Në Gjorgje Petrov banorët duan të na tregojnë se ata vetë janë shteti dhe sa herë t’u teket mund të djegin e shkatërrojnë, dhe për këtë të mos japin kurrfarë përgjegjësie. Sikur këta banorë të kishin marrë dënimin e merituar para tre viteve kur dogjën e shkatërruan pronat e shqiptarëve, ata sot nuk do të guxonin të tregohen kaq arrogant me pushtetin vendor, shoqëruar edhe me bllokim rrugësh
Nga Emin AZEMI
Revolta qytetare paraqitet gjithmonë kur mbyllen ventilat e komunikimit dhe funksionimit në mes të institucioneve dhe njerëzve që kanë halle. Në lagjen Gjorqe Petrov të Shkupit para dy netësh shpërtheu një revoltë mjaft e bujshme e banorëve të cilët protestonin pas aksidentimit të një fëmije nga ana e vozitësve të pakujdesshëm. Aksidente të ngjashme në këtë lagje kishte patur edhe më herët dhe pakënaqësia mund të jetë gjithmonë evidente kur një dukuri negative përsëritet. Banorët e kësaj lagjeje të Shkupit protestën e tyre e kishin shndërruar në demonstrim publik të një revolte, e cila mundej të manifestohej edhe në forma të tjera. Një peticion ka mjaftuar të fokusojë gjithë brengat e këtyre banorëve, duke insistuar që pjesëmarrësit në trafik të tregohen më të vëmendshëm, por në anën tjetër duke kërkuar nga organet kompetente që të forcojnë masat ndëshkuese ndaj gjithë atyre që shkaktojnë fatkeqësi në këtë lagje, por edhe në lagjet tjera.
Kjo revoltë e banorëve të Gjorqe Petrovit nuk do të na bënte kësaj radhe gjithaq përshtypje, sikur të mos na kujtoheshin pamjet e para 3 viteve, kur u dogjën dyqanet e shqiptarëve po në këtë lagje pas një zënke që kishin patur dy të rinj shqiptarë dhe maqedonas, e cila kishte përfunduar tragjikisht me humbjen e jetës së të këtij të fundit.
Çka është puna me këta banorët e Gjorqe Petrovit, të cilët të gjitha mosmarrëveshjet duan ti zgjidhin, ose me bllokim rrugësh, siç ndodhi para dy ditëve, ose me djegie të dyqaneve të shqiptarëve, siç ndodhi para tre viteve.
Në Kumanovë para dy viteve një fëmijë shqiptar 4 vjeçar u godit për vdekje nga një bashkëqytetar maqedonas me kombësi serbe. Historia e kësaj ngjarjeje tash më është e njohur për gjithë opinionin publik, mirëpo askush nga shqiptarët nuk dogji ndonjë prone të maqedonase. Pati vetëm protesta civile, shume dinjitoze dhe me dedikim të veçantë, që diferenconte përgjegjësitë institucionale nga ato individuale. Nëna e djaloshit të vrarë madje mbajti një fjalim mjaft dinjitoz, që linte të kuptojë se humbja e fëmijës së saj nuk duhej të na shërbejë për hasmëri të reja, por gjithsesi fajtori duhej të merrte dënimin e merituar, në mënyrë që fëmijët tjerë të shpëtonin nga vrasësit potencial që mund të kenë mbrojtjen e institucioneve.
Kufijtë e revoltës qytetare nganjëherë kalojnë nëpër fusha të minuara që qytetarët qëllimisht i vendosin për të shumëfishuar pakënaqësitë. Ajo çka kishte ndodhur në Gjorgje Petrov mund të ndodhë në çdo rrugë urbane të Parisit, Berlinit, Londrës, madje bilanci i viktimave atje mund të jetë më i lartë, mirëpo menaxhimi i pakënaqësive ndjek një ritëm dhe fizionomi tjetër sociale e urbane. Në Perëndim, pakënaqësitë qytetare mund të jenë edhe më brutale, mirëpo kjo ndodhë vetëm atëherë kur prishen balancet e drejtpeshimit në mes të institucioneve dhe qytetarëve. Në Gjorqe Petrov askush nga institucionet nuk kishte refuzuar të ndjekë shkelësit e trafikut, duke i sjellë ata edhe para drejtësisë për kundërvajtjet që i kishin bërë. Në Gjorgje Petrov banorët duan të na tregojnë se ata vetë janë shteti dhe sa herë t’u teket mund të djegin e shkatërrojnë, dhe për këtë të mos japin kurrfarë përgjegjësie. Sikur këta banorë të kishin marrë dënimin e merituar para tre viteve kur dogjën e shkatërruan pronat e shqiptarëve, ata sot nuk do të guxonin të tregohen kaq arrogant me pushtetin vendor, shoqëruar edhe me bllokim rrugësh.
Mirëpo kur janë në pyetje banorët maqedonas të lagjeve të Shkupit, gjithçka është e lejuar, madje edhe atëherë kur ngelin të pandëshkuar pas një sërë rrahjesh të nxënësve shqiptarë nëpër autobusët urbane të këtij qyteti.
Kështu është kur pakënaqësia qytetare merr ngjyrim banditesk, kurse shteti praktikon qasje selektive, duke toleruar “kaubojt” urban të bëjnë ligjin nëpër lagje të caktuara ku gjuha shqipe as zyrtarisht as privatisht nuk mund të dëgjohet publikisht. Atje pronarët e gjuhës nuk guxojnë të tregojnë se janë shqiptarë sepse mund t’iu digjen shtëpitë dhe dyqanet.
Edhe ky është një “progres” që duhet ta evidentojë Komisioni Europian. (koha.mk)