijen e tij të gjerë mbi figurat e përbotshme e derdh në varg, duke i dhënë atij shijen dhe ngyrimin individual dhe universal.
Te cikli i tretë, Njerëzit, udhëtarët e bukurisë, ai ecën nëpër preokupimet njerëzore, kontrastet e jetës dhe ciklin e jetës, ku njerëzit vijnë e shkojnë nëpër botën me të murat e këqaijat e saj (dritë dhe terr):
“Përditë vijnë njerëzit: Të panjoftun dhe të largët,
Udhëtojnë nëpër dritë dhe terr. Kah jeta.
Kah dashunija dhe mënija. Kah gishtat dhe gjymtyrët.
Kah njerzit. Na dalim me i pritë atat që s`janë mes nesh…”
Këtu simbolika e vargjeve reflekton errësirën dhe vdekjen që dominon nëpër kohë. Autori don të merret me çështjet themelore të njeriut, individit dhe artin dëshiron ta vë në funksion të ndjenjës njerëzore, unit dhe subjektit poetik. Kështu në këtë sens shkrimi simbolik, vijnë edhe ciklet e radhës Dashunija dhe reflekset, Elegjitë e gjanave të thjeshta dhe Tri netë në Metohi, ndonëse brenda tyre ka ndonjë përvijim të elementeve ideologjike të kohës, sado që autori pretendon funksionin artistik të letërsisë larg atij ideologjik.
Te Dashunija dhe reflekset, poeti luan me figurat poetike të florës dhe faunës. Janë ato gjërat e thjeshta që i bën simbole në vargun e tij dhe jo rastësisht thotë:
”E tani kur piva si shum tjerë n`gota t`Natyrës-
Ajo ma dhuroi fuqinë t`pakrahasueshme me fjalën e luanin,
Të pamposhtun as prej Orfeut të çmendun-
E duerve t`shkathta t`Gladiatorëve n`arena…”
Dhe po ashtu me varg simbolesh thur poezitë e ciklit Tri net në Metohi, me dedikim për natyrën e bukur të Dukagjinit dhe me një kaptinë të veçantë do të flasim për rrethanat e kohës dhe për intencës që poezia e këtij autori (poezia shqipe e brezit të tij) të tejkalojë kufijtë e Kosovës, së paku të lexohet nga popujt tjerë të bashkësisë jugosllave, duke qenë e mbrojtuar nga kthetrat e sistemit/regjimit të kohës.
1.3. Bukuria e zezë (1968)
Kjo vepër poetike, tashmë nxjerr në pah qasjen e abstraksionit poetik, e simbolikës alla bodleriane dhe paradoksale, e cila shpreh përjetimet autoriale, personale nëpërmjet relacioneve artistike me oralitetin, për të transmetuar dhembjen individuale e kolektive për çështjet nacionale, frikën e harrimit të së kaluarës historike.
Vepra është e organizuar në dy kaptina, e para Bukuria e zezë dhe e dytaBalada dhe legjenda, ku secila pjesë i ka nga tri cikle poezish dhe secili cikël nis me një thënie poetike relevante për kontekstin e ciklit.
E gjithë vepra nis me thënien: ”Çdo bukuri e ka të zezën e vet”[17] që jep për të kuptuar se lexuesi do të përballet me konstruktet antitetike e paradoksale që lidhen me jetën, perjetimet nëpër kohë. Pastaj pjesa e parë Bukuria e zezë, nis me vargjet paralajmëruese Loja me kohën në fushën e lulkuqeve ose fyelli i humbur, të cilat sikur paralajmërojnë shqetësimin e autorit për fushat e Kosovës, lirinë e saj. Autori nis udhëtimin poetik duke metamorfizuar bukurinë, duke e kthyer atë në shëmti, te pjesa e parë dhe duke riartikuluar format e diskursit popullor, legjendat e baladat në funksion të kujtesës dhe kthimit në identitetin e vjetër kulturor, te pjesa e dytë Balada dhe legjenda, e cila i jep veprës formë metatekstuale.
Me metaforat e forta e simbolet e ndërtuara në mënyrë origjinale, kontekstuale brenda filozofisë së tij poetike ai i hapë rrugë poezisë hermetike në Kosovë. Shih për qasjen e re poetike, studiuesi ynë i njohur Ibrahim Rugova thotë se deri në shfaqjen e poezisë së këtij poeti te ne dominonte elementi i hipotrofisë lirike dhe i figuravitetit të drejtpërdrejtë dhe Musliu është ai që shpërfaqë abstraksionin brenda ligjërimit poetik[18] Kështu ky ligjërim poetik vjen me larushi figurash, fjalësh (siç i quan vetë Ngjyra të fjalës ), me metafora paradoksale të tipit: Bukuria e zezë, Bukuria e shëmtueme, Engjujt e zezë dhe abstraksione poetike të tipit: „Vepër e zbrazët”, ”Hini e ndriçimi”, ”Përmbajta e hinit”, ”Kuptimi i hinit”, etj., autori na shtyn në valë tjera konceptuale e teorike, për të menduar nëse u përmbysën teoritë estetike, ngaqë e ndryshon konceptin mbi të bukurën klasike, tradicionale, klasike. Kur jemi te bukuria, tashmë atë e shohim të zezë, të shëmtuar (si antipod) që i bie krejtësisht paradoksale në artikulimin e tij metaforik, estetik. Kjo pra na është metafora konceptuale që mjeshtrisht i jep formë autori ynë, mjeshtër i figurës poetike. Kjo figurë dhe ky abstraksion e fuqizon idenë e vargjeve të tij madhështore.
Autori në vazhdimësi shpreh kërkesën për ruajtjen e kujtesës kolektive për historinë, për vendin e sakrificave. Fusha është vetë Kosova, lulëkuqet bartin simbolikën e gjakut të derdhur dhe hini në këtë rast është gjurma, shenja e kohës të cilën autori nuk don ta lë në harresë:
”Në kët fushë pos ngrohtësisë që i pjekë kallijtë
Me qetësinë e ruejtun në shishe si lulen –
Asht edhe nji shpatë dhe nji kambë e therun
Që i ruen kokat e mbetuna si roje n`kufi t`mendimit,
Asht edhe nji heshtje edhe nji lule
Që na shtijnë me u përsëritë n`vetvete e kohë
Prandaj ne duhet me shku deri te ajo Lulkuqe
Jashtë gjakut me dashunue fytyrëne hinit
Gjakun me kthye prore në lule, kështu”
Pra, këtu hiri tregon gjurmën, shenjën e mbetur nga fusha e djegur, të cilën don ta ruajë si kujtesë, dëshmi, të cilës ia shton edhe përpjekjen e dëshirën për ta kthyer lulëzimin e tokës së përgjakur. Hiri si simbol, na del në disa kuptime, si dëshmi po edhe si velo e harresës:
„Çdo udhëtim kah ajo Bukuri nuk të kthen-
aty ku një kohë një kohë n`hi e mbuloi!”
pastaj Kanga e Fyelli artikulojnë këndimin për ngjarjet nëpër kohë, kuptimin për hinin, Zanafillin e dashunisë, Pranverën e zezë, e ku bukuria pëson metamorfozë:
”Mbi Kala dielli rrin princ, vetëm nga dashunija
Dhe – vetvetiu shndërrohet në fjalë e n`shëmti!
Bukurija asht shum ma e bukur kur asht në të zi-
Atbotë i shpie tana gjanat kah gjaku e ngrohtësia!”
Mbase kjo metamorfozë, apo paradoksalja brenda konceptit të bukurisë, na shtyn të kuptojmë vlerën e saj tek kur cënohet ajo nga e zeza. E në gjithë këtë perceptim poetik ai shfrytëzon mite e përralla botërore (Sizifi, Feniksi, Orfeu) për ta thënë këngën për vendin e tij. Siç e shohim tutje, ai i rikthen temat e baladave dhe legjendave tona të lashta ato për Vorret e kryshqëve, Gjergj Elez Alinë, Motrën me nandë vëllazën, si dhe Përrallën e përhimtë ose Baladën për shtatë ditë e shatë netë, duke i riaktualizuar dhe duke u vënë në shërbim të aktualitetit të subjektit të rij poetik.
