Driton ZENKU
Gostivar, 22 mars – Djegia e mbeturinave nëpër fusha, ndezja e zjarreve nga ana qytetarët që dalin në piknikë si dhe prezenca e erërave në këtë periudhë të vitit, janë ndër shkaqet kryesore që ndikojnë në shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve, shkruan gazeta KOHA. “Policia apelon deri te qytetarët të sillen deri në fund të vëmendshëm, posaçërisht kur lëvizin apo punojnë nëpër viset malore dhe fushat që të mos ndezin mbeturinat dhe gjësendet tjera që mund të shkaktojnë shpërthim të zjarreve. Vizitorëve ua tërheqim vëmendjen që kur dalin ditëve të vikendit për piknikë nëpër male, të përmbahen nga zjarret, të cilat shumë shpejt mund të përhapen dhe të kaplojnë hapësira të konsiderueshme, me çka do të shkaktohej dëm i konsiderueshëm material dhe pasoja të tjera me përmasa të mëdha”, nënvizon Marjan Josifoski, zëdhënës i policisë rajonale. Ardhja e stinës së pranverës ka ndikuar në frekuentimin e shtuar të automjeteve dhe mekanizimit tjetër që shërben për nevojat bujqësore. Në të shumtën e rasteve automjetet e tilla qarkullojnë në komunikacion pa regjistrim ose pa kontroll të kryer teknik. Nga policia e Gostivarit kanë apeluar deri te bujqit që të bëjnë kujdes sa i përket rregullshmërisë teknike të automjeteve të tyre, me qëllim që të shmanget fatkeqësitë e mundshme në komunikacion. Nga policia apelojnë që automjetet e tilla në asnjë mënyrë të mos lejohet të drejtohen nga persona të moshës nën 18 vjeçe dhe që nuk posedojnë leje për vozitje. Pasi vërehet shtim i dukshëm i qarkullimit të automjeteve të tilla në komunikacion, dhe sidomos në zonat rurale, policia ka intensifikuar kontrollet në terren. Nga atje paralajmërojnë se ndaj çdo parregullsie do të ndiqet procedura ligjore dhe do të shqiptohen gjoba. Masat e tilla ndërmerren me qëllim që të shmangen aksidentet e mundshme në terren. Për këtë qëllim, policia do të zbaton projekt me karakter edukues për këtë kategori të pjesëmarrësve në komunikacion. Bujqit nga afër do të njihen për kushtet e parapara në drejtimin e traktorëve dhe mekanizmit tjetër bujqësor. Ato do të njihen nga afër edhe me masat ligjore për mosrespektim të rregullave. Në të kaluarën, në disa raste janë shënuar aksidente të kësaj natyre. Ndryshimi i motit dhe temperaturat në rritje, dukshëm kanë shtuar lëvizjen e motoçikletave nëpër rrugët e Gostivarit, të cilat në shumicën e rasteve drejtohen nga persona pa leje të posaçme por edhe nga të rinj nën 18 vite. Kjo dukuri, është shkas për aksidente të shumta në komunikacion. Krahas motoçikletave personale, shumica e të rinjve deri te motoçikletat vinë duke i marrë me qira për orë të caktuara, nga firma të caktuara të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në të zezë. Duke e pasur para sysh këtë fakt, por edhe përvojën e hidhur nga vitet e kaluara, policia e Gostivarit ka ndërmarrë masa permanente në drejtim të parandalimit të kësaj dukurie. Sektori për siguri në komunikacion në suaza të stacionit policor të Gostivarit, këtyre ditëve ka përforcuar shërbimet e saj me kryerjen e aksioneve preventive në terren. Për shkak të prezencës gjithnjë e në rritje të skuterëve në komunikacion, policia e Gostivarit ka apeluar deri te drejtuesit e tyre që maksimalisht të respektojnë rregullat e trafikut. Ato rikujtohen edhe në obligimet ligjore të cilat kryesisht ndërlidhen me regjistrimin e motoçikletave, posedim të lejes për vozitje si dhe përgatitjet e posaçme për drejtim të motoçikletave. Mungesa e ndonjërës nga kriteret e parapara me ligj mund të godas gjepat e motoristëve nga 300 deri 500 euro. Motoçiklistët që do të gjenden në komunikacion pa përgatitjet e nevojshme të sigurisë do të përballen me gjobë prej 35 euro. Policia bën me dije se në periudhën në vijim, motoristët do të ndiqen në hap dhe do të përcillet çdo lëvizje e tyre dhe nëse vërehet ndonjë lëshim, pa dallim se bëhet fjalë për të rritur apo të mitur, predispozitat ligjore do të respektohen deri në fund. Obligimet ligjore kryesisht ndërlidhen me regjistrimin e motoçikletave, posedim të lejes për vozitje si dhe përgatitjet e posaçme për drejtimin e motoçikletave.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara