Leksionet që i mësoi Serbia nga e kaluara e vet, do t’i kenë dhënë mësim edhe Vuçiqit për t’u bërë pragmatik. Si duket edhe bashkësia ndërkombëtare ka pritur prej tij diçka të tillë, ndaj dhe është investuar politikisht në të…Mirëpo, veprimet praktike janë larg nga imazhi i ndërtuar dhe gjithnjë e më tepër bëhet e qartë se mbetet robi qëllimeve të qarqeve nacionaliste për ta zvarritur procesin e dialogut me Kosovën, për ta lënë të hapur opcionin “për një moment të volitshëm”…
Nga Daut DAUTI
- E kam parë moti një film që shpesh më kujtohet kur më asocon në diçka të ngjashme. Me KevinSpejsin brilant në rolin e sakatit, ka një përfundim impresiv. Filmi është paksa i komplikuar për t’u rrëfyer me pak fjalë, ndaj do të ndalem te thelbi dhe te porosia e fundit e filmit. Titullohet “Të dyshuarit e zakonshëm”( “The usualsuspects”), xhiruar njëzet e kusur vjet më parë, dhe ngjarja zhvillohet në një anije, ku një bandë trafikantësh gjenden në një situatë ku bien në grackë dhe të gjithë vriten një nga një. Mbetet gjallë vetëm njëri, personazhi me emrin Verbal(e luan Kevin Spejsi) i cili në hetuesi e rrëfen ngjarjen si dëshmitar…Hetuesi lucid, që e luan Çarls Palmintieri, mundohet ta gërryejë çdo fjalë të dëshmitarit, duke mos përjashtuar nga edhe atë nga dyshimi të ishte i involvuar në vrasjen e shokëve të vet… Gjithë kohën dëshmitari me atë fytyrë prej gjynahut, bindshëm dëshminë e sjell rreth një emri: Kobajashi… Kobajashi është një nga personazhet gjithsesi, por a ishte vrasësi i vërtetë, për emrin e të cilin më në fund bindet edhe hetuesi…Pas shumë humbje kohe, sakati, që mezi e heq zvarrë njërën këmbë dhe i ka të paralizuara gishtat e dorës, arrin ta bindë hetuesin se ai është i pafajshëm dhe ky e liron…Por, pak çaste pasi largohet, hetuesit i shkrep në kokë një shprehje, të cilën shqipëruar do të dilte si vijon: DJALLËZIA MË E MADHE E DREQIT ËSHTË KUR I KA BINDUR NJERËZIT SE NUK EKZISTON!
Në atë moment hetuesi shikon disa fotografi, copëza gazetash të ngjitura në mur, i jehojnë fjalët e mësipërme që ia kishte thënë Sakati dhe mbetet me gojën hapur duke i rënë nga dora edhe filxhani i kafesë!…Niset nga dera ta zë Sakatin!…Ndërkohë në kuadër na del sakati, i cili sa më shumë largohet nga e hetuesisë, aq më shumë nis t’i drejtohet këmba dhe t’i “çparalizohen” gishtat e paralizuar me të cilën gjithë kohën kishte marrë përgjëratën edhe të hetuesit, e me atë shtirje edhe kishe hedhur çdo dyshim nga vetja…drejtohet plotësisht dhe ecë normalisht i bindur se s’e sheh më hetuesi dhe diku afër e pret një veturë ku hip dhe largohet…Hetuesi më në fund e kupton se vrasësi të cilin e kërkonte dhe të cilit i kishte besuar se nuk është, ishte pikërisht Ai, Sakati. Sakati që kishte nxitur emocionet e mëshirës te hetuesi, që e KISHTE BINDUR SE AI NUK ËSHTË DJALLI, KISHTE QENË DJALLI VETË! Ai i cili ishte sjellë po njësoj edhe me shokët e tij, por që i kishte vrarë një nga një dhe asnjëri prej tyre s’kishte dyshuar…vetëm në çastet kur ishin gjetur përballë tij, për pak sekonda kishin parë vdekjen me sy…
Vërtet, duhet të jetë dhunti për t’ia hedhur botës! Për ta shitur veten me antipodin tënd dhe bota të të besojë…Në serialin shumë të përfolur nga unë “Abdylhamidi-Kryeqyteti”, ka një personazh, Shevanaz, që është personifikim i vetë djallit! Vetëm në filmat horror mund të gjendet ndonjë psikopat i cili kurdis e vret pa fije mëshire… Dhe në një moment, me këtë personazh skenaristët luajnë me shikuesit, duke krijuar iluzion se ka pësuar ndërgjegjësim të tillë, saqë nga një hebreje bëhet myslimane e devotshme, e cila arrin që ta bindë edhe familjen e sulltanit, para së gjithash sulltaneshën Bidar, se ajo vërtet është bërë një person tjetër, se ka rënë në “imla” dhe turpërohet nga të këqijat dhe është falënderuese që familja e sulltanit iu gjet pranë në momentin kur e tradhtoi babai i saj…Por, gjithë kjo del se është një shtirje e saj, se ajo është po ai persona i intrigave dhe vrasjeve të panumërta duke shantazhuar e duke fshehur dorën…
…
Situata artistike filmike na përkujton një personazh real, atë të presidentin serb, Aleksandar Vuçiq…Nëse kthejmë vitet e pushtetit të tij, do të shohim se sa ai ka punuar në PR-in e vet për ta bindur botën se është njeriu i paqes. Me fjalë të tjera, që të bindë qendrat vendimmarrëse se ai më është shkëputur krejtësisht nga e kaluara e tij si ithtar i njërit nga kriminelët e luftës që përfundoi në Hagë, Vojisllav Shesheli. Edhe nga ajo rruga politike e pasluftës, kur gjersa Shesheli ishte i mbyllur në Sheveningen, ai ishte në partinë e tij Radikale. Se shkëputja prej saj është përnjëmend. Si rezultat i kësaj, duke ndërruar retorikën, duke bërë edhe gjeste si ajo përulja para viktimave të Srebrenicës…ai ndërtoi njëfarë imazhi pozitiv edhe për Serbinëedhe për veten, duke e rikthyer edhe rolin e Serbisë si faktor në rajon.
