Rishikimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dominoi forumin europian të Alpbahut në Austri. Mbështetjen publike për projektin e shprehën të dy Presidentët, Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç, pavarësisht se samiti nuk solli rezultate konkrete. Për kreun e shtetit kosovar, nëse marrëveshja për kufijtë nuk arrihet, e ardhmja europiane e dy vendeve është në rrezik.
“Presim marrëveshjen për kufirin, nëse nuk e arrijmë këtë e rrezikojmë të ardhmen evropiane. Prandaj, kemi vendosur të eksplorojmë shumë mënyra dhe jemi të gatshëm të arrijmë deri te marrëveshja”.
Për Presidentin serb, zgjidhja është ende e largët por megjithatë i rëndësishëm është vullneti i të dy palëve për të arritur një marrëveshje.
“Nuk mund të them se jemi afër apo larg një marrëveshjeje të mundshme sepse nuk mund të biem dakord për asgjë, nëse nuk pajtohemi për çdo gjë. Jam pesimist sepse kemi shumë gjëra për të cilat nuk biem dakord. Por ka diçka të përbashkët, që të dyja palët duam të gjejmë një zgjidhje në të mirë të popujve tanë”.
Dy presidentët kërkuan mbështetjen e Bashkimit Europian dhe faktorit ndërkombëtar për marrëveshjen. Mikpritësi i takimit, Presidenti austriak vlerësoi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe u shpreh optimist se të dy liderët do ta arrijnë marrëveshjen e shumëpritur, që ai e konsideron si historike. Dy liderët do të takohen në 7 Shtator në Bruksel, në raundin e radhës të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrdhënieve me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë europiane Federica Mogherini.
Tv Klan