Duke marrë parasysh se jemi në rrugëtimin tonë euroatlantik, duhet theksuar se në shtetet e BE-së, ndihma shtetërore është rreptësishtë e kontrolluar qoftë në mënyrë direkte përmes subvencioneve apo me masa të tjera siç është falja e borxheve të ndryshme, çmimet e privilegjuara të furnizuesve që dukshëm mund të prishin konkurrencën. Pra , subvencionet lejohen, por me plotësimin e kritereve goxha të rrepta.
Nga Fisnik Pasholli
Shteti vite me radhë ndan me qindra milion euro për të subvencionuar veprimtaritë e ndryshme ekonomike, kulturore, bujqësore e kështu me radhë. Ndihmë për tërheqjen e investitorëve të huaj, udhëtime të lira, për të sjellë turistë nga jashtë, për të botuar libra, për të aftësuar bujqit të ballafaqohen me konkurrencën evropiane, mbulimin e borxheve të komunave ….. Por shtrohet çështja se sa harxhim i tyre është efikas , sa sjellë dobi dhe përfitim për shoqërinë, sa ndikon në politikën zhvillimore, për çka në tërësi mungojnë analiza më të detajuara të kosto-përfitimit të një projekti. Apo me fjalë të tjera, sa mjete kemi investuar dhe çka kemi përfituar pas një , dy apo më shumë viteve të ndihmës shtetërore ndaj projekteve të ndryshme. Në vitin e kaluar u publikuan analizat nga institucione të rëndësishme evropiane që treguan se në periudhën 2009-2015 subvencionet në blegtori dhe prodhimtarinë e pemë perimeve kanë pasur efektin më të madh, ndërsa efekti më i dobët ka qenë tek drithërat dhe kulturat industriale. Apo nga ana tjetër për çdo vit ndahen shuma të mëdha të parave për të mbështetur botimin e librave, ndërsa nga ana tjetër kemi rënie apo stagnim të interesimit për leximin e librit. Shtrohet çështja se sa është efekti i vërtetë i subvencioneve në këtë degë të kulturës, nëse ai nuk shkon së bashku me kultivimin e leximit që nga bankat shkollore .Pra, na mungon krijimi i kulturës së leximit që nga vitet e para të shkollimit , që në fund të fundit aftësia për të lexuar dhe shqyrtuar tekstin zhvillon edhe imagjinatën, dhe kreativitetin. Njëherësh shprehia e leximit nga së vogli ndihmon edhe pasurimin e fjalorin dhe lehtëson edhe shkollimin e mëtejshëm. Sfidë mbetet për shoqërinë dhe arsimin në Maqedoninë e Veriut edhe kultivimi i interesimit të fëmijëve për lexim në një ambient që se vjen e më shumë dominohet nga bota e internetit apo ajo digjitale .Mirëpo, një kujdes më i madhe apo edhe orientimi i drejtë ndaj përfitimeve dhe rreziqeve së botës virtuale, nuk përjashton botën e leximit , por vetëm e pasuron atë. Mbetet që në të ardhmen më shumë të bisedohet , debatohet dhe popullarizohet bota e librit, duke i afruar këtë thesar të madh fëmijëve , përmes librave së pari që janë interesante dhe jo edhe aq të komplikuar. Nëse punohet me përkushtim , seriozitet dhe në bazë të një strategjie afatgjate , nuk është e pamundur që edhe librat seriozisht të konkurrojnë lojërave kompjuterike, edhe pse leximi i një libri kërkon një mund më të madh mendor. Angazhim më i madh në këtë aspekt imponohet edhe nga rezultatet e dobëta të nxënësve tanë në lexim- shkrim, sidomos në aftësitë e lexim- shkrimit të kuptimshëm, që shpesh edhe si të rritur lexojnë , por nuk kuptojnë atë që lexojnë. Fëmijët të cilët nuk kanë aftësi të mira leximi dhe shkrimi, në të ardhmen kanë mundësi të kufizuara ekonomike dhe zhvillimore. Të lexuarit ka rëndësi jo vetëm për individin, por edhe për ekonominë dhe shoqërinë në tërësi. Studimet tregojnë se niveli mesatar i leximit të popullsisë së një vendi është një parashikues i mirë i rritjes së tij ekonomike. Nëse i kthehemi llojeve të ndryshme të subvencioneve mbetet diskutabile se sa një shtet kontinental duhet të funksionojë një fushë hokeji siç ishte ajo në Shkup, që me vite nuk ishte as leje për ndërtim ndërsa ka funksionuar dhe realizuar fitim nën emrin”vendosja e pajisjes urbane”. Një shembull pozitiv i subvencionimit paraqet mbulimi i transportit urban në qytetin e Shkupit për të moshuarit, të cilët në këtë mënyrë fitojnë një shërbim falas në kohën ku nuk kanë mundësi të realizojnë të ardhura shtesë, fitojnë të drejtën të jenë mobil , të harxhojnë në tërë qytetin duke qenë edhe konsumatorë dhe mbi të gjitha , një veprim i tillë tregon edhe një përkujdesje për pensionistët. Shembull tjetër pozitiv i subvencioneve të shtetit është edhe pagesa e pushimit në banja për një pjesë të pensionistëve me të ardhura më të vogla. Pozitive është edhe subvencionimi i udhëtimeve të lira me avion, ku bile shpesh udhëtimi ajror është më i lirë se ai me autobus. Duke marrë parasysh se jemi në rrugëtimin tonë euroatlantik, duhet theksuar se në shtetet e BE-së, ndihma shtetërore është rreptësishtë e kontrolluar qoftë në mënyrë direkte përmes subvencioneve apo me masa të tjera siç është falja e borxheve të ndryshme, çmimet e privilegjuara të furnizuesve që dukshëm mund të prishin konkurrencën. Pra , subvencionet lejohen, por me plotësimin e kritereve goxha të rrepta. Në fund, mbetet detyrë e pushtetit që të analizojë dhe paraqesë në mënyrë më të hollësishme për taksapaguesit se si harxhohen paratë e ndihmës shtetërore dhe çfarë efekti apo rezultati kanë arritur ato në aspektin ekonomik, shoqëror, etj Si shtet megjithatë nuk jemi aq të pasur që resurset e ndryshme të mos i orientojmë edhe ndaj sektorëve të vetë qëndrueshëm që do të nxisin punësimin dhe do të avancojnë konkurrencën e ekonomisë vendore.