Bankat këshillojnë që të bëhet më shumë kujdes lidhur me aktivitetet e dyshimta në onlajn llogaritë, të azhurnohen fjalëkalimet në raste nevoje, si dhe të ketë kujdes të mos bëhen viktima të vjedhjes së të dhënave personale
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 25 tetor – Zinxhirët e shitoreve me pakicë “Kam” dhe “Tineks”, si dhe kompania e shitjes së karburanteve të naftës “Makpetrol” ishin bizneset e fundit që ishin cak i lojërave të rrejshme shpërblyese në rrjetet sociale. Një nga mënyrat e mashtrimit është edhe ftesa që qytetarët të shpërndajnë thirrje për të fituar vauçerë në të holla. Në një pjesë të këtyre lojërave kërkohen informacione personale nga kartelat me çka mund të dëmtohen llogaritë transaksionale, shkruan gazeta KOHA.
Bankat kanë alarmuar disa herë qytetarët që të mos bien pre e çdo kërkese për dhënien e numrit të kartelës për nevojat e lojërave të dyshimta shpërblyese. Njohësit e kësaj problematike thonë se qytetarët nevojitet të bëjnë më shumë kujdes lidhur me aktivitetet e dyshimta në onlajn-llogaritë, të azhurnojnë fjalëkalimet e tyre në raste nevoje, si dhe të kenë kujdes të mos bëhen viktimë të vjedhjes së të dhënave personale.
Gjithashtu rekomandohet që çdo rast i dyshimtë të denoncohet në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Bankat i këshillojnë klientët e tyre që kanë marrë pjesë në këto lojëra shpërblyese që të mos realizojnë internet transaksione pa ndërruar kartelën e tyre.
EDHE “MAKPETROLI” PRE E MASHTRIMEVE
Nga kompania vendore e naftës “Makpetrol” – të martën ka alarmuar se Fejsbuk faqja me emër “Makpetrol ultra”, ku është publikuar loja shpërblyese, nuk është faqe zyrtare e tyre, dhe paraqet përhapjen e informacioneve të rrejshme, duke sjellë konsumatorët në huti. Nga atje shtojnë se është keqpërdorur emri dhe logoja e brendit.
“Faqen e fejsbukut me emrin ‘Makpetrol Ultra’ nuk duhet ta pranoni si burim relevant i informacioneve të lidhur me kompaninë Makpetrol. E nxisim opinionin që të ndjek informacionet përmes kanaleve tona zyrtare të internetit si Makpetroll.com.mk dhe Verna.mk, si dhe profilin në tuiter ‘MakpetrolUltra’, përmes të cilëve konsumatorët do të mund të informohen për prodhimet më të reja, aksionet, volitshmëritë si dhe lojën zyrtare shpërblyese ‘Verna ju shpërblen sërish’”, thonë nga kompania, transmeton KOHA.
Para dy javësh, edhe nga zinxhiri i marketeve “Tineks” u është bërë thirrje konsumatorëve të mos mashtrohen se do të fitojnë celularët iPhoneX apo Samsung Galaksi S9 për nder të 18 vjetorit të kompanisë në lojën e rrejshme shpërblyese.
“Ju informojmë se bëhet fjalë për mashtrim dhe prezantim të rrejshëm, për shkak se për momentin, ne nuk organizojmë një lojë të tillë. Ju lutemi të injoroni të gjitha kërkesat për pjesëmarrje, ndërsa nëse fitoni mesazh me përmbajtje të dyshimtë, të njëjtën ta paraqisni në sektorin për kriminalitet kompjuterik pranë MPB-së. Kompania do të ndërmerr të gjitha masat dhe hapat e nevojshme për mbrojtje në bashkëpunim me institucionet kompetente”, deklaruan kohë më parë nga “Tineks”. Nga atje thonë se të gjitha informacionet zyrtare, aksionet dhe lojërat shpërblyese të Tineksit publikohen vetëm në faqen e uebit apo fejsbukut të kompanisë.
Paralajmërime të ngjashme për kujdes kanë bërë edhe nga kompania KAM. Në ndërkohë, bankat komerciale pas paraqitje së lojërave të rrejshme në internet i këshillojnë klientët e tyre që nëse kanë marrë pjesë në lojërat shpërblyese nën emrin e supermarketeve apo bizneseve të tjera, të vizitojnë sportelet e bankave me qëllim që të kontrollojnë keqpërdorimet eventuale të kartelave.
“Dëshirojmë t’ju informojmë se në periudhën e kaluar u paraqitën lojëra të rrejshme të fatit nën emrin e supermarketeve të Maqedonisë dhe kompanive të tjera, si dhe internet faqe të rrejshme. Me qëllim të sigurisë më të madhe gjatë shfrytëzimit të kartelave dhe mbrojtjes nga keqpërdorimet e mundshme, ju rekomandojmë që limitin për realizimin e transaksioneve në internet ta vendosni në 0 (zero). Nëse veçmë e keni përdorur kartelën për lojëra të tilla të rrejshme, ju bëjmë thirrje që të njëjtën të ndërroni në ekspoziturën më të afërt”, rekomandojnë bankat.
BILETA TË RREJSHME 1 DOLLARËSHE
Në mesin e muajit qershor të këtij viti, më shumë qytetarë në Maqedoni rendën të blejnë bileta përmes një faqe të rrejshme të internetit. Kur kuptuan mashtrimin, menjëherë kanë telefonuar nëpër banka që të bllokojnë kartelat, për shkak se në faqen e rrejshme kanë vendosur të dhënat nga kartela. Mashtruesit që shitën biletat në afat rekord në ueb faqen “vizzair.com-fly-net” në vend të “vizzair.com” ofronin bileta vetëm për një dollar për cilindo destinacion si promocion me rastin e 15 vjetorit të kompanisë.