1.4. Sezamet (1972)
Edhe kjo vepër përçon frymëm imagjinare të këtij poeti ku metaforën e vë në funksion të shpalosjes së historisë dhe mitologjisë, duke u dhënë vargjeve konotacione fantastike. Vepra është e strukturuar në gjashtë cikle (Shtegëtimet e Zef Serembes, Albanopoli, Nga poema që duhet ta këndojë populli, Rozafa, Fyelli apo diç mbi anatominë e fjalëve dhe Trendafilet e drynjta.
Nga cikli në cikël shohim tendencën për të rigjetur dhe riemëruar gjërat me vlerë për poetin, qoftë mitet dhe lashtësinë, apo edhe vargun e humbur, siqomos kur pretendon riaktualizimin e Zef Serembes në ciklin e parë poetik. Tek i dedikohet Serembes te Shtegtimet e Zef Serembes, studiuesi Nysret Krasniqi, konsideron që në kornizat e imagjinares ai ndërtoi poetikën e trupit apo Antropoetiken, pasi poezitë e tij paraqesin shenjime poetike si: sytë, këmbët, duart, veshët, zemra, gjuha e varri i Serembes që përbëjnë trajektoret fizike e shpërtërore të tij.Kjo qasje krejtësisht imagjinare arrin artikulimin e shqetësimit për vargjet e humbura që duhet të rigjenden , mbase përgjat shtegëtimit, tek shkumbohet deti nëpër metafora, me të cilat zgjohet pluhuri e historia e legjenda. Kështu tutje pikërisht me hyrjen dhe daljen nga legjenda, kërkon lashtësinë dhe të vërtetën tonë historike. Ndonëse pretendon daljen nga legjenda, për t`u marrë me të vërtetën, ai ka vështirësi për ta rigjetur ngase ka mungesa të mëdha te historia e shkruar., prandaj i duhet t`i kthehet legjendës si poet shtetgtar në gjurmimet përmes metaforës:
”Legjendat krijuan apo varrosën gjithaçka q`pate
t`bukur
mbetën gjurmat dhe na t`flasim n`emër t`të
gjithëve
për legjendat që mund të jenë ngapak rrenë e
bukuri
n`vend t`historisë që ka mundur t`shndërrohet
n`kronikë
….
e flasim n`emër të të gjitha mrekullive e
t`vërtetave në këngë
që mund të ngapak t`kënduara ngapak
t`lashta, Albanopol
që nëpër stuhitë e tmerrshme t`kohërave del
përsëri simbol
gjithkund gjithkah këtu e atje jemi na legjendë
e histori”
Kështu autori vazhdon kërkimin e nacionales, identitetit dhe atë e shohin nëpër sfida, skena e prapaskena, ku loja e dhunës sjell vërdallë tragjiken që shihet në skenë, dhe poeti ka brengën edhe për atë që fshihet prapa skenës, perdes së zezë, siç shohim artikulimin poetik te vargjet e poezisë Pas perdes, e cila vërtetë transmeton shqetësimin për siç thotë autori:
“Gjersa shikojmë n`skenë, a thua çka ndosh pas
perdes së zezë
mund t` therret kurbani n`loçkë të zemrës
e t`pagëzohet trëndafili i kuq n`vazën që thahet
…
e zogu mund t`bëjë vetëvrasje për hir të artit
n`fytyrë
kështu mund t`luhet jeta e pajeta tragjikomike
pas perdes”
Këtë shqetësim autori e endë nëpër rrëfime, kronika, balada e përralla ku sforcohet portretizimi i elementit etnik, i vuajtjes së tij nëpër kohë, siç shihet te cikli Nga poema që duhet ta këndojë populli, për të vazhduar më tej me ciklin Rozafa, që trajton lashtësinë, elementin e flijimit, si simbolikë e sakrificës në shërbim të qëndresës, ku përveç Guas, Kështjellës, defilojnë edhe kreshnikët, zanat si figurapërcaktuese të motivit që lidhen me kujtesen mbi trashëgiminë kulturore e historike. Cikli fillon me vargjet me titullin Kori i zanave të Bunës, vazhdon me prologun dhe tutje dhjetë pjesët e poemës, e cila mbaron me epilogun dhe vargjet përmbyllëse Refreni i korit të shqipeve. Vetë titulli i ciklit deri në përmbyllje tregon temën e madhe nacionale, si dhembje dhe dashur e përhershme e autorit.
Cikli i radhës Fyelli apo diç mbi anatominë e fjalëve, na sjell përkushtimin ndaj fjalës, vargut. Për poetin tashmë ka rëndësi kënga e kënduar mirë, e vlefshme për çdo kohë. Cikli i ka nëntë poezi që flasin për procesin e krijimit dhe simbolikën e fyellit, ku secila poezi (Këndimi i parë, Hiri, Shëmtia, Urtësia, Ndriqimi, Falenderim, Tragjikë, Fyelli, Këndimi i fundit) bart mesazhin për peshën e fjalës e të këngës që thuret për ta trimëruar kohën, për t`ia mësiar legjendën edhe barit të thatë, për ta sfiduar shëmtinë apo për të goditur ferrin e zi në këtë botë dhe tragjiken gjithashtu. Thjeshtë ai e don që kënga e tij të jetojë gjithnjë:
”Nuk ka për t`njohur më as vera ku je duke
Kaluar
Nëse nuk i lë, së paku, gishtat e tu n`kohë
….
Gjaku n`mungesë tënde e t`këngës ka për t`kënduar!”
Te cikli i fundit Trëndafilët e drunjta janë dhjetë poezi të bukura që gjithashtu lidhet me rrafshin tematik të nacionales, prandaj lumit i vinte era trëndafil si Kosovë, si bukuri. Vargjet kanë shenja etnike në vazhdimësi por edhe elemente popullore, simbolikë popullore, përrallore e herë herë edhe fantastike (Arkivoli i tij u shndërrua në lule, Fëmijët e Tanushës i nxorën sytë e vashave e i lanë, urtësia ishte shndërruar në shpatë e shpata në popull,etj). Kështu elementet midis përrallës e legjendës i vë në funksion të artikulimit të idesë së tundimit për rrisqet e ekzistencës individuale e kolektive, ku njeriu përbirohet deshi e s`deshi nëpër Kafshën e zezë:
”Në një kohë t`largët o t`afërt kish jetuar Kafsha
e Zezë
n`botë ajo Kafshë mu si kujtimi i zi për të
aq e afërt e largët nëpër kohën tonë e të fjalëve
nëpër metafora vizatova tëra xhinglat e rruzullimit
…
ajo kafshë e lashtë ulur është në skaj t` botës
ujërat i shtjerr e e shpall urinë n`botë
…
Dikur si n`përrallë n`maje t`gjuhës dolën gjelbërimet
urtësia foli: zgjoni tëra zoologjitë e anatomitë
shkollore
t`ja shënojmë emrin në kopertinat e kohës
së harruar.”
1.5. Parabola (1976)
Përmbledhja e radhës poetike Parabolla, ka një filozofi të artikulimit figurativ, me elemente imagjinare kah miti e magjia. Shprehjet simbolike dhe metaforike janë kontekstuale për rrafshin historik, kulturor të Kosovës, të cilën e quan Kosovë Kullë, Kosovë Kala dhe për ta thënë hallin e saj ai bën lojën e figurave dhe të diskursit poetik, prandaj na endë nëpër magjinë e përrallës, legjendave biblike, kurthave të historisë dhe gjurmët arkeologjike.
Vepra është e strukturuar në tetë cikle, që fillojnë me vargjet hyrëse nën titullin Fillimi i këndimit ose fundi, vargje këto të cilat lidhen me shenjat dhe figurat e ciklit të fundit të veprës Sezamet, (Trendafilet e drunjta) Musliu tregon që vazhdon ligjërimin e tij poetik prej aty ku ka filluar dhe preokupimet për vendin e tij janë konsistente:
”Po të dal i tërë nga fillimi i këngëtimit
Do t`këndojmë n`kor mbi atë mrekulli t`drunjtë
Që ka mundur ta përkryej vetëm një trëndafile
…
Atëbotë do t`shpërlahem edhe nga dita i kënduar
Derisa e baj kokën nënsjetull n`këto këngëtime.”
