Edhe nga Njësia territoriale kundër zjarrit në Tetovë apelojnë që qytetarët të jenë të kujdesshëm nga përdorimi i fishekzjarrëve dhe mjeteve të tjera piroteknike, për shkak se bazuar në eksperiencat nga e kaluara të zjarrfikësve, shumë zjarre janë shkaktuar pikërisht nga përdorimi i papërgjegjshëm i fishekzjarrëve për festat e fundvitit
Urim HASIPI
Tetovë, 14 dhjetor – Me afrimin e festave të fundvitit, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka apeluar deri te qytetarët e Tetovës dhe Gostivarit që të përmbahen dhe të mos gjuajnë me armë zjarri, të mos blejnë apo përdorin fishekzjarrë dhe lloje të ndryshme të mjeteve piroteknike, shkruan gazeta KOHA. Nga policia e Tetovës rikujtojnë se përdorimi i fishekzjarrëve dhe gjuajtja me armë zjarri paraqet kundërvajtje, ndërsa kundërvajtësit do të ballafaqohen me gjoba adekuate, të cilat lëvizin prej 200 deri 500 euro në kundërvlerë të denarit. Krahas kësaj, varësisht nga rrethanat tjera dhe pasojat përfundimtare, një sjellje e papërgjegjshme e këtillë do të sanksionohet penalisht.
Edhe nga Njësia territoriale kundër zjarrit në Tetovë apelojnë që qytetarët të jenë të kujdesshëm nga përdorimi i fishekzjarrëve dhe mjeteve të tjera piroteknike, për shkak se bazuar në eksperiencat nga e kaluara të zjarrfikësve, shumë zjarre janë shkaktuar pikërisht nga përdorimi i papërgjegjshëm i fishekzjarrëve për festat e fundvitit, zjarre këto që me shumë gjasë edhe mund të përsëriten dhe pasojat të jenë të paparashikueshme.
Policia edhe një herë rikujton se, krismat me armë zjarri dhe përdorimi i pakujdesshëm i mjeteve piroteknike, para së gjithash nga personat e mitur, lehtë mund të sjellin në pikëpyetje jo vetëm sigurinë e tyre personale, por edhe sigurinë e qytetarëve tjerë. Vozitësit nga Pollogu, para dhe gjatë kohës së festave, këshillohen që maksimalisht ti respektojnë rregullat në trafikun rrugor, të mos ulen përpara timonit nën ndikim të alkoolit, dhe detyrimisht të posedojnë pajisjet dimërore, kryesisht kur udhëtojnë në drejtim të Kodrës së Diellit, Strazhës dhe Mavrovës. Ndërkaq, kohëve të fundit janë shtuar intervenimet e zjarrfikësve të Tetovës nëpër objekte banimi dhe shtëpi pasi pronarët kanë hezituar që të pastrojnë oxhaqet. Vetëm gjatë ditës së martë ka patur tre intervenime në rajonin më të gjerë të Tetovës, si pasojë e shpërthimit të zjarrit në oxhaqet e këtyre objekteve banimi.
“Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm paraqet vepër penale, për të cilën parashihet dënim me burg, në afat prej një deri më pesë vjet, por nëse një gjë e tillë është shkaktuar nga pakujdesia, dënimi është deri tre vite burg. Për këtë shkak, nga qytetarët kërkohet që me seriozitetin më të lartë të respektohen këto apele dhe paralajmërime që të mund të parandalohen këto zjarre, dhe të pengohen pasojat më serioze, ndaj jetës dhe pronës së tyre”, thotë zëdhënësi i SPB-së në Tetovë, Fatmir Rexhepi. (koha.mk)