Kthimi në shkolla varet nga vaksinimi i mësimdhënësve

74

Kreu Sindikatës për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SASHK), Jakim Nedellkov, vlerëson që mësimdhënësit mund të kthehen në punë me prezencë fizike vetëm pasi të jenë vaksinuar me vaksinën kundër virusit korona. Deri atëherë, nga SASHK-u janë të qëndrimit që mësimi të vazhdojë nga distanca

Zenel MIFTARI

Shkup, 15 prill – Procesi i vaksinimit kundër virusit korona të mësimdhënëseve ka filluar që nga java e kaluar. Vaksinimi së pari filloi me mësimdhënësit që janë duke zhvilluar mësimin me prezencë fizike, gjegjësisht mësuesit nga klasa e parë deri në të tretën. Nga Ministria e Arsimit për gazetën KOHA kanë thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë si institucion kompetent për procesin e vaksinimit dhe prej nga ata marrin udhëzime për veprime të mëtejshme. “Presim dritë të gjelbër nga institucionet shëndetësore që të vazhdoj procesi i vaksinimit edhe për pjesën tjetër të mësimdhënësve, sepse dinamika e vaksinimit përcaktohet nga Ministria e Shëndetësisë”, shprehen nga atje.

Në ndërkohë, kreu Sindikatës për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SASHK), Jakim Nedellkov, vlerëson që mësimdhënësit mund të kthehen në punë me prezencë fizike vetëm pasi të jenë vaksinuar me vaksinën kundër virusit korona. Deri atëherë, nga SASHK-u janë të qëndrimit që mësimi të vazhdojë nga distanca. “Vlerësojmë që mënyra e këtillë e mësimit duhet të vazhdojë deri në përmbyllje të vitit shkollor. Vetëm pasi të vaksinohen mësuesit – mund të fillojmë me mësimin me prezencë fizike”, deklaroi Nedellkov. Nga ana tjetër, mësuesit të cilët janë vaksinuar, kanë deklaruar se ndihen mirë dhe kanë bërë thirrje deri te të gjithë qytetarët që nëse ju jepet mundësia për t’u vaksinuar – ta pranojnë vaksinimin pa asnjë hezitim dhe të mos ju besojnë teorive konspirative që po qarkullojnë në rrjete sociale. Sipas tyre, vaksinimi është e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo katrahurë që është krijuar.

Vlen të theksohet se lidhjet e arsimtareve dhe organizatat e ndryshme në vendin tonë kanë bërë thirrje deri te institucionet arsimore që procesi mësimor të vazhdohet sa më shpejt t me prezencë fizike, sepse në këtë mënyrë – nxënësit janë duke humbur nga materiali mësimor. Këtë e konfirmoi edhe raporti më i fundit i UNESCO-s, sipas të cilës, më shumë se 20 për qind e nxënëseve në vitin 2020 nuk morën aftësitë themelore të leximit për moshën e tyre për shkak të mbylljes së pjesshme të shkollave gjatë pandemisë me virusin korona. UNESCO ka ngritur shqetësimin se në dekadën e ardhshme, do të kemi një çrregullim të sistemit shkaku i krizës me virusin korona dhe bëjnë thirrje në krijimin dhe futjen e kurseve dhe strategjive të reja për ta kompensuar humbjen gjatë periudhës me virusin korona.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut është nga vendet e pakta që i ka mbyllur shkollat për shkak të virusit korona. Mësimin me prezencë fizike e ndjekin vetëm nxënësit nga klasa e parë e deri në të tretën në shkollat ku numri i nxënëseve është shumë i ulët. Pavarësisht problemeve të shumta dhe numrit të madh të fëmijëve që kanë mbetur pa mësim nga distanca, për shkak mungesës së mjeteve teknologjike apo mungesës së internetit, nga dikasteri i Arsimit vazhdimisht përgjigjen se 90 për qind e nxënësve po ndjekin mësimin nga distanca. (koha.mk)