Mandej pasojnë me rend ciklet nën titujt: Karta e magjisë, Hiret e fjetura, Nata e Bartolomeut, Molla e Afërditës, Princesha Dardana, Parti shahu, Vazhdimi i magjisë, të cilët pëmbyllen me vargjet e titulluara Fundi i këngëtimit ose fillimi.
Cikli i parë Karta e magjisë i ka pesë poezi (Largësia në grushta, Darka e magjisë, Shigjetat parahistorike, Beteja e ngurëzuar në ballin tim, Bozhuret e përhime) të cilat transmetojnë dhembjen për fatin e vendit të tij, të vendosur në darkat që sollën tradhëti e pasoja. Karta e magjisë është metafora që bart kuptimin e letrës, vendimit të nxjerrë në situate tradhëtie e mashtrimi në kurriz të popullit shqiptar. Kështu ai vë theksin te Darka e magjisë, nga e cila thotë se „Mbeta pa ballë për hire të tradhëtisë, Mbeta pa ballë deri sa shirat ranë, dhe mbeta pa shpinë duke bredhur nëpër botë”.
Më tutje cikli Hiret e fjeturavazhdon shëtitjen figurative të poetit nëpër barin e përhimtë, pasi mungon gjelbërimi, e fusha i thotë “Mblidhi ato duar” dhe me duar të kryqëzuara i këndon gjakut të Kosovës. Pastaj hyn në fantazinë se prej gjaku është krijuar zogu që këndon në largësi apo se mund të bëhemi vitrinë që endet historia, ku dikush do të trimërohet me dhimbjen tone t`gjallë apo mund t`i lamë fytyrat që t`na përqeshin motet. Kështu poeti ecë nëpër gjurmë të historinë, duke prekuk problemin e ekzistencialitetit nacional.
Edhe me Natën e Bartolomeos poeti e bart shqetësimin e njëjtë për vuajtjen kolektive shqiptare dhe peshën e tradhëtive nëpër kohë:
”Nëpër birë të gjilpërës u përbiruam njëherë
Për t`rënë në shtratin e butë të tradhëtisë
Kokë më kokë na kënduan vdekjet e mundura
Majave të gishtrinjëve nga një fitil na gjurmon
Për të na hasur të vrarë në fund të përrallës.”
Pikërisht vdekjet, hjekat e humbjet nëpër rrjedha të historisë i trajton në vazhdimësie dhe në ciklin e radhës, Molla e Afërditës, ku nën mitin e lashtë për mollën e artë, kërkon forcë e mbijetese për popullin e stërvuajtur e të rrënuar nga tradhëtia, humbjet, nga darkat e fshehta dhe vdekjet nëpër kohë. Autori këtu dhe tutje cikleve tjera nxjerr shenjat nacionale (si shpata e Gjergj Kastriotit, Dardana, Dardani) për të thënë autoktonen, duke imagjinuar mbretërinë ilire në kohën e tij të shkrimit. Pikërisht në ciklin Princesha Dardana, ai sikur ecë në gjurmë arkeologjie dhe me fantazinë e tij e krijon pablon e ambientit dardan, të mbretërisë me ammfiteatrin e Koloseumin e lashtë nën dhe, në thellësi, ku na janë ruajtur shenjat tona, prandaj thotë autori se historia aty e dëbon veten dhe turpërohet:
”Kalorësi e tërë më shembet tash në ballë
Në zemër të robëruar më mbanë o Dardana
Këtu historia dëbon vetëveten dhe turpërohet
Ndërsa aty ku fle Daradana n`mbretërinë e vet
S`mund të hyjnë as stuhitë e kristalit t`rrejshëm
As kjo ftohtësi që po më mban ende në këmbë”
Subjekti i tij lirik ecë këtyre gjurmëve dhe don të jetë i ruajtur derisa e nxjerr në sheh mbretërinë e lashtë dhe ndjen përgjegjësinë e lartë ndaj gjetjeve të tij për t`ia kundërvënë historisë së rrejshme që na u shkrua. Në kërkimet e tij imagjinare gjen veten dhe njerëzit e tij që don t`i nxjerr në pah. Aty brenda thellësisë rri një mbretëri e tërë, një qytetërim i lashtë, banorët e rinjdhe emri i tij që e pret për kryer misionin e tij për ruajtjen dhe rimëkëmbjen e shenjave identitare:
”Para Koloseumit të hapur t`lashtësisë
Emri im rrin dhe më pret mua në mriz
O si nuk e ka shlyer kjo lashtësie lashtë”
Dhe mrekullohet tek gjen Princeshën Dardanë, ushtrinë, rojat dhe me magji përbirohen brenda Koloseumit dardan duke përjetuar kështu imagjinatën siç thotë vetë: „Për të mbretëruar në mbretërinë e lirë/…/ Që të mos e humbasim kurrën e kurrës.”
Tutje vargjet e figurat luhen si në lojë shahu (Shih ciklin Parti shahu), ku gjuha e lojës tregon taktikat, kurthat e ushtrive të mëdha në hapësirën tonë etnike, ku ne të vegjël pësojmë fatin e keq që na e shkruajnë të mëdhenjtë. Ligjërimi poetik i autorit me simbolet mitike, figurathomerike dhe shekspiriane, tregon peshën e fajit tragjik që e përjetoi qenia jonë etnike nëpër kohë:
”Në fushën e bardhë shpërndahen legjionet
Këtu ndahen mbretëritë që nuk janë më
Mësa të nisë e t`cicëron zogu i drunjtë
Derisa të hahet molla e ndaluar në tryezë
T`ngriten perënditë n`katrorë të zez
Shtrihet kjo parti shahu të mos kryhet kurrë
Mbi këtë fushë të zezë armiqësohen orditë
Dhe nuk dihet më kur fillon e s`mbaron
Beteja që e ka Trojën në shuplakë t`dorës
Mesa të zgjetohen smirat mes veti n`zhgjeta”
Ose :
”Tash si të dal në atë bardhësi të bardhë
I verbër Mbret Edip me një fener në dorë
Për ta shetitur mbretërinë që nuk është
Për hir të mbretit që qelbet n`fushë
Me kokën time nënsjetull dal n`mejdan
Mësa shpatat edrunjta betejën vazhdojnë mesveti”
Kështu me këtë poetikë, autori hyn e del nga magjia, me referenca intertekstuale dhe imagjinative, ku lashtësia e antika lidhen e komunikojnë me modernen,për të evidentuardhe ruatur shenjat e identitetit nacional. Me poezinë Fundi i këngëtimit ose fillimi, poeti e përmbyll veprën duke treguar figurativisht se:një kohë do të shfletohet nëpër këtë libër të çuditshëm/…/ Tani mund ta lirojmë tepërsinë e këngës së parë/ Të arrijmë në fund t`robërisë magjike të këngëtimit…”
1.6. Darka e magjisë (1978)
Vepra e radhës Darka e magjisë sjell preokupimin e autorit për darkat e fshehta, në të cilat është ngrënë qenia jonë, siç thotë studiuesi ynë Nysret Krasniqi[39] . Autori e nis vepren me vargjet nën titullin Hyrje në darken e magjisë, për të vazhduar tutje me ciklet: Para testamenteve, Nga libri i anatemave sipas Orfeumit (I), Fushë-Bozhur, Darka e magjisë (Kreu i Parë), Metafizika e Prishtinës (Varianti i Parë), Orfeum, Metafizika e Prishtinës (Varianti i Dytë), Darka e magjisë (Kreu i Dytë), Bozhur-Fushë, Nga libri i anatemave sipas Orfeumit (II), Pas testamenteve, të cilat i përmbyll me vargjet nën titullin Dalja nga darka e magjisë. Siç mund ta shohim emërtimin e cikleve, ai nis rrugëtimin poetik nëpër fushat e ndjeshme tematike dhe u rikthehet qëllimshëm atyre për t`i rishqyrtuar, ritrajtuar shenjat esenciale të identitetit nacional, artikuluar nëpërmjet të shtresimeve mitologjike e imagjinative brenda komunikimit poetik. Simbolet e tij barten nga vepra në vepër. Kemi parasysh shpirtin e shqetësuar dhe darken e magjisë që nga Rimat e shqetësueme, pastaj zogun, gjakun, trëndafilin, bozhuret etj. të cilat flasin për lidhjen logjike të temave e motiveve nga vepra në vepër.