Në fillim të vitit të kaluar, në rrjedhë e sipër ishte lojë e rrejshme shpërblyese që thirrej në emrin e Telekomit të Maqedonisë, që ishte e marrë në mënyrë të paautorizuar nga faqja e tyre e fejsbukut e që përmbante informacione të ndryshuara dhe të pasakta. Nga kjo kompani atëherë hodhën poshtë këtë manipulim dhe u bënë thirrje konsumatorëve të mos involvohen në këto aktivitete që ofronin si shpërblim telefonin e shtrenjtë iPhone 7.
Në qershor të vitit 2017, në rrjetet sociale u paraqit loja shpërblyese e rrejshme e Emirates që bënte thirrje për shfrytëzuesit që të shpërndajnë publikimet e tyre për të fituar bileta gratis të avionit. Emirates do të shpërndante dy bileta gratis me rastin e ditëlindjes së 33-të të kompanisë, thuhej në linkun që shfrytëzuesve ju ofronte mundësinë që të përgjigjen ndaj tre pyetjeve dhe pastaj me shpërndarjen e linkut në profilet e tyre, të hyjnë në garë për biletat falas. Në linqe të tjera thuhej se bëhet fjalë për ditëlindjen e 34-të që qartë tregonte se diçka ishte e dyshimtë.
Nga aviokompania kumtuan se janë të njoftuar për mashtrimin përmes internetit, duke informuar se bëhet fjalë për “fizing” klasik apo “peshkim” klasik, që e përdorin mashtruesit që të fitojnë qasje ndaj të dhënave të ndjeshme të shfrytëzuesve si fjalëkalimet, të dhënat për kartelat kreditore dhe të ngjashme.
10 MASHTRIMET MË TË MËDHA NË INTERNET NË TË KALUARËN
- Mashtrimi i kërkuesit të punës
Mashtrimi: Ne do ju gjejmë ju punën e përkryer që është gati dh po ju pret
Objektivi: Llogaritë bankare dhe/ose Numri i Sigurimeve Shoqërore
Rezultati: Viktima duhet të paguajë një shumë parash që të aplikojë. Paratë humben dhe punë nuk ka.
- Lehtësimi i borxheve
Mashtrimi: Ne do ju ndihmojmë të shlyeni borxhet tuaja (në shkëmbim të një shume të vogël parash)
Objektivi: Marrje e pagesave paraprake, që më vonë t’ju “shlyejnë” borxhet.
Rezultati: E lë viktimën të zhytur në më shumë borxhe sesa kishte në fillim deri në boshatisje të kartës së kreditit.
- Skemat e punësimit nga shtëpia
Mashtrimi: Hiq nga puna shefin tënd! Ne ju mësojmë sekretin e punës online.
Objektivi: Punëtorë të lodhur nga orari 9-5. Në disa raste ata punojnë për të qarkulluar mallra të vjedhur.
Rezultati: Në vend që të paguheni, ju mund të përfundoni duke lënë miliona nëpër çështje gjyqësore.
- Rishitës pasurish të paluajtshme
Mashtrimi: Ne do ju ndihmojmë të keni një pasuri të paluajtshme për pushimet tuaja, në mënyrë të shpejtë dhe të lirë.
Objektivi: Mbledhja e parave për të mbuluar disa shpenzime.
Rezultati: Pasi paguani për shpenzimet, nuk keni më kontakt me shitësin.
5: Provoni “falas”, por jo edhe aq falas
Mashtrimi: Provoni një ofertë dhe nuk do paguani asgjë, vetëm nëse doni ta vazhdoni ofertën.
Objektivi: Fatura mujore të përsëritura.
Rezultati: Oferta duket e lehtë, por faturohet çdo muaj dhe është e vështirë të shkëputesh.
- Riparues shtëpish – mashtrues
Mashtrimi: Ne mund t’ju riparojmë çatinë e shtëpisë tuaj për gjysmën e kohës dhe çmimit që ju kanë dhënë të tjerët.
Objektivi: Një pagesë kapari sa për të filluar punën.
Rezultati: Pronarët e shtëpisë ngelin me shtëpinë e parregulluar dhe pa kaparin gjithashtu.
- Mashtrimet e lotarive
Mashtrimi: Ju keni fituar një shumë të madhe parash në lotari, por duhet të paguani paratë e taksave në fillim.
Objektivi: Pagesë nën pretekstin e taksave ose të shpenzimeve të tjera.
Rezultati: Viktima dërgon paratë, por çmimi i fituar nuk vjen kurrë.
- Pagesa para marrjes së kredisë
Mashtrimi: Ju ose biznesi juaj jeni kualifikuar për një kredi të madhe, por duhet të paguani disa shpenzime paraprake.
Objektivi: Parapagim për disa shpenzime.
Rezultati: Viktima i jep parapagesën kreditorëve, por kurrë nuk e merr kredinë.
- Mashtrimi i mbi-pagesës
Mashtrimi: Oops, gabimisht ju kam dërguar me shumë para, a mund të mi kthesh ca mbrapsht?
Objektivi: Çdo sasi parash që kthehet mbrapsht.
Rezultati: Transaksioni anulohet dhe viktima humbet paratë e tepërta.
- Vjedhje e identitetit
Mashtrimi: Përshëndetje, ky është një biznes i ligjshëm, na duhet të konfirmojmë disa të dhëna.
Objektivi: Mbledhja e të dhënave personale për të vjedhur nga llogaria bankare.
Rezultati: Viktima humbet paratë në llogari dhe i duhet të harxhojë orë të tëra për riparuar dëmin që i është bërë imazhit të tij. (koha.mk)