Ngjarjet nuk dolën ashtu siç parashikuan shumë protestues. Një dekadë më vonë, vlerësohet se mijëra njerëz kanë ikur jashtë vendit për t’i shpëtuar Qeverisë së presidentit Abdel Fattah el-Sissi, që konsiderohet edhe më shtypëse. Humbja e konsiderueshme e akademikëve, artistëve, gazetarëve dhe intelektualëve të tjerë, së bashku me një atmosferë frike, kanë penguar çdo opozitë politike
Egjiptianët që dolën në rrugë më 25 janar 2011, e dinin se çfarë po bënin. E dinin se i priste arrestimi. Ndoshta edhe më keq – vdekja. Por, përderisa numri i tyre u rrit në sheshin qendror të Kajros, “Tahrir”, ata e shijuan suksesin. Forcat e policisë u tërhoqën dhe brenda disa ditësh, ish-presidenti Hosni Mubarak pranoi kërkesat për t’u larguar nga pushteti. Por, ngjarjet nuk dolën ashtu siç parashikuan shumë protestues. Një dekadë më vonë, vlerësohet se mijëra njerëz kanë ikur jashtë vendit për t’i shpëtuar Qeverisë së presidentit Abdel Fattah el-Sissi, që konsiderohet edhe më shtypëse. Humbja e konsiderueshme e akademikëve, artistëve, gazetarëve dhe intelektualëve të tjerë, së bashku me një atmosferë frike, kanë penguar çdo opozitë politike. Mohamed Aboelgheit ishte në mesin e të burgosurve në qytetin jugor të Assiut më 2011, pasi iu bashkua thirrjeve për revoltë kundër brutalitetit të policisë dhe Mubarakut. Ai kaloi një pjesë të kryengritjes në një qeli të ngushtë.
PËRPJEKJET PA EFEKT
I liruar në mesin e kaosit, ai u kënaq në atmosferën e lirisë politike në vendin më të populluar të botës arabe – protestoi, punoi si gazetar dhe iu bashkua një fushate për një kandidat të moderuar presidencial. Por kjo nuk zgjati. “Unë fillova të ndiej, shkallë-shkallë, më shumë frikë dhe kërcënime”, thotë Aboelgheit. Miqtë ia burgosën, shkrimet e tij kritike ndaj qeverisë tërhoqën vëmendje dhe “nuk besoja derisa të më ndodhte edhe mua”, shtoi ai. Pasi ardhjes në pushtet të el-Sissit, Aboelgheit u largua drejt Londrës. Në ishullin britanik ka botuar raporte hetimore për pjesë të tjera të botës arabe.
Në shtëpinë e tij të dikurshme në Egjipt, agjentët e sigurimit kombëtar pyetën për të. Kur gruaja e Aboelgheit u kthye për herë të fundit për të vizituar të afërmit, ajo u thirr për t’u marrë në pyetje në lidhje me aktivitetet e tij. Mesazhi ishte i qartë. Askush nuk e di saktësisht se sa egjiptianë si Aboelgheit kanë ikur nga persekutimi politik. Të dhënat nga Banka Botërore tregojnë një rritje të emigrantëve nga Egjipti që nga viti 2011. Gjithsej 3 milionë e 444 mijë ishin në vitin 2017 – gati 60 mijë më shumë sesa në vitin 2013. Por, është e pamundur të dallohen emigrantët ekonomikë nga ata politikë.
GJITHANDEJ EVROPËS
Ata u zhvendosën në Berlin, Paris dhe Londër. Egjiptianët gjithashtu janë vendosur në Turqi, Katar, Sudan dhe madje edhe në vendet aziatike, si Malajzia dhe Koreja e Jugut. “Human Rights Watch” kishte vlerësuar më 2019 që kishte 60.000 të burgosur politikë në Egjipt. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve rendit Egjiptin në vendin e tretë, pas Kinës dhe Turqisë, për ndalim të gazetarëve.
