Shkup, 21 shtator – Mjalti që shitet nëpër markete për 240 denarë përmban glukozë të pastër dhe është i dëmshëm për shëndetin, paralajmërojnë bletarët. Njëherësh apelojnë, qytetarët të blejnë mjaltë natyral prej prodhuesve të njohur, vendorë, të certifikuar, dhe jo të paketuar, prej tregjeve, rrugëve dhe dyqaneve. Bletarët të cilët janë pjesë e manifestimit “Ditët e mjaltit 2017” në Shkup, kërkojë që në deklaratat e mjaltit në mënyrë të obligueshme të qëndrojë se kush është prodhuesi, e jo vetëm kush është paketuesi, si deri më tani. Këtë vit e vlerësojnë si jashtëzakonisht të keq, para së gjithash, për shkak të ngricës pranverore, por konkurrenca jolojale, thonë, edhe më tej mbetet problemi i tyre kryesor. Shteti, sipas tyre, duhet t’i rrisë subvencionet, ose, krahas tyre, të sigurojë edhe mbështetje plotësuese, si dhe t’i përforcojë kontrollet inspektuese. Pavle Boshkoski, bletar nga Shkupi, ish-kryetar i shoqatës “Matica” dhe organizator shumëvjeçar i “Ditëve të mjaltit”, thotë se konkurrenca jolojale, u shkakton dëme të mëdha jo vetëm bletarëve, por edhe prodhimeve lidhur me pllenimin nga bletët. Boshkoski në veçanti e potencoi, siç tha, importin e madh të glukozës nga Rumania që vjen në vend me maune për 80 denarë e pa zhdoganuar për import dhe që, më pas, shtohet në mjaltin i cili shitet nëpër markete nga 240 denarë. “Një përfitim të tillë, trefish më të shtrenjtë, nuk e realizon asnjë degë ekonomike, ndërsa njerëzit blejnë pasi që është më lirë. Nuk e dinë me siguri se ajo është glukozë e pastër, e dëmshme për shëndetin. Këtë jemi duke e potencuar vazhdimisht. Në etiketë patjetër duhet të qëndrojë kush është prodhuesi dhe jo kush është paketuesi. Le të ndalojmë me shkatërrimin e popullit. Duhet të bashkëpunojmë të gjithë, veçanërisht kontrollet inspektuese”, nënvizoi Boshkoski. Si problem plotësues gjatë këtij viti, ai i theksoi edhe bimët OMGJ nga Maqedonia, si luledielli, që ndodhet në Maqedoni. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski, i cili zyrtarisht i hapi Ditët e mjaltit, potencoi se Qeveria në vazhdimësi do të ndërmarrë masa sistematike për zhvillimin e kësaj dege ekonomike. Në Maqedoni ka mbi 6.500 kultivues të bletëve dhe rreth 234.000 familje bletësh. Çmimi mesatar i mjaltit është 400 denarë, ndërsa aq është edhe çmimi i shitjes në manifestimin e panairit në Shkup. Në Maqedoninë Perëndimore një kavanoz me mjaltë mund të arrijë çmimin prej 500, 600 denarë, ndërsa në atë Lindore mund të gjendet edhe për 350 denarë. Sipas bletarëve, arsye për çmimet e tilla janë sasitë e vogla të prodhuara sivjet, por edhe çmimet e mjaltit në rajon të cilat janë minimum dhjetë euro e më shumë, nëse merren parasysh vendet anëtare të BE-së, Bullgaria dhe Greqia. Manifestimi “Ditët e mjaltit 2017” mbahet në rrugën “Maqedonia” dhe do të zgjasë deri të dielën. Në më shumë stenda janë ekspozuar lloje të ndryshme të mjaltit dhe produkteve të bletëve prej kultivuesve të bletëve prej të gjitha viseve të Republikës së Maqedonisë. (koha.mk)