Zejnulla VESELI
Shkup, 26 janar – Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve abonentë të dy operatorëve celular në Maqedoni ankohen se janë duke abuzuar me anë të ofertave për internet, shkruan gazeta KOHA. Sipas përdoruesve të tarifës postpejd, nëse ata aktivizojnë ofertë për internet në vlerë prej 199 ose 499 denarë për një muaj, në datën 15 të muajit vijues pranojnë sms porosi se “paketa internet prej 199 denarëve apo 499 denarëve sapo ka përfunduar. Ju mund të aktivizoni sërish një nga paketat dhe të vazhdoni të surfoni në internet. Ju faleminderit”.
Kjo, sipas klientëve të operatorëve, oferta mujore për internet me çmim prej 199 denarëve apo 499 zgjatë 15 ditë ose edhe më pak. Kontaktuam të dy operatorët celularë dhe kërkuam të na sqarojnë se pse klientët e tarifës postpejd, përdorues të pakove mujore të internet, kanë këso probleme. Nga ana e operatorëve morëm vetëm përgjigjen se deri te ta nuk ka asnjë ankesë të këtij lloji. Në anën tjetër, nga Agjencia për Komunikim Elektronik (AKE) informojnë se është e vërtet se gjatë viti të kaluar18 për qind e ankesave të qytetarëve janë pikërisht për shërbime te internetit. “Analizat e bëra nga AKE-ja për vitin 2016 tregojnë se klientët e dy operatorëve të Maqedonisë pos ankesave për fatura më të larta të bisedave telefonike, 18 për qind e tyre ankohet edhe për shërbime të dobëta të internetit. Shumica e këtyre ankesave janë bërë përmes numrin falas 190 të kontakt qendrës së AKE-së, mirëpo askush nga këta qytetarë nuk ka dorëzuar ankesë më shkrim. Pavarësisht kësaj në kemi hulumtuar këto raste dhe shumica e këtyre ankesave janë të padrejta”, tha për KOHA Sasho Dimitrijoski, drejtor i AKE-së. Ai njëherësh sqaron se përgjigja e operatorëve është se shumë klientë që shfrytëzojnë njërën nga tarifat e internetit mujore, pa dashje hapin një aplikacion dhe më pas harrojnë të mbyllin dhe kjo bën që interneti t’ju harxhohet më shpejtë.
“Të gjitha këta klientë që ankohet se operatorët celular abuzojnë me internetin, këtë e kanë bërë vetëm përmes thirrjes falas në numrin 190, ndërsa nuk kanë parashtruar asnjë ankesë deri të operatorët që të marrin sqarim se pse ndodhë që interneti t’ju harxhohet 10 apo 15 ditë para se të përfundon muaji. Në baza të analizave të bëra me operatorët, konstatimi është se shumica e ankesave të qytetarëve janë të padrejta për shkak se në të shumtën e rasteve klientët aktivizojnë një aplikacion dhe më pas harrojnë ta de aktivizojnë apo shohin video klipe në youtube dhe pasi të mbaron video klipi nuk e mbyllin youtube-n dhe kështu me automatizëm aktivizohet video klipi i ardhshëm, i cili për shkak të rritjes së shpejtësisë për shkarkim bënë që interneti të harxhohen shumë më shpejtë”, thotë Dimitrijoski. Njëherit Dimitrijoski u shpreh se nga viti 2010 në AKE funksionon qendra e kontaktit dhe se qytetarët në numrin falas 190 mund në çdo kohë të paraqiten dhe të paraqesin të gjitha problemet që kanë të bëjnë me shërbimet që ofrojnë operatorët celular si për telefoni fikse, mobil dhe internet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.