Edhe përkundërt reagimeve të shumta të pushtetit vendor, individë dhe grupe të papërgjegjshëm dukshëm kanë dëmtuar pjesën dërmuese të pemëve dekorative të mbjellura para disa viteve
Vjollca SADIKU
Dibër, 10 gusht – Pushteti vendor në Dibër viteve të fundit në vëmendje të veçantë i kushton edhe sipërfaqeve të gjelbërta si dhe mirëmbajtjes të pemëve dekorative. Por ka persona dhe grupe, të cilëve u pengon kjo, edhe pse aktiviteti është në dobi të mbarë popullatës. Rruga kryesore e Dibrës “8 Shtatori” në dy anët të trotuareve ka pamje të ndryshme. Njëra anë e trotuarit ka pemë të shumta dekorative, kurse ana tjetër e saj ka shumë pemë dekorative të dëmtuara, por edhe të shkulura dhe i jep kësaj pjese të qytetit një pamje të shëmtuar.
Pikërisht kjo rrugë, ku faktikisht gjenden edhe lokalet më të bukura të qytetit siç janë restorantet, piceritë, kafeteritë, banka, objekte institutesh dhe objektet të tjera afariste, tani kemi një rrugë me dy pamje të ndryshme. Edhe përkundërt reagimeve të shumta të pushtetit vendor, individë dhe grupe të papërgjegjshëm dukshëm kanë dëmtuar pjesën dërmuese të pemëve dekorative të mbjellura para disa viteve. Në situatë kur u prenë drunjtë e vjetra dekorative në pjesën e shëtitores dhe kjo pjesë mbeti pa freskinë e pemëve, kjo pjesë e qytetit e cila faktikisht tani është edhe pjesa më e frekuentuar e Dibrës , pritej të zëvendësojë sado pak freskinë natyrore të qytetit. Por pemët e mbjellura dekorative në këtë rrugë dikujt po i pengojnë.
Me qëllim që të mbrohen pemët të padëmtuara, pushteti vendor këto ditë ka lëshuar një apel tek popullata të mos dëmtojë pemët dekorative dhe të kujdesen për ato. Sidomos apeli vlen për pronarët të objekteve afariste, por jo vetëm. Komuna Dibër, përveç angazhimit të ndërmarrjes për pastrimin e hapoësirave “Standardi”, po ashtu ka angazhuar edhe shërbimin e saj të ndërtimtarisë që për çdo ditë të mirëmbajë dhe ti ujisin këto pemë. Po ashtu, aktivitete pushteti vendor në drejtim të mirëmbajtjes të gjelbërimit dhe pemëve dekorative ka edhe në bulevardin e rri “Ilirija”, e cila tashmë është kthyer në një shëtitore të vërtetë. Por edhe këtu shpesh mund të shihen dhen ku kullosin në barinj mes dy rrugëve të bulevardit, por shpesh edhe dëmtime të pemëve dekorative.
Në mungesë të aktiviteteve konkrete të inspektorëve kompetent, të cilët sa i takon këtij problemi mbeten të “verbër”, shoqatat qeveritare thonë se nevojiten projekte për rritjen e vetëdijes të një pjese të popullatës për të ruajtur mjedisin jetësor dhe për të mbrojtur gjelbërimin dhe pemët. Shoqatat madje përmendin se edhe pse janë mbjellur shumë pemë dekorative edhe në rrugën e liqenit, sot në trotuaret e kësaj rrugë nuk ka mbetur asnjë pemë. (koha.mk)