Sipas El-Sissit, Egjipti nuk ka të burgosur politikë. Arrestimi i një gazetari ose një aktivisti të të drejtave është lajm përafërsisht çdo muaj. Shumë njerëz janë burgosur me akuza për terrorizëm, për thyerjen e një rregulle që i ndalon protestat ose për shpërndarje të lajmeve të rreme. Të tjerët qëndrojnë në paraburgime të pacaktuara. El-Sissi pohon se Egjipti po e frenon ekstremizmin islamik, në mënyrë që të mos kalojë në kaos sikurse fqinjët. “Sissi jo vetëm që do t’i shfuqizojë të drejtat e opozitës dhe ta parandalojë çdo zë kritik, në fakt nuk beson, jo vetëm në opozitë, por as në politikë”, thotë Khaled Fahmy, profesor egjiptian i historisë moderne të Lindjes së Mesme në Universitetin e Cambridgeit. Fahmy beson se kjo është periudha më e keqe për të drejtat e njeriut në historinë moderne të Egjiptit. “Është shumë më serioze, është shumë më e thellë dhe shumë më e errët, ajo që Sissi ka në mendje”, thotë ai.
KURRË MË NË VENDLINDJE
Ata që janë jashtë vendit, që mund ta sfidojnë el-Sissi-n, kanë vendosur që të mos kthehen. Gazetarja Asma Khatib, 29 vjeçe, kujton ditët e trishta të vitit 2011, kur të rinjtë kishin menduar se mund të sillnin ndryshime. Ajo u gjykua në mungesë me akuza spiunazhi në 2015, u dënua dhe pastaj u dënua me vdekje. Tani, ajo dhe bashkëshorti i saj Ahmed Saad, gjithashtu gazetar, dhe dy fëmijët e tyre po kërkojnë azil në Korenë e Jugut. Ata presin që të mos kthehen kurrë më, por gjithashtu e kuptojnë se janë me fat që janë të lirë. Në ditën kur u shpall vendimi, gazetari mban mend se i kishte thënë vetes: “Nuk ke më vend”.
“E di që ka shumë të tjerë si unë. Nuk dalloj nga ata që janë në burg”, thotë ajo. Të mërguarit kanë pasur mjaft kohë për të menduar se ku dështoi kryengritja e Egjiptit. Aleanca e gjerë e protestuesve – nga islamikët tek aktivistët laikë – u thye pa një armik të përbashkët, si Mubaraku dhe zërat më ekstremë u bënë më të zhurmshmit. Roli i fesë në shoqëri mbeti kryesisht pa përgjigje dhe nismat sekrete liberale kurrë nuk fituan tërheqje. Askush nuk llogariti se sa njerëz do t’i përqafonin figurat e ish-regjimit, veçanërisht në një krizë. Shumica e egjiptianëve jashtë vendit nuk kanë qenë politikisht aktivë, pasi janë frikësuar për familjen dhe miqtë në vendlindje. Por, disa kanë vazhduar rrugën e filluar më 25 janar 2011.
Tamim Heikal, që punonte në botën e korporatave kur shpërthyen protestat, kishte pasur dyshime që Qeveria mund të reformohej ndonjëherë. Por, ai shpejt u bë menaxher i komunikimit për një parti politike në zhvillim. Më vonë, ai pa të tjerët teksa po i burgosnin dhe e kuptoi se i erdhi radha, kur mori një ftesë nga oficerët e inteligjencës më 2017 “për të pirë kafe”. Ai preu biletën për Paris dhe nuk u kthye më. Tani, në moshën 42-vjeçare, ai do ta mësojë veten dhe të tjerët për kohën kur një lëvizje popullore rishfaqet në Egjipt. Ai ia del mbanë duke redaktuar, përkthyer dhe bërë punë këshilluese për grupet e të drejtave të njeriut dhe përpiqet të lidhet me njerëz në mesin e diasporës.
“Është sikur të isha infektuar me një virus, pas revolucionit”, thotë ai. “Nuk di si të kthehem. Nuk do të jem në gjendje të rehatohem derisa të ndodhë ndryshimi”. Të tjerët përballen me sfida të çuditshme. Asma Khatib dhe bashkëshorti i saj nuk janë të sigurt se çfarë do t’u thonë fëmijëve të tyre të vegjël, kur ata të pyesin se nga janë. Abouelgheit, mjeku që është kthyer në gazetar, shqetësohet se djali i tij nuk do të flasë arabisht pas kaq shumë kohe në Mbretërinë e Bashkuar. Ai shpreson të shkojë në shtëpi një ditë, por ndërkohë ai po mendon t’i kthehet profesionit të mjekut.