Shkup, 8 gusht – Ulen shpenzimet e larta për kreditë e shpejta të cilat i japin shoqëritë financiare, por edhe një bankë. Me ndryshimet ligjore që i përpiloi Ministria e Financave, shpenzimet e përgjithshme vjetore për kredi konsumatore kufizohen në 55 për qind nga kredia, të cilat deri tani arrinin madje deri 500 për qind nga shuma e kredisë. Me ndryshimet përfshihen kredi të vogla nën 200 euro që paraprakisht, nuk janë përfshirë me ligj.
Ndryshimet e Ligjit për mbrojtje të konsumatorëve gjatë marrëveshjeve për kredi konsumatore, të cilat prej sot do të ekspozohen edhe në Regjistrin e Vetëm Elektronik Kombëtar – ENER, u prezantuan në takimin mes zëvendësministres së Financave Shiret Elezi dhe kryetares së Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve Marijana Lonçar.
“Që t’i mbrojmë qytetarët, ndërsa njëherësh ta ulim edhe rrezikun nga përkeqësimi shtesë i gjendjes së personave të cilët kanë probleme me pagesën e kredive, i bëmë këto ndryshime ligjore. Gjithashtu ato ulin edhe shpenzimet e përgjithshme për kreditë. Me ndryshimin e ligjit, tani shpenzimet e përgjithshme të kredisë janë limituar në 55 për qind, apo pesëfish në normën e interesit ndëshkues prej 11 për qind. Për krahasim paraprakisht nuk ekzistonte limit, kështu që dhënësit e kredive për shuma të vogla dhe afate të shkurtra kohore kanë paguar për dyfish apo trefish shumë më të lartë të kryegjësë”, deklaroi Elezi duke shtuar se për shembull për kredi të marrë prej 12.000 denarësh në dy-tre muaj”, qytetarët duhet t’i kthejnë 36.000 denarë.
Kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve të Maqedonisë (OKM) e përshëndeti nismën e Ministrisë së Financave për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve gjatë marrëveshjeve për kredi konsumatore.
Në vend janë regjistruar 20 shoqëri financiare të cilat u ofrojnë kredi të tilla qytetarëve.