Kujtimet janë koha që jetuam

Anita Latifi është gazetare. Aktualisht është drejtuese marketingu në Teatrin Shqiptar të Shkupit, anëtare e Këshillit Programor të Radiotelevizionit të Maqedonisë dhe aktiviste qytetare për zhvillimin e shoqërisë civile, vlerat demokratike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirinë e shprehjes

Kujtimet. Sepse kanë të gjitha shqisat. Me to dëgjon, nuhat, shijon, sheh, prek. Janë thesari i detajeve të jetuara…. një rrugicë në vendlindje, shkallët e drurit, një man mes oborrit, një zhurmë e mbledhje familjare. Janë fikse. Janë gjurmët e pashlyeshme të asaj që njeriu jeton. Janë shkollë individuale. Sot veprojmë bazuar në mësimin e marrë nga kujtimet që krijuam dje, shkruan sot Koha Ditore.

Të gjithë kemi një lidhje të pashkëputshme me kujtimet, ndonjëherë kjo lidhje është shumë e dukshme, ndonjëherë tentojmë ta mbajmë në fshehtësi. Mund ta fshehim, por jo ta fshijmë. Kujtimet janë koha që jetuam.

Deti. Për shkak të dramës që mban më vete, më shumë i ngjason një krijese të gjallë sesa një pjese të natyrës. Pak a shumë është si jeta, ndonjëherë rrezaton me qetësinë e pafundme e ndonjëherë tërësisht i tërbuar, sikur ka gjithë zemërimin e botës brenda vetes. Mu si ne njerëzit. Edhe ngjyrat e tij janë si ato të jetës. Ndonjëherë tjetërsohet e kaltra e bukur dhe merr nuancë të zymtë, por ndonjëherë vjen me nuancat më të bukura të saj. Si jeta.

Liria.

Mëngjesi. Si një fillim i ri i vazhdueshëm. Zakonisht është kaotik, gjithçka zhvillohet si nën tiktaket e bombës së kurdisur, por ka në vete harenë që nuk e ka asnjë pjesë e ditës. Mëngjesi është shpresë se do të arrijmë të bëjmë çudira. Edhe nëse nuk e arrijmë atë ditë, vijnë mëngjesi tjetër dhe shpresa e re. Çdo ditë duhet kërkuar inspirimin.

Letrat e gjata që m’i shkruan Lindita, janë e-maile, në fakt, për nga mënyra se ku shkruhen e si dërgohen, por nga të gjitha aspektet e tjera janë letra që shkruheshin dikur, atëherë kur postën e sillte postieri e jo “Gmail-i” apo “Yahoo-ja”. Janë krejtësisht e kundërta e sms-ve të shkurtër, që duke na kursyer kohën, na kanë shlyer emocionin e na kanë tjetërsuar.