Te Darka e magjisë si edhe te tjerat, autori bart shqetësimin për hjekat e vendit të tij, dhembjen, vdekjen, zinë, por edhe shpresën për forcën e rimëkëmbjes dhe ringjalljes etnike-nacionale. Duke qenë i përgjegjshëm për peshën e temave të ngritura, autori që në fillim i drejtohet lexuesit duke shpreh edhe një lloj pasigurie për fuqinë e tij artistike, shkrimin e tij:
”Nëse asgjë s`të ofroj o Shpirt i Shqetësuar
Mos hyr as në këtë libër që po të rrethon”
Në ciklin Para testamenteve autori ecën nëpër shenjat poetike, imagjinatën e tij dhe meditacionin me frymë intertekstuale, ku vargjet janë esenca e shkrimit për vetveten, autorin. Cikli nisë nga Anatema A dhe poezitë tjera ecin tutje deri te Anatema Zh, ku në mes tyre janë poezitë: Nëse kërkoni të ngjallet kjo këngë përsëri në zë, Në këtë germë do të mësosh më shumë se emrin tim, Në vend të verës gjakun e kemi pirë në kupë, Nëse mund të dalësh edhe nga ky udhëtim, Le të mbetet edhe ky Libër sëmundje në botë, me të cilat ai shpërfaq intencën personale, identitetin e tij prej krijuesi. Ai sikur flet me pasardhësit e vet për veten dhe shkrimet që i len pas, të vetmen pasuri. Ato i donte të ishin hyjnore, të vlefshme brez pas brezi:
”Asgjë hyjnore që të përsërit nuk të lashë
Në këtë lëmë ku sillen kuajt e rruzullit
Çdo gjë do të mësosh vetë bir i birit tim
As babai as Biri as Shpirti i Shenjtë
S`të lanë gjë më të madhe se ajo që ke
Tash më shelbo edhe me një kokë bekimi
Nëpër njëmijë e treqind zjarre u farkëtova
Asgjë më të madhe se këtë s`të lashë bir biri”
Më tej u thotë pasardhësve se nëse duan ta ringjallin këngën duhet të hapin gastaren e ngujuara në zemër, ta ndriçojnë vdekjen e tij të kuqe të zezë në sofër me qiri të gjallë, apo të shfletojë edhe këtë libër që ligjëron shenjtërisht mbi gjithçka në shuplakë… Ky refleksion poetik, plot imagjinatë fantastike, sjell konotacione të ligjërimit empirik, thjesht përvojën e poetit, prandaj vargjet vijnë të errëta, flasin për vdekjet, mumiet e zeza, misterin që e ndjek, aventurat metafizike, dhimbjen e përhimtë, sëmundjen e përjetshme që njëjtësohet me librin e tij.
Në ciklin e radhës Nga Libri i Anatemave sipas Orfeumit (I), Poeti sjell vazhdimësinë e relacioneve intertekstuale me poezinë moderne bodleriane, me mitikën ku simboli antik i këngëtarit dhe dashurisë, Orfeo merret në dimension hapësinor të quajtur Orfeum, për të shtrirë këndimin e tij siç thotë Nysret Krasniqi në hapësirën e transcendencave të tij poetike –filozofike në kohë mitike, antike, historike e nacionale. Kështu brenda këtij rrafshi ai kërkon dhe ëndërron ta vë rendin e harmonisë, të paqes e butësisë, larg dhunës, vrazhdësisë e dhembjeve:
”Lulen mos e ndërro kurrë
Të lut pluhuri yjesor
Lëre në vendin e vet
Se aroma ia kthen ngjyrën
Me pak butësi që s`e kishte
Por e kishte Lule…
Vetëm pas hijes së këngëtarit
Që u ther prore në mua
Nga të prekurit e shpëtuar
Midis Darkës së Magjisë”
Shihet në vazhdimësi shqetësimi i tij për tradhëtinë e pësuar nga Darka e magjisë dhe ky shqetësim që barten nga vargu në varg edhe përgjat ciklit të anantemave, dhe me vargje don ta rregulloj vendin e tij:
”Pak pa rënë në shfaqjen e tretë
Që e hapi Orfeumi në mesditë
Tash shih
Kori i mesditës po afrohet
Martir u shpall në një kohë
Edhe ai që e shndërroi gurin
Në një trëndafil të vetëm.”
Tutje vepra vazhdon me ciklin Fushë-Bozhur dhe njësoj si në ciklin paraprak niset me Anatemën A dhe përfundon me Anatemën Zh. Dhjetë poezitë bredna tyre janë: Për të gjitha gjërat e tjera që janë, Gjithçka u zu këtu deri sa ishte në fushë, Kush humbi betejën kokën mban në dorë, Një i urtë në shtegtimet e veta nëpër botë, Rend mund të këndohet e të vajtohet, me një ushtë të ndiqet bota përsëri, Po rrënohet kjo fushë në mua apo unë në të, Mbretëri të tëra dergjen në mes të Fushës, Gishtat më dhembin për shiun që s`ka rënë, Bozhuret mbyllin diellin në grushta) . Nga A deri në Zh, vargjet lidhen me figurën Lulëkuqet e gjakutdhe fushën e betejave, me interpretim simbolist për luftrat, vrasjet, rëniet dhe ringjalljet nëpër kohë.
Cikli Darka e magjisë (Kreu i parë), sjell në vazhdimësi preokupimin për mashrimin e tradhëtinë e magjisë së darkave të gabuara, prej nga vendii i shpëtojnë nga duart, gjishtërinjtëgjërat me vlerë. Nën velon mitike e përrallore rrëfehet për dëmet e pësuara:
”Nga gishtat e duarve jua këputën robërinë
Urtësitë jua gropuan nëpër rrathët e ballit
Ju zbritën në fushë të krijoni qiellin e ri
…
Tokën e futët nën sqetulla nga balta praruar
…
S`ditët aq shumë për botën e gjerë Vallë
Atë e gjetët ndër zemra mbërthyer me magji
…
Bozhurin e shndërruat vetëm në një shuplakë
Që të barazoheni me veten në plafin yjesor.”
Varg pas vargu, autori i kthehet qytetit të Prishtinës, me ciklin Metafizika e Prishtinës, ku përveç Anatemës A i sjell tri imazhe (Imazhi i Parë, Imazhi i dytë dhe Imazhi i Tretë) në të cilat mediton për pamjen e Prishtinës, për ta krijuar imazhin e ri në variantin tjetër: Metafizika e Prishtinës (Varianti i Dytë), siç do të donte ta shihte, prandaj hidhet në filozofinë e tij plot imagjinatë e fantazi, për ta prishur magjinë e për të rikthyer gjithçka që i takonte Prishtinës:
”Të gjitha magjitë që i zbuluam na u zgjidhën
Duke na e fshehur nën shpatulla diellin Rob
Tash këmbëzbathur mund të zbresim në Fushë”
Cikli Orfeum, para Metafizikës (Variantit të Dytë) është në mes të dy cikleve të metafizikave të Prishtinës, ai përshkruan hapësirën tonë, me shenjat tona, hallet dhe vuajtjet nëpër kohë.
