Festivali i Teatrit Shqip “Moisiu” do mbahet deri më datën 27 nëntor. Shkoni në teatër, qoftë edhe si protestë, për të parë e mësuar ku jemi, ç’halle kemi. Shkoni se teatri është një pasqyrë e vetes. Të dërmon me realitetin që ta shfaq, por dhe të ndihmon të shohësh ku jemi. Shkoni sepse teatri është vendi ku e shikoni të vërtetën për jetën aktuale, atë që mbase tentohet të fshihet. Shkoni sepse do shihni grafinë sociale të kohës tonë. Por shkoni edhe për pikë të qejfit. Shkoni për vete se pas shfaqjeve do dilni më mirë!
Nga Nazim RASHIDI
Ende e kam në mendje një komunikim me një vajzë që punonte në administratë diku dhe në bisedë e sipër më tha, “unë asnjëherë nuk shoh filma”.
Pse? E pyeta.
Sepse tha që i konsideronte kot, humbje kohe.
Por ku ushqehesh shpirtërisht, i thashë? Lexon libra?
Sigurisht përgjigjja ishte “jo”, sepse nuk kishte kohë.
Madje as lektyrat në shkollë nuk i kishte dashur, por i kishte lexuar se duhej.
Sigurish, sigurish që një rast nuk përbën normalen, por megjithatë mu kujtua kjo bisedë sepse në hapjen e festivalit të parë të teatrit shqiptar “Moisiu”, që është festivali i parë i madh mbarëkombëtar ku janë përfshirë Teatrii Tiranës, Prishtinë e Shkupit, ku janë përfshirë madje dhe ministritë e kulturës të tre vendeve, madje është përfshirë edhe Presheva, në natën e parë të këtij eventi që duhej të dominojë jetën jo vetëm kulturore, salla në Teatrin Shqiptar në Shkup ishte gjysmë bosh!
Pse?
Sepse qasja e shoqërisë me gjasë është si i asaj vajzës. E kujt i hyn në punë teatri, arti?
Por kjo pamje që ishte zhgënjyese megjithatë, shkon për mua përtej shpjegimeve se s’kishte kohë, se s’kishte shumë PR, se s’kishte shumë reklamë. Në fakt, mu pikërisht sepse s’kishte shumë reklamim shihet qartë se cila është qasja jonë ndaj kulturës, ndaj shpirtërores. Pikërisht momentet e tilla tregojnë patetizmat e fjalëve të mëdha, “kombi”, “kombëtare”, “mbarëkombëtare” ndërkohë kur ndodhin, madje si në këtë rast, me përplot shfaqje dhe aktorë që mbase publiku s’do ketë shans as t’i shohë ndonjëherë tjetër, salla ishte gjysmë bosh. Pamja që pashë është zhgënjyese sepse nxjerr në sipërfaqe gjithë atë hipokrizinë e “elitave” që tentojnë ta marrin këtë epitet për arsye të tjera. Dhe ja një event aq elitar, më elitar se kaq se di a do ketë, “elita” mungoi.
Për habinë time në sallë nuk kishte figura të larta politike. Për habinë time as që kishin dashur ta përdorin këtë event kaq të rëndësishëm për promovimin e tyre. Pse e them këtë? Realisht eventi është i një rëndësie të madhe, jo se ndodh për herë të parë, por se është i vonuar. Shumë i vonuar. Dhe se ngjarja është e madhe si për nga organizimi ashtu edhe nga pesha që bart. 12 net, 12 shfaqje, me dhjetëra aktorë, artistë. Veç komunikimi, shkëmbimi i mendimeve, bisedat do sillnin pasuri. E ku më ndjekja e shfaqjeve që janë një reflektim i yni shoqëror.
Por jo, salla ishte gjysmë bosh.
