Laura PAPRANIKU
Shkup, 15 shkurt – Mësimi i anglishtes si dhe përdorimi i teknologjisë informatike, krahas përgatitjes profesionale dhe pajisjes me kompetencë dhe me shkathtësi profesionale, të cilat korrespondojnë me kualifikimet e caktuara – nuk ka dyshim se përbëjnë çelësin e suksesit për një vend më të mirë pune dhe me perspektivë. Por që këta persona të mund ta gjejnë veten në tregun e punës është mëse e nevojshme që edhe universitetet t’u përshtaten atyre kërkesave dhe këtë mund ta bëjnë mjaft mirë nëse ofrojnë programet përkatëse studimore. Mobiliteti në kuadro dhe fleksibiliteti në programe studimore duhet të jenë elementë të rëndësishëm. Universitetet duhet ta pranojë këtë si sfidë, u tha mes tjerash në trajnimin me këtë tematikë të zhvilluar në Universitetin “Nënën Tereza” në Shkup.
Si element tepër i rëndësishëm u theksua nevoja për përgatitjen e kuadrove për një treg më të gjerë, që tejkalojnë kufijtë nacional dhe rajonal. Për shembull, Gjermania, e cila është një treg i gjerë, ka nevojë për 50.000 kuadro informatikanësh dhe, pse kuadrot nga Maqedonia të mos e synojnë atë treg kur dihet niveli i rogave dhe mirëqenia e atij shteti. Por që të punësohesh në Gjermani dhe ne cilindo shtet tjetër të Evropës, duhet njohja në nivele të lakmueshme e anglishtes. “Tregu i punës është ai që dikton jo vetëm zhvillimin ekonomik të një vendi, por edhe orientimin e politikave arsimore e për të cilat universitetet kanë një rol të madh”, thotë profesori universitar Neritan Turkeshi. Në këtë pikë, ai veçon UNT-në si institucion i cili spikat në orientimin e programeve studimore në vizavijë kërkesave të tregut.
Madje, ky universitet, sipas tij, vazhdon të kryesojë bindshëm me ofrimin e studimeve nga shkencave ekzakte dhe numrin me programeve të akredituara studimore. “Ekzaminimi i nevojave të tregut dhe ofrimi i programeve përkatëse studimore, besoj se do të sjellin suksesin e nevojshëm për të gjithë ne”, shprehet Turkeshi. Me hapjen e drejtimeve të shkencave ekzakte, në UNT, plotëson më tej ai, ne bëhemi pjesë e sistemit të modernizimit të arsimit dhe pjesë integrale e hapësirës evropiane arsimore. Kohëve të fundit, siç shpjegon profesori tjetër universitar Murtezan Ismaili jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë vërehet një konfuzitet lidhur me çështjen se çfarë duam të bëjmë, çfarë studentësh kërkojmë të nxjerrim dhe cilat janë nevojat e tregut. Edhe pse sipas tij bëhen përpjekje herë serioze e herë jo që të përgatisim kuadro sipas nevojave që ka shoqëria dhe në bazë të kërkesave të tregut, prapë se prapë kjo mbete një sfidë e vazhdueshme për shkenca të ndryshme sidomos ato të informatikës ku thuajse çdo ditë dalin programe dhe teknologji të reja. Prandaj, duhet të lihen anash metodat klasike të studimeve dhe të orientohemi drejt nevojave të tregut edhe atë në planin afat shkurtër, sepse nuk mund ta dimë që tani se çfarë kuadrosh do ti duhen tregut pas 10 viteve, nënvizon profesor Ismaili. Mobiliteti në kuadro dhe fleksibiliteti në programe studimore duhet të jenë elementë të rëndësishëm, plotëson ai.
Stefan Peter, përfaqësues i EVN për Maqedoninë vëren se është shumë e rëndësishme të shihet se çfarë vendi zë praktika në kurrikulën e programeve studimore, pra se si implementohet ky dimension brenda një universiteti. Kjo, sipas tij tregon që kurrikula është përgatitur nga akademikët dhe sektori i biznesit me çka do t’ju ndihmon studentëve të përfitojmë më shumë praktikë dhe në të njëjtën kohë t’ju lehtësohet rruga për punësim në sektorin e biznesit. (koha.mk)