Prej këtij cikli e tutje siç kemi thënë, autori u rikthehet lajtmotiveve dhe figurave të njëjta, por si pjesë të dytë: Darka e magjisë (Kreu i dytë), Bozhur-Fushë, Nga libri i anatemave sipas orfeumit (II), Pas testamenteve dhe Dalja nga Darka e magjisë. Nga cikli në cikël trajton temat e mëdha për Kosovën e betejave, Kosovën e dëmtuarnga Drakat e kokave:
“ Këngëtarët kremtojnë një natë ndër bozhure
Në Darken e Kokave që shtroi Magjia e Zezë
…
Këngëtarët kremtojnë një natë ndër bozhure
Pas Darkës së magjisë që na gjeti pa emra
Metafora Darka e Kokave s`është tjetër pos takimi i krerëve që i dhanë vulë mashtrimi e tradhëtie këtij vendi. Në gjithë veprën hetohet këndimi dhe rrëfimi për rrugën e kaluar dhe simbolika e vargjeve flet gjithë kohën për ndjesinë e subjektit lirik ndaj rrethanave nacionale, ndonëse gjuhën e rrëfimit autori po e quan gjuhë memece:
”Kjo germë mund të mos këndohet deri në fund
Fusha i kupton udhëtarët që e rrethojnë
Gjuhët pikojnë zjarr të bozhureve që dhembin
Si plagë të cilat blerohen tash në dashuri
Kokat mund t`i ruajmë nga këngëtimet e pastajshme
…
Të gjitha gjërat do të këndohen përsëri më vete
Edhe kjo germë që shkrihet në gjuhë memece
Për hir të udhëtimit këndohet Këtu.”
Këto vargje edhe e portretizojnë diskursin poetik të autorit, konkretisht shihet prirja hermetike e shpërfaqur me gjuhën e sforcuar simbolike, me elemente mitike e imagjinative deri në fantazi. Ai i këndon të kaluares, kohës së tij dhe të ardhmes, duke pretenduar ruajtjen e kujteses kolektive, dëshmisë mbi rrjedhat nëpër kohë, si dhe artikulimin e vizionit për të ardhmen, për të sfiduar magjitë e darkave të fshehta. Këto janë thërrjet e vazhdueshme të poetit, ndonëse vargjet me fuqinë polisemantike të hedhin në valët jotransparete e plot fantazi që refketohet nga gjuha poetike e këtij autori.
Në përfundim të veprës, nën titullin Dalja nga Darka e Magjisë, autori si edhe në fillim, i drejtohet lexuesit me dëshirën që me vargjet e tij t`ia ketë arritur qëllimit për ta thurrë këngën e duhur për vendin e tij:
“Nëse asgjë s`të ofrova o Shpirt i Shqetësuar
Atëherë kot të paska lidhur edhe kjo urtësi
Merre këtë germë e më mbulo brenda germave
Ajo që u mbeti këngëve tash është në këtë kor
Duke u pastruar me verën që gatiti këtë udhëtim
I ndan mendimet si retë e shprishura të fjalës”[50]
Përfundim
Siç i pamë veprat me rend që nga Rima të shqetësueme deri te Darka e magjisë ne shijuam vargun e këtij autori, lojën e fjalëve e figurave deri në abstarksion të shprehjes e metamorfozë të simboleve. Fuqia semantike e vargjeve dhe e ideve të tij letrare janë vetë mrekullia artistike që e ndjej secili lexues. Brezi i tij i poetëve gati se identifikohen me frymën e tij, stilin e tij prej krijuesi, prandaj edhe mund ta konsiderojmë ikonë brenda poezisë shqipe.
Ai la gjurmë të pashlyeshme në letërsinë bashkëkohore shqipe, me artikulimin briliant të
fatit të vendit tonë, bashkë me shtresimet e të zezave që iu bënë barrë qenies shqiptare e që pena e tij mund të lëronte dhembjen, mërzinë, vuajtjen shpirtërore si gjurmë e dëshmi nëpër kohë. Vepra e tij mund të trajtohet edhe më tutje nga perspektiva të ndryshme diskursive, tematike, figurative e pse jo edhe metrike.
***************************
INDIVIDUALITETI LETRAR I BEQIR MUSLIUT
Nehas Sopaj
(Fragment nga studimi “Individualitete Letrare”)
Beqir Musliun e kam njohur shumë herët, që në vitet e adoleshencës sime (1971 e këndej), por nuk kam pasur fatin të jem afër tij, sado që miqësinë autori ma kish ofruar që atëherë, dhe siç edhe zakonisht ndodh, leximi “për karshi” nganjëherë është më i dashur. Të gjithë ata që e kanë njohur Beqir Musliun, e dinë se ai në hartimet letrare, ishte “i shumtë“, shkruante poezi të gjata, proza e drama “të çuditme”, ndaj nga periodiku dhe botimet e atëherë¬shme, krijimet e tij ishin ndër më të “vështirat”, ndër “më të mëdhatë“ që botoheshin, dhe ata lexues që dëshironin t’i kuptonin, dety¬roheshin t’i mësonin mirë rregullat e teorisë së letërsisë dhe të estetikës, duhej të mbatheshin mirë e mirë me gno¬seologji, erudicion dhe ontologji, të ishin në korrent me kohën (historike dhe estetike), përndry¬she kthehe¬shin pa kuptuar gjë nga ajo që lexonin.
Beqir Musliu, krijuesi i cili m’i kish hapur dyert e letërsisë mua personalisht, mu kur po “çelej”, “rritej” dhe bëhej “i madh”, shpejt m’u bë “i huaj” pikërisht për shkak të mënyrës së tij të shkrimit dhe “frikësimeve” të kritikucëve të kohës! Fillimet letrare të autorit, më vonë bëri që unë, më se një dekadë, “të largohem” nga ai dhe të mos e lexoja autorin, të “mërgohem” nga rrjedhat e tij letrare për një kohë, duke iu rikthyer vetëm në vitet e pjekurimit të shkrim¬tarit, pra pas “plandosjeve” të mia jetësore në kohën kur shkrimtari ynë kish botuar veprat e tij më të mira letrare. Prandaj them se unë nuk dalloj fare nga shumica e lexuesve/krijuesve të tjerë, të cilët “e kishin “braktisur” dhe nuk e lexonin më autorin, kështu që vetëm kah vitet e fundit (prej vitit 1983), te unë u ndez ndjenja e moçme që ta lexoja autorin, ta lexoja dhe rilexoja dhe t’i kthehesha “grishjes” miqësore të tij nga viti 1971, letërsisë së tij. Më shumë se një dekadë, vepra e shkrimtarit ishte “trashur”, ishte bërë e madhe, kaq sa ishte shumë vështirë të “çelej” dhe “qepej” para syve të mi magjia e dikurshme e leximit. Grishja e vjetër që një vepër letrare ta lexoja me ëndje, pa “bacilet” e teorive, dogmave dhe hijeve të “diktatit” soc-realist, të ngu¬litur pavetëdijshëm në sub-koshiencën time, tani magjia e shkrimit të shkrimtarit vetë po më shkarkohej nga mendja.
Hiq lexuesit e këqinj të veprës së këtij shkrimtari të madh, hileqarët e ziliqarët, si dhe lexuesit që letërsisë mund t’i hyjnë edhe sot me teza të ngritura prej përpara me atë që prej letërsisë ta kërkojnë atë që arti letrar nuk mund ta ketë, vërtetë janë shumë të paktë lexuesit e B. Musliut (qofshin ata edhe “miqtë“ e tij më të ngushtë, prandaj shkrimtarët që sot mund të jenë eminenca e kohës), të cilët e kanë lexuar komplet këtë shkrimtar. E them me përgjegjësi se vërtetë janë fare të paktë ata lexues të cilët e kanë lexuar B. Musliun fillim e fund. Krejt kjo, për shkak të mënyrës së shkrimit të shkrimtarit! Ata mund të thonë se e kanë lexuar, por nuk e kanë lexuar, sepse po ta kishin lexuar, po ta kishin lexuar p.sh. romanin Amullia apo dramat, nuk do të bënin aso gafesh të tipit: “Beqir Musliu ishte poet dhe mbeti vetëm poet”, në ndërkohë që autori ka dhënë prova se ai lëre që nuk është vetëm poet, por prozator dhe dramaturg me po të njëjtat vlera që mund të qëndrojë në kulm të tri gjinive letrare për të cilën kritika letrare akoma s’di se kjo është e vërtetë. Krejt kjo, sepse vërtetë të rrallë janë lexuesit, prandaj edhe të interpretuesit, të kësaj vepre në tërësi të këtij shkrimtarit!
