Kuba, vendi më i vogël që do prodhojë vaksina Covid-19

19

Kuba po zhvillon pesë vaksina potenciale Covid-19. Soberana-2 është zhvilluar nga BioCubaFarma, një ndërmarrje shtetërore e bio-teknologjisë, nga ku CIM prodhon një përbërës kryesor. Më shumë se 44 mijë pjesëmarrës në fazat e tre provave janë vaksinuar deri më tani dhe 100 mijë doza të vaksinës janë dërguar në Iran për prova të mëtejshme. Qeveria kubaneze shpreson që, nëse testet do të jenë të suksesshme, ajo mund të prodhojë 100 milionë doza deri në fund të vitit

Ora shënon 7 e mëngjesit. Një radhë e gjatë njerëzish presin afër qendrës mjekësore, pranë Plaza de la Revolución në Havana. Disa prej tyre kanë orë që qëndrojnë aty. Të gjithë i mban shpresa: të jenë vullnetarë për t’u testuar me Soberana-2 (Sovran-2), “kandidati” më i përparuar i Kubës për vaksina Covid-19, i cili është në provat klinike të fazës së tretë. Pas një ore, 40 të parët pranohen në dy dhoma të mëdha. U jepen teste të shpejta të efekteve anësore dhe u thuhet se çfarë të presin nëse rekrutohen si vullnetarë. Yosvany Rodríguez Muñoz, një 37-vjeçar, është njëri nga fatlumët. Stafi i klinikës i mat gjatësinë, peshën dhe presionin e gjakut, para se t’i caktojnë një takim për ditën tjetër. Pas 28 ditësh, ai do të marrë dozën e dytë.

NGRITJA E STRUKTURAVE MJEKËSORE

Kuba është e vogël, me vetëm 11 milionë banorë, ndërsa ka mungesë të mallrave bazikë, si orizi dhe paracetamoli. Sa u përket kërkimeve mjekësore, të cilat qenë të shumta e kanë mbajtur Kubën në një pozitë relativisht të mirë gjatë pandemisë. Pas revolucionit komunist në 1959, gjysma e mjekëve të ishullit u larguan jashtë vendit. Në përgjigje të kësaj, Fidel Castro, diktatori i “purove”, nxori para nga kujdesi shëndetësor, me shpresën që barnat të eksportoheshin si sheqeri. Edhe gjatë kolapsit ekonomik, që pasoi fundin e Bashkimit Sovjetik dhe subvencionet e tij në fillim të ’90-të, në të cilën GDP-ja u tkurr me një të tretën në tre vjet, Qendra e Imunologjisë Molekulare (CIM) u hap në Havana. “Nuk kishte para për ushqim, por kishte një strukturë krejt të re për kërkimin e kancerit që ia vlente për sakrificat e bëra”, kujton Ricardo Torres, një ekonomist kubanez. Sot, Kuba prodhon 5 milionë doza vaksinash të thjeshta, ose të kombinuara për sëmundje të ndryshme vetëm për përdorim shtëpiak çdo vit.

VAKSINAT ANTI-COVID

Kuba po zhvillon pesë vaksina potenciale Covid-19. Soberana-2 është zhvilluar nga BioCubaFarma, një ndërmarrje shtetërore e bio-teknologjisë, nga ku CIM prodhon një përbërës kryesor. Më shumë se 44 mijë pjesëmarrës në fazat e tre provave janë vaksinuar deri më tani dhe 100 mijë doza të vaksinës janë dërguar në Iran për prova të mëtejshme. Qeveria kubaneze shpreson që, nëse testet do të jenë të suksesshme, ajo mund të prodhojë 100 milionë doza deri në fund të vitit. Çdo vaksinë, që nuk përdoret në vend, mund t’u shitet aleatëve, si Venezuela. Zyrtarët kanë menduar ofrimin e dozave për turistët, për të fituar gjithashtu. Por, ashtu si qeveritë e disa vendeve të mëdha janë kënaqur me diplomacinë e vaksinave, Partia Komuniste në Havana, e cila pritet të shohë vëllain e Castro Raúl të largohet si sekretar i parë më 16 prill, ka ditur të ruajë vlerën propagandistike të sistemit të saj shëndetësor.

Vaksinat e tjera në zhvillim kanë emra të ngjashëm: Mambisa, një spërkatës hundësh, është emëruar pas guerileve që luftuan kundër sundimit kolonial spanjoll; Abdala, një vaksinë që është gjithashtu në provat e fazës tre, është emëruar pas një shfaqjeje nga Jose Martí, një heroi revolucionar. Gazetat e drejtuara nga shteti janë të tejmbushura me tituj të tillë, si “Kapitalizmi rezulton në kujdes shëndetësor të tepërt dhe socializmi e jep atë në dozën e duhur”. Gjithsesi, rastet e raportuara me Covid-19 janë në rritje, megjithëse numrat absolutë janë të vegjël krahasuar me shumicën e vendeve. Tani ka rreth 1 mijë raste në ditë, 20 herë më të larta se në fund të vitit 2020. Disa prej tyre janë për shkak të një fluksi vizitorësh kubano-amerikanë nga Shtetet e Bashkuara, pasi aeroportet u rihapën në nëntor.

Edhe nëse njëra prej këtyre vaksinave rezulton efektive, qeveria nuk ka gjasa të bëjë shumë para prej saj. Zhvillimi modern i barnave është një biznes me rrezik të lartë, me kapital intensiv: kërkon shumë më shumë kapital sesa mund të ofrojë ekonomia e kufizuar e Kubës. “Deri më sot, asnjë ilaç i vetëm i zhvilluar në Kubë nuk është miratuar për përdorim në një treg shumë të rregulluar”, thotë David Allan, ish-shefi ekzekutiv i Biosciences, një kompani për zhvillimin e ilaçeve që punoi me qeverinë midis viteve 1993 dhe 2013. Kostot e prodhimit janë të larta, sepse Kuba bën pak përbërës në vend, përkundrazi duke u mbështetur tek importet e shtrenjta. Një mungesë e shishkave, për shembull, mund të jetë një pengesë për inokulimin e shpejtë të popullsisë së saj kundër Covid-19, në të njëjtën mënyrë që mungesa e shisheve plastike shpesh bën që pijet si uji mineral të mos të gjenden. Rezultati është që, pavarësisht mundësisë për t’u bërë vendi i parë në Amerikën Latine që zhvillon një vaksinë Covid-19, Kuba ka nisur vonë me vaksinimin e qytetarëve të saj. Provat klinike do të zgjasin edhe disa muaj, megjithëse më shumë njerëzve mund t’u ofrohet vaksina para se të përfshihen të gjitha rezultatet. Mbetet ende e paqartë nëse prodhimi do të bëhet lokalisht ose pjesërisht i jashtëm në Iran, Kinë ose Tajlandë.