Evis HALILI
Shkup, 12 shkurt – Ndërmarrje publike, gjykata, institucione të kulturës…, janë disa prej vendeve ku mund të transferohen rreth 1600 administratorëve shqiptarë, pas ndryshimeve më të fundit ligjore të Ligjit për nëpunës shtetërorë, shkruan gazeta KOHA. Grupi i punës i ngritur në Sekretariatin e Marrëveshjes së Ohrit në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave është duke përgatitur planin për sistematizimin e këtyre nëpunësve që prej disa vitesh nuk kanë arritur të punësohen.
Edhe pse nuk SIMO nuk janë hollësi rreth institucioneve potenciale ku parashikohen të sistemohen këto nëpunës shtetërorë, bëjnë me dije se me punësimet e reja do të plotësohen vakumet në përfaqësimin e drejtë etnik. Në top listë mbeten ato drejtori, ndërmarrje, e dikastere të tjera ku përqindja e shqiptarëve është më e vogël se 25 për qind, si ndërmarrjet publike, gjykatat, e të tjera. Nuk dihet nëse në këto valë të re punësimesh grupi i punës do ta neglizhojë shansin për të korrigjuar defektet në administratat e shumë institucioneve, sidomos ato të kulturës, si Opera, Biblioteka universitare, Akademi, Muze, Galeri, Agjenci Filmi e të tjera, ku ose nuk ka asnjë të punësuar shqiptar, ose numri i tyre nuk është më i madh se një ose dy persona. Po ashtu si një prej institucioneve ku është kërkuar me insistim plotësimi me kuadro të rinj është edhe Enti Shtetëror i Statistikave, ku përqindja e kuadrit shqiptar është reduktuar ndjeshëm, madje edhe në njësitë në qytetet shqiptare.
“Sistematizimi i administratorëve që nuk janë ende në marrëdhënie pune mbetet prioritet i Qeverisë së re. Sistemimi i tyre do të bëhet konform planit që është duke u përgatitur nga SIMO, ku grupi i punës është duke hulumtuar ato institucione ku përqindja e shqiptarëve është jashtëzakonisht e vogël, ose nën 25 për qind. Besojmë se brenda një kohe të shkurtër do të arrijmë të mballimin procesin e sistematizimit”, thonë në Qeveri.
Ndryshimet në ligjin për administratorët u iniciuan nga deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim, ku përmes amendamentit të propozuar prej tyre mundësohet sistemimi i të punësuarve që prej disa vitesh paguhen nga SIMO edhe në organet e tjera shtetërore përveç atyre qeveritare dhe administrative, si në ndërmarrjet e ndryshme publike dhe në të gjitha institucionet arsimore dhe kulturore më vend.
Sistematizimi i tyre nëpër vende pune është arsyetuar edhe si një lehtësim nga barra e rëndë e kostos financiare që po paguan prej disa vitesh, duke dhënë paga mujore mbi 1700 personave. Ligji për nëpunësit shtetërorë, përpara ndryshimeve ligjore, kufizonte sistemin nëpër vendet e punës që nuk ishin pjesë e institucioneve shtetërore. Me ndryshimet ligjore opsionet e punësimit zgjerohen duke kaluar nga administrata shtetërore, edhe në të gjitha institucionet publike, si shkolla, universitete, e të tjera. (koha.mk)