Vepra letrare e Beqir Musliut duhet parë në dritën e një evoluimi të gjatë krijues në të cilën autori bëri shembullin e një lëruesi vetëmohues e të palodhshëm të letërsisë, duke lënë amanet mija faqe shkrimesh të ndryshme letrare. Ajo shtrihet në tërësinë e saj, duke u dalluar nga të gjithë krijuesit e tjerë dhe kap tri gjinitë kryesore – poezi, prozë dhe dramë, të cilat autori i kishte kultivuar paralelisht, me një intensitet dhe dinamikë pothuaj të njëjtë, në tërë shekullin e tij krijues. Prandaj, për ta njohur veprën e krijuesit dhe sidomos veçantinë e tij, për t’i parë tiparet artistike, dhe siç do ta thoshim ne, për ta mikrofilmuar “grimasën” e tij intime, duhet parë esencialitetin letrar nga fillet e para krijuese në të cilat ai shquhej me një indivi¬dualitet shumë të veçantë nga të gjithë shkrimtarët tanë të tjerë bashkëkohorë. Duke u nisur nga ky aspekt, prandaj unë më poshtë do të përpiqem të jap një kontribut modest për ndriçimin e disa aspekteve të fenomenit letrar të shkrim¬tarit, duke u munduar t’i zbardh disa aspek¬te të shkrimit, të cilat, ma merr mendja mua, e ardhmja do t’i dëshmojë si shumë thelbësore nga vepra e tij, që është kulm i eksperi¬montuesit, modeluesit nga më të guximshmit dhe më të sukses¬shmit që ka pasur ndonjëherë letërsia shqiptare në përgjithësi. Duke qenë mjeshtër që bëri sprova më shumë se të gjithë të tjerët në fushë të letërsisë, ai me durim dhe guxim shumë të madh punoi, eksperimentoi dhe dha vepra shumë të rëndësishme të letërsisë shqipe, që me vite rrinë akoma të pastudiuara nga kritika jonë letrare. Duke qenë krijues që arriti jo vetëm të trasojë tema dhe motive të ndryshme, por edhe t’i kurorëzojë ato brenda një vepre të madhe, me stil dhe shprehje autonome, ai paraqet një nga kulmet e rralla estetike në të cilën vigjilon një madhështi letrare ku e bukura dhe e shëmtuara trajtohen me të njëjtin seriozitet, me një shkrim nga më të çuditshmit te i cili vlon një zjarr prometeik krijues nga më të paepurit në tërë letërsinë e sotme shqipe. Duke çmuar se kritika shqipe i ka shumë borxh këtij krijuesi, jam i sigurtë se një ditë do të vijnë studiues të cilët do ta ndriçojnë këtë vepër monumentale që na qëndron e pastudiuar nga fillimi, në mënyrë që ta shohim të sistemuar, të interpretuar dhe të prezantuar si duhet, me një fjalë, ajo të bëhet e kapshme për vlerat që kanë brenda. Duke e parë numrin tematik të revistës Jetës e Re të vitit 1997 që i kushtohet autorit me rastin e vdekjes së tij, ku janë mbledhur pothuaj të gjitha shkrimet rreth veprës letrare të autorit për kohën kur qe botuar, fitohet përshtypja se autori ynë në letrat shqipe, kryesisht kish qenë vetëm poet, edhe pse, siç dihet, autori gjatë tërë jetës, krahas poezisë, krijoi të gjitha gjinitë dhe zhanret letra¬re,aprozë (tregime, romane), dramë, por edhe kritikë letrare, publicistikë etj. Jo vetëm nga ky botim ku janë përmbledhë pothuaj të gjitha shkrimet për autorin dhe veprën e tij, por edhe më gjerë, brenda dyzet vjetëve e sa, në opinionin publik shqiptar në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, vazhdon të dominojë mendimi se autori ynë kryesisht kish qenë poet, dhe vetëm pastaj edhe prozator, dramaturg e kështu me radhë. Është e vërtetë se B. Musliu për nga natyra ishte poet, madje duke i analizuar poezitë dhe krijimet në prozë dhe dramë të cilat kanë tharmin e poezisë, fitohet përshtypja se vokacioni i parë i shkrimtarit ishte thjesht poezia (shih deklarimet e T. Dërvishit, S. Hamitit etj.), por ç’bëjmë se prozat dhe dramat e autorit, atij ia kanë marrë shumë më tepër kohën e krijimtarisë se sa poezia, dhe se rëndësia dhe pesha e këtyre dy gjinive nuk rrinë fare prapa poezisë, kështu që botëkup¬timi ynë për veprën e tij letrare, përveç se në “paushall”, edhe “fizikisht” mund të ndryshojë. Duhet të themi se brenda kësaj kohe, (pra pas vitit 1997), gjithsesi të pafavorshme për shkak të luftërave dhe thyerjeve të mëdha që ndo¬dhën dhe që ndër¬prenë zhvillimin shkencor albanologjik te ne, krahas disa studi¬meve dhe qasjeve kritike rreth prozës dhe dramës, për kënaqësi të opinionit tonë, krejt papritur u botuan disa studime dhe qasje kritike shumë serioze ndër më kompetentet që janë shkruar ndonjëherë për autorin dhe veprën e tij, siç janë janë studimet e R. Musliut, N. Islamit, J. Papa¬gjonit, I. Stafës etj., që hapin gamën e interesimit të ri për B. Musliun, i cili ndryshon dukshëm në gjykimet e mëparë për autorin dhe krijimtarinë e tij. A flet kjo se po nis, nga fillimi, epoka e studimeve për autorin? A do të thotë kjo se po nis interesimi i opinionit për veprën e tij? Këtë mbetet ta dëshmojë e ardhmja. Në këtë drejtim, edhe ky kontribut imi modest. Mendoj se problemi i parë që shtron sot vepra letrare e B. Musliut, është mosleximi i saj jo vetëm nga lexuesit e thjeshtë, por edhe nga vetë kritika letrare. Marr guximin të them se shumë pak janë lexuesit që e kanë lexuar dhe lexojnë B. Musliun, madje edhe lexuesit e shkolluar, kritikët, por edhe vetë shkrimtarët. Këtë e konstatoj, sepse nuk ka asnjë studim të plotë për veprën e autorit, qoftë ajo edhe pa ambicie shkencore, një studim rrumbullakësues që do të tregonte iti¬nerarin e përgjithshëm letrar të autorit para lexuesve . Nuk u paraqit asnjë kritik letrar që do t’ia bënte një vlerësim të tërësishëm kësaj vepre, krijuesit par exelence, ndonjë studiues i cili do t’i “ulej” leximit në tërësi veprës së këtij krijuesi, leximit që do të ishte hapi i parë për të filluar njohja e krijuesit në dimensionin e tij të drejtë, gjë që do ta grishte lexuesin për mënyrën e shkrimit të tij të veçantë, shumë herë të diskutueshëm në “kallaballëk”, kur është në pyetje sidmos ky krijues dhe vepra e tij, por edhe “shkolla” e tij. Është shumë e qartë pse kritika profesionale i bishtëron inter¬pretimit të veprës letrare të autorit, sepse ajo është shumë e gjerë – poezi, prozë e dramë, që është një ndër më të mëdhatë në produksionin tonë letrar në përgjithësi. Ajo është shkruar me një gjuhë dhe stil shumë të lartë, që me automatizëm presupozon një punë të madhe për njohjen e kodeve të veçanta të shkrimit të autorit, që d.m.th. se kjo kërkon një mbathje teorike bukur të lartë për t’i njohur drejt mesazhet dhe vlerat e vërteta estetike që kanë, ndaj duket se kritika sikur i “frikësohet” interpretimit