“Këtë shtet duhet ta ndërtojmë konform sloganit ‘një shoqëri të barabartë për të gjithë’, me të cilin slogan kryeministri fitoi një kontingjent të konsiderueshëm të votave të shqiptarëve dhe sot, po ky kryeministër deklaron se kërkesat e shqiptareve për barazi janë shumë ambicioze…”, deklaroi Kasami
Remzije BILALLI
Shkup, 31 tetor – Në një periudhë diskutimi dhe kombinimesh të ndryshme në skenën politike, me qëllim për të arritur një proces të suksesshëm të rrumbullaksimit të ndryshimeve kushtetuese si pjesë e Marrëveshjes së Prespës, Lëvizja BESA dëshiron të përkujtojë se ky nuk është momenti për të shfrytëzuar rastin për t’i mbyllur, por përkundrazi – për t’i hapur problemet e hidhura, për të cilat në dekadën e fundit është debatuar në nivelin e dy kampeve etnike politike. Kështu ka thënë dje kryetari i BESËS, Bilall Kasami, sipas të cilit, nëse kryeministri Zaev gjykon se në këtë moment kjo do të ishte hapja e Kutisë së Pandorës, atëherë Lëvizja Besa dëshiron t’ia përkujtojë atij dhe opinionit në Maqedoni se pikërisht politika e “bypass-it” I bën çështjet e hapura të hidhura dhe ato vetëm e ngarkojnë dhe е plotësojnë Kutinë e Pandorës, e cila një ditë patjetër do të duhet të hapet, shkruan KOHA.
“E thënë në mënyrë figurative, kjo nënkupton se në të ardhmen e afërt, kur do të ketë zgjedhje, do të jetë e patjetërsueshme që këto çështje përsëri të hapen, prandaj vlerësojmë se tani është momenti i duhur për t’u zgjidhur. Kjo do të thotë se çështjet e hapura do të bëhen përsëri marketing propagandues politik, prandaj Lëvizja Besa angazhohet të zgjidhen tani, duke shfrytëzuar këtë moment të përshtatshëm. Pyesim publikisht: Në procesin e mëtejshëm kur duhet instaluar një praktikë e re politike, a duhet të kthehemi në temat antagoniste etnike dhe të hapim jo vetëm Kutinë e Pandorës, por edhe ndarjen e elektoratit, për arsye që edhe deri më tani kanë qenë mur pengese për bashkëjetesë cilësore dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne?”, ka thënë Kasami.
Së fundmi, ka vijuar më tej Kasami, duam t’ju kujtojmë se Lëvizja Besa që nga fillimi i hapjes së proceseve euroatlantike ishte dhe është një faktor konstruktiviteti, që zgjat dorën e bashkëpunimit. “Por, kjo nuk do të thotë të heqim dorë nga postulatet themelore të vizionit politik të Lëvizjes Besa dhe nga besimi që na është dhënë nga shqiptarët. Prandaj, ne me këmbëngulje do të insistojmë ta ruajmë urën e besimit me popullin, ta risim kohezionin shoqëror dhe besimin e ndërsjelltë në mes të të gjitha etnive, se këtë shtet duhet ta ndërtojmë konform slloganit ‘një shoqëri të barabartë për të gjithë’, me të cilin slogan kryeministri fitoi një kontingjent të konsiderueshëm të votave të shqiptarëve dhe sot, po ky kryeministër deklaron se kërkesat e shqiptareve për barazi janë shumë ambicioze. Barazia qytetare dhe kombëtare janë vlera për të cilat angazhohen shqiptarët dhe qytetarët e këtij vendi, vlera me të cilat përfundimisht do të realizojmë ëndrrën drejt integrimit në NATO dhe BE”, është shprehur Kasami. (koha.mk)