Kuebek, 30 janar – Gjashtë persona janë vrarë, ndërsa nëntë janë plagosur, pasi disa burra të armatosur hapën zjarr ndaj besimtarëve të cilët u mblodhën për tu falur në një xhami në qytetin kanadez Kuebek. Një përfaqësues i policisë konfirmoi se ka të vrarë, por nuk e saktësoi numrin e tyre. Ai gjithashtu theksoi se dy të dyshuar janë mbajtur. Sipas dëshmitarëve okularë, të cituar nga televizionet lokale, dy burra të maskuar kanë hyrë në ndërtesë rreth orës 19:15 sipas kohës lokale dhe kanë hapur zjarr, pas çka kanë ikur. Radio Si-Bi-SI lajmëroi se sulmuesit kanë brohoritur “Allahu ekber”. Policia menjëherë ka ardhur në vendin e ngjarjes dhe dy sulmuesit janë arrestuar në rrethinën e xhamisë. Kryeministri kanadez Xhastin Trudo e karakterizoi sulmin si akt terrorist. “Kanadezët mbajnë zi për viktimat e sulmit në xhami në Kuebek”, ka shkruar Trudo në Tuiter. Trudo shprehu ngushëllime për familjet dhe miqtë e viktimave në sulm dhe dëshiroi shërim të shpejtë të të plagosurve. “Shumëllojshmëria është fuqia jonë, ndërsa vlera jonë më e mirë është toleranca fetare”, tha Trudo në lidhje me atentatin. “Myslimanët kanadezë janë elementi më i rëndësishëm i indit tonë kombëtar dhe aktivitete të tilla të pamenduara nuk kanë vend në bashkësitë tona, në qytetet tona dhe në vendin tonë”, shtoi Trudo.