KUJTIM MORINA: Kosova mbetet vendi më i bukur për mua

Një emër i njohur i muzikës live që nuk din të ndalet. Kujtim Morina merret vetëm me muzikë dhe atë tashmë e ka profesion. I kushton shumë kohë familjes së tij por edhe bën gati projektet e reja muzikore. Këto e shumë gjëra të tjera mbi jetën dhe karrierën e tij i flet për InfraRed të gazetës KOHA

Bisedoi: Blerand REXHEPI

KOHA: Ç’vend zë muzika në jetën tënde?

Muzika zë vendin e dytë në jetën ime.

KOHA: Zgjohesh me këngë në mëngjes?

Zgjohem me këngën e Medës – “O melhem”.

KOHA: Flitet që je duke punuar paralelisht për këngë të reja. Mund të dimë më shumë detaje rreth tyre?

Po e vërtetë, tani kam lansuar 8 këngë të reja dhe gjatë këtij viti mendoj të bëj dhe ndonjë gjë tjetër të re.

KOHA: Jemi në fillimet në muzikë, si kanë qenë për ty duke e ditur që ke kultivuar muzikën e pastër shqipe?

Fillimet në muzikë nuk ishin të lehta, por gjithmonë jam munduar të sjellë ndonjë gjë të bukur për publikun.

KOHA: Gjithsesi, publiku është ai që jep gjykimin më të drejtë… Si ndikoni në jetën dhe perceptimi tek publiku?

E vërtetë që publiku është gjëja më e rëndësishme për vlerësimin e secilit zhanër muzikor dhe për këtë arsye jam i kënaqur me vlerësimin që më bëjnë.

KOHA: Mendon se ia “rrëmbeve” zemrat atyre me muzikë, a ke menduar për ndonjë profesion tjetër?

Për të gjithë që dëgjojnë muzikën time, mendoj se po dhe deri më tani nuk kam menduar për ndonjë profesion të ri.

KOHA: Në shtëpi krahas ndjenjës komode, çfarë bën?

Krahas ndjenjës komode, i kushtoj kohë familjes time.

KOHA: Pasi i vendosni kyçin derën, lini jashtë saj edhe çështjet e problematikave në punë apo i merrni me vete?

Jo asgjë nuk marr me vete, sepse kohën jashtë orarit të punës e kaloj me të afërmit e mi dhe për këtë arsye – nuk kanë vend problemet e punës.

KOHA: Kuzhina është një pasion tjetër i yti, të cilin jo të gjithë e njohin. Çfarë të tërheq më shumë në këndin e gatimit?

Ushqimi im i preferuar është pizza, të cilin e dua më së shumti, sepse është dhe profesioni im i hershëm.

KOHA: Cili është vendi më i bukur në botë për ty?

Padyshim se Kosova është vendi më i bukur për mua.

KOHA: Hera e fundit kur ke qenë në pushime?

Hera e fundit e pushimeve ishte vitin e kaluar.

KOHA: Shumëkush, sidomos person publik, nuk e ka luksin e të qenit i “pagjykuar”! Vlen e njëjta gjë edhe për ty?

Po gjykimet nga njerëzit e shkolluar kanë gjithmonë vend, kurse nga ata që shënojnë pa kuptim nuk bëjnë shumë peshë.

KOHA: Çfarë leksioni të kanë dhënë prindërit?

Prindërit më kanë dhënë dijen dhe forcën që të vazhdoj tutje.

KOHA: Gjëja e preferuar që dëshiron të bësh çdo të diel?

Secilën të diele e kaloj me familjen time.

KOHA: Libri i fundit që ke lexuar?

Libri i fundi që kam lexuar është “10 Jahre Freiheit”.

KOHA: Hera e fundit që ke qeshur aq shumë, sa të kanë dalë lot?

Hera e fundit që kam qeshur me lot ka qenë gjatë xhirimeve në studio me producentin Besnik Zikolli, ajo ditë nuk harrohet.

KOHA: Kënga që këndon në dush?

Kënga që e këndoj në dush është kënga e idolit tim Medës – “Ishte nata e fundit në Prishtinë”.

KOHA: Projektet që ju presin?

Për projektet që vijnë mundet të ketë edhe bashkëpunime.