Shkup, 27 janar- Për të dytën herë me radhë shtyhet procesi gjyqësor kundër ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Sllobodan Bogoevski, i cili nga krerët e lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi, akuzohet për shpifje dhe cenim të integritetit, shkruan gazeta KOHA. Gjykatësi i rastit, Nuhi Rustemi, seancën e radhës e ka caktuar për më 25 maj të këtij vit, me çka palën paditëse e obligoi që të sigurojë dëshmi se vallë i akuzuari Bogoevski, “shpifjen” ndaj Ahmetit dhe Xhaferit, e ka realizuar në territorin e Maqedonisë apo jashtë saj. Njëherit, pala mbrojtëse në seancën e mbajtur të premten theksonte se klienti i tyre deklaratën e kontestuar e ka dhënë në Ambasadën e Amerikës në Maqedoni, për nevojat e gjykatës së Nju Jorkut, ku Bogoevski ka dëshmuar për rastin “Magjar Telekom”. Sipas tyre, kjo deklaratë nuk është dhënë brenda territorit të Maqedonisë, me çka Gjykata Civile e Shkupit, siç thanë ata, nuk është kompetente për procedimin e kësaj lëndë. Nga ana tjetër, avokatët që e kanë dorëzuar padinë, potencuan se mediat e vendit kanë raportuar se kjo deklaratë e Bogoevski, është dhënë në një zyrë avokati në Shkup, ndërsa në këtë takim ka marrë pjesë edhe një notere. Për t’u vërtetuar se ku në të vërtet ka qenë e dhënë kjo deklaratë, avokatja dhe noteria në seancën e radhës që është paraparë të mbahet në fund të muajit maj, nga ana e gjykatës do të thirren në cilësinë e dëshmitarëve. Brenda kësaj kohe, pritet që edhe i akuzuari Bogoevski, të pranon përgjigje nga Ambasada e Amerikës, se deklaratën e kontestuar e ka dhënë tek ata. Dëshmia e ish drejtorit të DSK-së, që kontestohet nga krerët e BDI-së, mendohet të jetë dhënë para Komisioni amerikan për letrat me vlerë, si dhe para Gjykatës së qarkut të Nju Jorkut, e cila në Maqedoni u bë aktuale pasi kjo gjykatë deklaratën e ka publikuar në ueb faqen e tyre, ndërsa mediat e vendit e kanë transmetuar në mënyrë integrale. Sipas kësaj dëshmie, Sllobodan Bogoevski, para gjykatës amerikane, ka thënë se në Maqedoni, me veturë zyrtare janë futur gjithsej 7.5 milionë euro për korruptimin e tre politikanëve, respektivisht ish kryeministrin Vllado Buçkovskin, Ali Ahmetin dhe Musa Xhaferin. (O.XH)