Ata pak politikanë që ishin dukej që ishin aty si me zor, sepse nuk i kishin treguar respekt ngjarjes që nga mënyra si ishin veshur, e deri tek ajo që thanë. Ose pa fjalime, fjali çasti dhe pa evidentuar vlerën e asaj që po ndodhte, ose fjalime me fraza bosh që mezi lexoheshin. Pra pamja u plotësua se si shihet arti e kultura që nga publiku e deri tek zyrtarët. Dhe kjo është shqetësuese. Sepse pa ushqimin shpirtëror ne do mbesim, siç edhe po bëhemi me gjasë, një shoqëri e vrazhdë, interesi dhe pa vëmendje për të përbashkëtën. Nën këtë atmosferë, por edhe me po aq fjalime të thjeshta, ku dominoi ankesa për fonde e mbështetje, katër drejtorët e teatrove të mëdhenj, dy të Tiranës, ai i Prishtinës dhe Shkupit e hapën festivalin që mbase duhej të ishte ngjarja më e madhe kulturore e fundvitit. Edhe këtu pak zhgënjim. Hapja do duhej të ishte më madhështore, më dinjitoze, mëme respekt për gjithë këtë sipërmarrje të madhe, që shkon përtej vetë artistëve, sepse do të duhej të jetë ushqim aq i munguar kulturor për 12 ditë.
Nuk mund të mos jem kritik edhe ndaj vetes. Mediave. Mezi shiheshin kamerat, e kush e di a do ketë raportime për festivalin që duhej të sillte shkëlqimin e teatrit shqip, kudo brenda një viti.
Por pse kjo vëmendje e vogël?
Përgjigjja dihet, sepse shoqëria e dominuar nga politika e cila mbyt gjithçka ka mbyllur dhe sytë dhe interesin për fushat përtej tyre. Por si të ndodhë ndryshe kur një pjesë e madhe e politikës me gjasë janë si ajo vajza administratore që kush e di a kanë shkuar në teatër ndonjëherë. Do ishte suprizë, ashtu pa ftuar të shohim “elitën” me familje, së bashku, të veshur siç duhet, të shkonin të shihnin shfaqjet. Por jo, e duam kombin dhe kombëtaren veç kur sjellin vota!
Politika sidomos e viteve të fundit ka edhe një përgjegjësi tjetër që lidhet ngushtë me nivelin e arsimit, me angazhimin për rritjen e dijes, për mungesën e librave. Dhe ne sot kur jemi në kushtet më të mira të mundshme për komunikime ndër shqiptare, në fakt duket se interesi për njëri-tjetrin bie.
Pse?
Sepse politika na nxit me çdo kusht që të “mbytemi” në kënetat tona duke mos nxitur interes fare për zhvillimet kulturore,por dhe fushave të tjera të hapësirave tjera. Nëse pyet një të ri se kush janë yjet e teatrit në Tiranë, nuk e dinë. Dhe e bëra këtë. Madje as disa koleg më të ri në moshë nuk dinin kush ishte Dritan Boriçi, Luli Bitri, Elia Zaharia e të tjerë që të mërkurën luajtën një shfaqje gjigande mbi tre orë si pjesë e trupës të Teatrit Kombëtar të Tiranës. Nuk i dinin as Hajat Toçillën, Valmir Krasniqin, Labinot Racin, Arta Muçajn, e të tjerë të trupës të Teatrit Kombëtar të Prishtinës. E për mos t’i numëruar me radhë. Kjo sepse “mbytja” me përditshmërinë banale, ku evidentohet keqqeverisja, rrëmbimi, korrupsioni e bën shoqërinë të mos ketë mundësi për frymëmarrje, kthjelltësi e argëtim. E kur je nën një atmosferë depresioni, kujt i plas për teatrin?
E megjithatë.
Imagjinoni. Festivali është falas.
Po. Falas.
Festivali i Teatrit Shqip “Moisiu” do mbahet deri më datën 27 nëntor. Shkoni në teatër, qoftë edhe si protestë, për të parë e mësuar ku jemi, ç’halle kemi. Shkoni se teatri është një pasqyrë e vetes. Të dërmon me realitetin që ta shfaq, por dhe të ndihmon ta shohësh ku jemi.
Shkoni sepse teatri është vendi ku e shikoni të vërtetën për jetën aktuale, atë që mbase tentohet të fshihet. Shkoni sepse do shihni grafinë sociale të kohës tonë. Shkoni sepse teatri është krijuar për të treguar të vërtetat e kohës ku vepron. Por ej, shkoni edhe për qejf bre, për kënaqësi. Teatri është argëtim dhe të mbush me jetë. Siç ka thënë Aleksandër Moisiu, aktori i madh shqiptar që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenat evropiane, emrin e të cilit mban pikërisht festivali, teatri të mundëson të shohësh botën, dhe “sa më shumë shihja botën, aq më shumë bëhesha i vetëdijshëm për personin tim”. Shkoni për veten pra, shkoni se pas shfaqjeve do dilni më mirë!
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)