Në kushte normale kur funksionon edhe pika kufitare në Bllacë, në Jazhincë frekuentojnë nga 1700 deri në 2000 udhëtarë, kryesisht studentë, por edhe qytetarë të tjerë. Kjo situatë nuk është e njëjtë kohëve të fundit. Tash numri i udhëtarëve arrin deri në 4000 brenda ditës që kalojnë këtë pikë kufitare, diku rreth 30 kilometra larg nga qyteti i Tetovës
Urim HASIPI
Tetovë, 15 maj – Vendkalimi kufitar në Jazhincë gati se një javë është pika e vetme që lidh Maqedoninë dhe Kosovën dhe anasjelltas. Punët në aksin rrugor Kaçanik-Han i Elezit janë në vijim e sipër dhe ajo rrugë është mbyllur për qarkullim, prandaj edhe automjetet si ato me udhëtarë, por edhe ato të rënda janë të detyruar që kalimin ta bëjnë përmes Jazhincës nga pjesa e Maqedonisë, përkatësisht Glloboçicës nga pjesa e Kosovës, shkruan gazeta KOHA. Vetëm një pjesë e vogël e automjeteve kalojnë nga Bllaca, sepse kostoja është më e vogël, ndërsa nga pjesa e Maqedonisë duhet të shkojnë në terminalin në Tetovë dhe të rikthejnë për në Shkup.
Në kushte normale kur funksionon edhe pika kufitare në Bllacë, në Jazhincë frekuentojnë nga 1700 deri në 2000 udhëtarë, kryesisht studentë, por edhe qytetarë të tjerë. Kjo situatë nuk është e njëjtë kohëve të fundit. Tash numri i udhëtarëve arrin deri në 4000 brenda ditës që kalojnë këtë pikë kufitare, diku rreth 30 kilometra larg nga qyteti i Tetovës.
Në ndërkohë, problem në vete është mungesa e një terminalit për automjetet e rënda. Ndonëse kjo kërkesë ka qenë e kamotshme e bizneseve shqiptare, por që nuk u realizua asnjëherë, kurse në këtë kohë terminali është më se i nevojshëm. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha, thotë se politika duhet urgjentisht të intervenojë për hapjen e terminalit.
“Terminali në Jazhincë është nevojë e biznesit të Pollogut, duke e ditur se në këtë zonë funksionojnë diku rreth 11.000 kompani, nga të cilat më shumë se gjysma e tyre janë edhe eksportues dhe njëkohësisht e dimë se edhe Kosova është destinacioni kryesorë për produktet e tyre të këtyre kompanive, prandaj një terminal i tillë doganor do të mundësonte që produktet e tyre të jenë më të lira dhe më konkurruese në treg dhe ky terminal do të ishte një lehtësim shumë i madh dhe një benefit edhe për anën tjetër të Kosovës… Maqedonia ndaj Kosovës është në suficit të këmbimeve të mallrave diku 3 me 1 dhe mendojmë që hapja e një terminali doganor do ta rrisë edhe më tepër këtë suficit në interes të Maqedonisë”, tha Hoxha. Shoferët e kamionëve shprehen se pritjet nuk janë të gjata, por ka vetëm një kalim dhe detyrimisht të ketë kaos.
“Kjo është hera e parë që vijmë këndej dhe jemi duke rregulluar dokumentet, por nuk ka pritje të gjata, janë procedura vetëm me dokumentet, sepse peshorja është në Tetovë, prandaj nuk duhet të ketë më shumë kaos”, thonë kamionistët kosovar. Problem në vete është se në këtë pikë kufitare ka vetëm një korsi për qarkullim që e vështirëson gjendjen kur vijnë automjete të rënda dhe autobus me udhëtarë. Për dallim nga Jazhinca, në Bllacë gjithsej janë 5 korsi për kalim të kufirit, tre për udhëtarë, një për autobus dhe një për automjete të rënda. Përderisa automjetet e rënda i nënshtrohen procedurave të dokumentacionit dhe kontrollit, në ndërkohë lëshohen për kalim automjetet e udhëtarëve që të mos krijohen radhë të gjata të pritjeve. Kamionët që hyjnë brenda në Maqedoni, pas kontrollit të dokumentacioneve, detyrohen të shkojnë në terminal në Tetovë ose në Bllacë për të peshuar ngarkesën.
Sipas informacioneve, më shumë eksportohen prodhime bujqësore, por nuk mungojnë edhe lëndët e para për materialet ndërtimore. Po ashtu është arritur një dakordim me autoritetet e pikës kufitare të Kosovës që të lëshojnë nga një automjet të rëndë derisa të përfundojë procedurat automjeti para tij në pjesën e Maqedonisë. Kjo situatë e bën punën më të rëndë në këtë periudhë kur frekuentimi i udhëtarëve është dyfish më i lartë, për shkak se momentalisht ky është vendkalimi i vetëm funksional me Kosovën, në kohën kur për në Bllacë ka shumë pak automjete, shkaku i rrugës së vështirë nga Glloboçica për Han të Elezit.
Nga ana tjetër, gjashtë zyrtarë të policisë kryejnë brenda një ndërrimi tërë kontrollin e këtyre udhëtarëve dhe automjeteve të rënda transportuese, ndërsa si përforcim janë sjellë edhe disa punonjës nga dogana që kanë qenë të angazhuar në Bllacë. (koha.mk)