të vërtetë veprës letrare të autorit, sikur “i trembet” dekodimit të këtij krijuesi, i cili ishte deshifrues duke shifruar , ishte dhe është një autor që patjetër duhet të interpretohet, në mënyrë që të kuptohet drejt në mënyrë që vepra e tij letrare të komu¬nikojë lirshëm me lexuesit. Lirshëm, sepse për t’u kuptuar kjo patjetër duhet kulturë, gnoseologji, erudicion dhe ontologji, estetikë dhe filozofi, informata dhe dokumen¬taritet nga të gjitha kohët dhe epokat, një mbathje maksimale teorike, përafër¬sisht adapte me karakteristikat që ka vepra brenda, në mënyrë që lexueshmëria e autorit të “kapet” plotësisht, diçka të cilën nuk e ka bërë askush gjer tani. Me botimin e veprave letrare të fundit që bëri ShB Faik Konica në shtatë vëllime , duket sikur po vjen epoka kur vepra e Beqir Musliut do t’i nxisë studiuesit të fillojnë ta lexojnë dhe njohin atë si një ndër shkrimtarët më pak të lexuar dhe të cilin kanë dashur ta njohin, por s’e kanë njohur. Fitohet përshtypja sikur po vjen koha kur do të fillojë të lexohen, vlerësohen dhe ndriçohen aspektet teorike-letrare që ngërthen kjo vepër, në mënyrë që ajo që quhet etos i përgjithshëm i këtij artisti, të njihet, të vlerësohet pa hiperbolizime, dhe të çmohet nga kritika dhe opinioni i përgjithshëm letrar dhe shke¬ncor. Por, problem është si të dekodohet kjo vepër letrare e mjeshtrit të madh të letërsisë, Magut Beqir Musliu, siç kanë qejf ta quajnë shokët e tij, ndër më të ndërlikuarat që kanë ngritur kodet letrare autori, si të zbardhen, të afrohen kah lexuesit që ta “prekin” shpirtin e tyre, në mënyrë që “kapacitetet” teorike dhe “tensionet” e trasuara, siç janë poezitë e tij të pastra, romani i përroit të ndërgjegjes dhe në fund, antidramat ose dramat e absurdit, që synojnë të jenë etaloni i përba¬shkët teorik i tri gjinive letrare të veçanta të shkrimtarit, të kuptohen, të ndriçohen dhe të bëhen të kapshme nga të gjithë. Të gjitha ato aspekte letrare që duken të rënda për “zbërthim” (një fjalë e preferuar e autorit për shprishjen e lules), duhen zbardhur në mënyrë që të mos jenë të rënda, t’i thyejnë “fortesat” e tyre hermetike duke u bërë të receptueshme për lexuesit.
Esencialiteti i poezisë, sferat e “errëta” të romaneve dhe të dramave, autorin e dëshmojnë fshehës të qëllimshëm të kodeve të shkrimit, kurthe për lexuesit që ta sprovojnë kulturën e tyre ontolo¬gjike dhe sensin e tyre për artin poetik, në mënyrë që të gjurmojë mesazhet artistike që mban “në dry” autori, po i cili është kaq transparent në fshehje, i kapshëm në moskapje, fluid në zërimin që thekshëm flet për të vërtetën absolute, i “pamundshëm” e i “paka¬pshëm” në gjuhën që mbërthen të gjitha fijet e fshehta dhe të thella mendimet, të cilat nganjëherë shkasin në groteskë, po kaq është edhe i fshehtë, mistik dhe i thellë sa vetë e vërteta absolute, e cila është kaq enigmatike si edhe vetë shpirti njerëzor në përgjithësi. Nuk është për çudi që një ditë ato vlera që ka vepra e autorit, të bëhen të recep¬tueshme, të kapshme dhe të prekshme nga lexuesit e thjeshtë; mendja e njeriut përherë përsoset, fshehtësitë gjithmonë vrapojnë të bëhen tran¬sparente. Thyerja e tabuve, klisheve dhe trasave të ndryshme që krijon/ndryn zhanri, lloji a gjinia letrare, janë fara enigmatike që duhen çenigmizuar, misteret e fjalës artistike duhen bërë dritë për çdo lexues/recepient, eliksiret duhen hapur ose kuptuar si të këtilla, për çka flasin hartimet unikale të autorit tonë.
Tituj të veprave
Poezi
„Rima të shqetësuara“ („Jeta e re“, Prishtinë, 1965)
„Lulëkuqet e gjakut“ („Rilindja“, Prishtinë, 1966)
„Skënderbeu ose shqiponja e maleve“ – kurorë sonetesh („Jeta e re“, Prishtinë, 1968)
„Bukuria e zezë“ („Rilindja“, Prishtinë, 1968)
„Sezamet“ („Rilindja“, Prishtinë, 1972)
„Parabola“ („Rilindja“, Prishtinë, 1976)
„Darka e magjisë“ („Rilindja“, Prishtinë, 1978)
Metafizika e Sfidimit
Mandragora
Klepsidra e Magjisë
Martirium
Magna Karta
Ekzodus
Kodeksi i Argasit
Prozë
„Vegullia“ – roman („Rilindja“, Prishtinë, 1979)
„Mbledhësit e purpurit“ – roman („Rilindja“, Prishtinë, 1982)
„Kori i gjelave të vdekur“ – tregime („Dukagjini“, Pejë, 2002)
„Makthi“ – roman („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
„Amullia“ – roman („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
„Krupa“ – roman („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
„Skërluta“ – roman („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
„Ndeshtrasha“ – roman („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
„Skënderbeu“ – poemë („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
„Orfeiana“ – Shtatë Libra Anatema – („Faik Konica“, Prishtinë, 2004)
Dramë
„Shtrigani i Gjel-Hanit“ – libër-teatër, tetralogji („Rilindja“, Prishtinë, 1989):
Unë Halil Garria
Faustiana
Ora e Kukuvajkës
Panari i Gjilanit
„Rrakullima“ II– teatër-libër, tetraptik („Flaka e vëllazërimit“, Shkup, 1990):
Murana
Kori i Korbave
Familja e Shenjtë
Antifona
MBASLOJA E PRIZRENIT
Unë jam në Prizren edhe kur s’jam në të
Ti më merr dhe m’i zhvesh rrobat The Të jesh
I pastër ma rregullon grimin dhe krejt atë
Që shkon me të Prizreni më mbeti matanë Them
Më kthejnë sërish aty ku isha Prizren Unë
Jam Ai Që (S) Jam Kur Jam Prizreni Imzot
Nga dora ime krijuan një statujë antike
Më lanë në Muzeum që e pushtonte qetësia Thanë
Këtu çdo gjë që (s) ishte Lojë vazhdon të jetë
Si diçka që shekujt e sfiduan nëpërmjet teje
Zbrit më poshtë Ja Ku Jam Në Prizren
Aty më ke edhe mua A nuk të thashë se unë jam Ai
Që (S) Jam Mund të më ngatërrosh me engjëllin tënd
Tekanjoz që shëtit në vend teje nëpër muret
E qetësisë Kërkon një afreskë që të gjason ty
Të mund të të shenjtërojë në mënyrën e vet
Vishni rrobat e mia të vjetëruara Dua ta shijoj
Bukurinë ashtu siç është Loja mbaroi
Edhe për një milienum të heshtjes Ajo që po
Ndodhë këtu është vetëm një variant i saj
Që njëherë ka ndodhur Ç’ u bë Prizreni
Ai është në mua Thashë Prizreni
( Prizren, 11 janar 1986)
SYTË E ZEF SEREMBES
(triptik poetik)
(VDEKJA E POETIT)
Me lulekuqet e Kosovës do të dal o shumë më i ri
A është kjo dëshirë edhe kur zogu fluturon
Në qiell edhe kur lulja në dimër nis frymon
Verën e vet e unë në gjak kala do të ngre përsëri
Në pikëllim s’kemi ditur t’i vizatojmë brigjet e detit
Por deri në dekje të këngës është edhe një dëshirë
