Gretell Landrove Font, një nga tre personat e shpëtuar të avionit të rrëzuar të premten e kaluar në kryeqytetin Kubës, Havana, ka humbur jetën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Media shtetërore e Kubës, njoftoi se me vdekjen e 23 vjeçares Font, numri i të vdekurve në avionin e tipit Boeing 737, i cili u rrëzua menjëherë pas nisjes nga Aeroporti Ndërkombëtar Jose Marti në kryeqytetin Havana, është rritur në 111. Avioni me 113 persona ishte duke shkuar në qytetin Holguin.
Gjendja e dy të shpëtuarve të tjerë Mailen Diaz (19) dhe Emiley Sanchez (39) është rëndë, ndërsa trajtimi mjekësor i tyre vazhdon në Havana.
Presidenti i vendit, Miguel Mario Diaz-Canel Bermudez, kishte theksuar se është formuar një komision i veçantë për hetimin e shkakut të rrëzimit të avionit. Avioni është marrë me qira nga një kompani meksikane nga Cubana Airlines.