Një tregim i pabesueshëm nga Republika serbe e Bosnje dhe Hercegovinës, përkatësisht klubi i futbollit Partizan i Kotajincës. Bëhet fjalë diçka absurde dhe qesharake. Vija e kufirit mes Kroacisë dhe Republikës serbe kalon pikërisht nëpër fushën e futbollit.
Gjatë një loje, lojtarët e FK Partizan Kostajnica disa herë e kalojnë kufirin me Kroacinë.
“Ashtu është, kufiri kalon përmes nëpër fushën tonë dhe përfundon diku te këndi i kornerit. Praktikisht, luajmë në territorin e dy shteteve”, thotë kryetari i klubit në fjalë, Zoran Avramoviç, për gazetën Kurir.
“Më rënien e Jugosllavisë erdhëm në këtë situatë. Kur topi del jashtë vijës anësore dhe përfundon pak më larg, ai që shkon t’ia marrë e ka pasaportën me vete për çdo rast. Nuk na ka ndodhur që kufitarët kroatë të na kërkojnë dokumente por, kjo ju ka ndodhur njerëzve që e punojnë tokën këtui”, vazhdon tregimin e tij Avramovic.
Megjithatë, pyetjes se a me të vërtetë duhet të mbajnë pasaportën në veshjet e tyre sportive, duke pasur parasysh që ata vazhdimisht gjatë lojës e kalojnë kufirin, ai i përgjigjet duke mohuar me buzëqeshje.
“Jo. Me kroatët kemi marrëdhënie të mira, disa lojtarë nga ajo anë kanë luajtur për ne, vijnë edhe sot e kësaj ditë t’i shikojnë ndeshjet”, deklaroi ai.