Për t’u kthyer në epokën e gurit të fortë martirë
Që të kuptoet ajo verë e lules dhe Vdekja e Poetit
E tash si ta shëroj prej fjalëve gjakun tim
Që po ndizem i tëri kur jam në të parin varg
Që s’po mund të më kthejë as deri te emri im
Prej gjakut më duhet të udhëtoj edhe më larg
Ta vizitoj verën e humbur nëpër këto zbrazëti
Prej kohës të ndaj për vete një kohë e histori
(SYTË E ZEF SEREMBES)
Shikojnë apo shikohen në një pikë nëpër natë e errësirë
Zgjohet pluhur e historia e legjenda nëpër këto metafora
Mbas mbeten gërmadhat varret emrat e pluhuri në muzé
Koha ruan urtësinë mendimin e shpata shekullin e verdhë
Këmbët udhëtimin që filloi në zanafillë të botës
Horizontet mbeten vetëm e udhët shndërrohen në Oqean
Mbi natën që të gjithë e kanë në lëkurë sytë e trillojnë
Shikimin për atë Pikë ku çelën edhe në dyll e në hi
Vallë, a e vërteta mbeti të luhatet në luhajën e vjetëruar
Nëse s’e kapërdinë aventurat me një hurbë atë valë të kuqe
Gjithçkah e ndanë deti mbeten zgavrat e zbrazëta për varkën
Për të depërtuar matanë natës që është edhe pafundësi
Gjithçka mbete e afërt në sytë që Pikën e Shndërrojnë në Arbëri
(VARRI I ZEF SEREMBES)
Nata përsëri kërkon shtegtarë të rinj të fortë
Se në pjesën tjetër të natës bishat pinë gjak
Matanë vdekjes e dashura këndon në kroin më të bukur
Ende zgjasin ëndrrat e Polifemëve dhe Bajlozëve
Përkundër muzave që me flijime e gdhijnë këtë natë
Zemra qëndron mbi të gjitha simbolet madhështore simbol
Kjo natë përsëri kërkon shtegtarë të rinj të fortë
Që do ta përbironin flakën nëpër gishta
Pra, më kot bie shi kur zjarret mbeten të ndezura
Kalorësit e çalë nëpër planet kërkojnë vend të lirë
Në atdheun e lulkuqeve duke ëndërruar një shtegtar
Varri mbeti të shikojë vetëm atë pikë drithëruese kah qielli
A do të më njohë mua së paku në metaforë Arbëria
NATA E BARTOLOMEUT
Duhet të kalojnë mbi trupat tanë
që të mund të arrijnë atje ku je ti
Jeronim De Rada
Tokë të stuhive që lozin me zjarr e rrufe e quajtën
Thamë Bukën e shkollojmë dhe orën e gjakut
Varret i stolisën me duart tona të mbetura udhë
Merrni nga një pasqyrë dhe shikoni mrekullinë
Shiu ra e pasqyrat u shndërruan në ujë që rrjedh
Luftëtari zbuloi një lis të madh shumëdegësh
Tha Do të ngjitem deri nën zbrazje të rrufeve në qiell
Fusha iu rriti bozhuren deri në lule të ballit
Kulla mbeti zbrazët por në fshehtësi çeli zogj
Të gjithë folën gjuhën e tokës që është nën ne
Kush zbriti shkallëve të ferrit të shtatë në tokë
Mund të qëndrojë edhe në të tetin dhe të nëntin
Treguan me gisht për muranat që rrinë në lëndinë
Thamë Bukën e shkollojmë dhe erën e gjakut
METAFIZIKA E PRISHTINËS
Ky qytet shtrihet në ëndërr si të ish
I vërtetë e në Gazi-Mestan humbi qetësia
Anatema A
Është trilluar edhe një udhëtim në shuplakë
Në maje të gjuhës na ka zbritur bukuri
Prapa na kanë ndjekur një mijë e një mrekulli
Asgjë s’mund të marrësh më tepër se ç’ke
Edhe një farë të është mbjellë ndër grushta
Deri në vere balsamin e mban nën sqetulla
Nëpër këtë portë u përbiruan edhe engjujt
Që i shpikëm në hyrje për të na ruajtur O
Nga trëndafilat që i kemi në gjuhë e na flasin
Edhe mbi të gjitha magjitë që na dëbuan
Është trilluar një udhëtim i ri në shuplakë.
NOKTRUNO. KTHIMI I MARATHONOMAKUT
Kush e përmendi Marathonomakun. Ai vërtet u kthye
Pa një dorë. Unë ia fal një këmbë që të mund të eci
Por imzot ai në ngarendje harroi edhe këmbën tjetër
Ç’të bëjmë? Mund ta ndjekim edhe ne, për aq sa ai
Të arrijë në atë vend të lashtë prej nga edhe doli
Pastaj të kthehet në vete dhe në ne po aq i panjohur
Për udhëtimin që na krijoi ne shumë më të mëdhenj
Jo vetëm se ai, por edhe se vetë udhëtimi
Unë i kam zgjatur duart kah gjëra të njohura
Kah ajo bukuri që më lindi edhe mua në rrugë vetiu
Ç’tha Homeri plak për atë që ndodhi pastaj vallë
Asgjë – Pastaj u krijua edhe Ai Marathonomaku
Ndër sheshe të blerta përmendorja e tij flet vetë
Edhe për mungesën tonë në fletët e grisura të historisë
Që hëngër vetveten derisa s’na kishte ne të tillë
Siç dhe i shkelëm në kërthizën e zgjebosur
Nga epshet tona të mbyllura ndër shtyllat e gjakut
Lindi gruaja që do t’i krijonte pastaj fëmijët tanë
T’i shohin fjalët e historisë që s’na tupëroi
Globin e shndërrojnë në një top llastiku imzot
Dhe e sjellin ndër pole si diçka të pavlerë
E thonë: Hajt, po qe se mund ta zini kohën
Dhe atë lulëzim të lulekuqes në atë shishe të mbyllur
Shihni si është kthyer kah fytyrat që e njohën
Dy mijë vera më parë. Ashtu i shndërruar në purpur
Kumbonaret e qytetit të botës rrahën në mesditë
Thonë ata. Si janë ngulur të gjithë në shtiza si Issai
Në Golgothë. Dilni të gjithë nga shtëpitë tuaja
E dashuroni thellë dashurinë o deri në gjak
Një sihariq të vogël Atij Marathonomaku
Që njerëzve do t’ua dhurojë unazat e Ademit e të Havës
Për t’i krijuar edhe një herë nga epshet e ndaluara
Për ta mbyllur prapë djallin në gastaren e qelqtë
E unë i fala edhe këmbën tjetër atij Marathonomaku
Ai shpalli nokturnin në botë e Unë mbeta pa këmbë
Ç’të bëj këtu mes këtij lulëzimi që s’po më njeh
Dhe asaj që ëndërrova dy mijë vjet më parë
Kështu si njollë e shenjtëruar në midis të majës
Që e krijoi pikëllimi im edhe tri pëllëmbë mbi mua
Të eci edhe për një hap më tej historisë
Që s’u trupërua nga unë edhe pse Ai Marathonomaku
U kthye për t’i marrë të gjitha ato gjëra
Që njëherë i la këtu. Shkoi të mundë vetëm vetveten
U kthye duarthatë të lotojë së bashku me mua
Për atë që e pata dhe tash më është kthyer në harresë
MBRETËRIA E RRËNUAR E KOSOVËS
Zemra kemi mundur t’i nxjerrim në secilin trëndafil
Derisa bozhuret të ligjërojnë mbi atë mbretëri
Që është rrënuar deri në gurin e fundit të themelit
Përse nuk arritën ka krijojnë as pamjen e mykur
Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë
As beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata
Zllapohet tash gjaku e bozhuret hanë vetveten
Në mungesë të bukës që e sosi mbretëria e marrë
Luftëtarët i varëm për degët e historisë
Kemi mundur t’i kërkojmë fëmijët tanë nëpër luftëra
Të cilët na i mësuan emrat si të stërgjyshërve
Apo i ndrydhën në këtë ditë që është jatagan
Nëse prapë zë fill beteja atëherë ku jemi ne
Do të ktheheshim në zanafillë apo do të mbylleshim
Në zemrat e bozhureve si në zemrat tona robër
Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë
Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar përveç nesh