Një politikan vërtet pragmatik, do të thoshim. Leksionet që i mësoi Serbia nga e kaluara e vet, do t’i kenë dhënë mësim edhe Vuçiqit për t’u bërë pragmatik. Në këtë kontekst mund të shihen edhe disa deklarata kundrejt problemit të Kosovës. Ai publikut serb i kishte thënë shumë herë se Serbia duhet të bëjë kompromis të dhembshëm, se nuk dëshiron ta gënjejë…(Nuk e dimë nëse këtë e kishte menduar me ndonjë këmbim territoresh që të mos dalë Serbia krejtësisht humbëse?Thoshte: nuk mund Kosova të marrë gjithçka, e Serbia asgjë! Askush nuk guxon ta poshtërojë Serbinë…)
Mirëpo, me gjithë deklarimet, në praktikë ka vazhduar statuskoja. Nëse në dekadat e fundit në Serbinë post Millosheviqiane ka pasur një pushtetar që ka mundur t’i preje gjërat në mënyrë të dhembshme dhe për këtë të mos paguajë kosto të lartë, sigurisht ky ka qenë Vuçiqi, me ngritjen e pashpjegueshme të autoritetit të tij. Si duket edhe bashkësia ndërkombëtare ka pritur prej tij diçka të tillë, ndaj dhe është investuar politikisht në të. Është munduar t’i bindë ndërkombëtarët se Kosova është ajo që nuk dëshiron dialog, se ajo nuk i respekton marrëveshjet, duke marrë si shkas mos realizimin e asociacionit të komunave serbe. Në të njëjtën kartë Vuçiqi luajti edhe këto ditë kur Qeveria e Kosovës vuri reciprocitet me targat për automjetet serbe(siç bën Serbia me vite për automjetet e Kosovës), dhe u ngut të tregojë se kjo është një masë e njëanshme. Por, i doli në shesh e pavërteta, sepse Albin Kurti u thirr në Marrëveshjet në Bruksel të cilat i ka nënshkruar edhe Vuçiqi! Në stilin tashmë të njohur të mbrojtësit të serbëve, ai u ngut ta dramatizojë duke çuar ushtri e polici në kufi me Kosovën, duke akuzuar Kurtin se po provokon…Zbatimi i një marrëveshjeje, qenka provokim?!Kurse Serbia që nuk i zbaton marrëveshjet, që luan vazhdimisht në dy binarë, kurrkujt kurrgjë…
“Pragmatisti” Vuçiq, për të cilin shumëkush mund të vinte bast se ka ndryshuar nga ai që e mbajnë mend nëpër fotografitë e fillimit të luftërave në ish-Jugosllavi, ka gjasë të ketë bërë sërish kthim prapa, edhe nëse për shkaqe pragmatike deri tash ka lënë përshtypje se ka shkuar rrugës së kompromisit me Kosovën. Shumë suflerë nacionalistë, duke përfshirë edhe gurunë e tij të dikurshëm, Sheshelin, edhe Daçiqa e MirosllavLLazanska, me gjithë Kishën, i kanë mëshuar telit se Serbia nuk ka nevojë të ngutet.
Por, a është origjina e tij ideologjike i viteve 90-të, apo disa ngjarje në skenë botërore që i dhanë frymëzim plotësues, që e bëjnë të luajë në një tjetër kartë të pragmatizmit, i cili gjithnjë e më qartë e artikulon qëndrimin kundër njohjes së Kosovës: “kjo kurrë nuk do të ndodhë”?! Frymëzimi mbase i është forcuar nga “suflerët” se Serbia asnjëherë nuk duhet ta njohë Kosovën, që në një të ardhme të krijohet mundësia për ta rikthyer atë? Në një të ardhme, kur përkrahësit e sotëm të Kosovës s’do të jenë më këta që janë! Frymëzimi më i madh për këtë opsion është sigurisht intervencionizmi i Rusisë për të mbrojtur “popullin e rrezikuar rus” në shtetet e pavarësuara nga ish-Bashkimi Sovjetik(Ukrainë, Gjeorgji…). Promovimi i idesë së “botës serbe” mund të jetë pikërisht një imitim i veprimeve të Rusisë, por dhe vijim i ëndrrave të kahershme të nacionalizmit serb nga Naçertania gjer më sot.
Acarimi i fundit në Bërnjar dhe Jarine, në Mal të Zi(ngjarja me kishën në Cetinje), jostabiliteti latent në Bosnje, ku Republika Serbe, e krijuar në bazë të gjenocidit, vazhdojnë të jenë në agjendën e realizimit të qëllimeve të dështuara të Millosheviqit, janë shenja të qarta. Mbase ish-kryetari kroat, StipeMesiq më së miri e shpreh përmes krahasimit të ekspanzionizmit të Hitlerit, pas të cilit shkuan gjermanët duke përjetuar katarzën e dështimit të ideve të tij, gjë të cilën e kuptuan pas lufte, ndërsa serbët ende nuk e kanë përjetuar atë katarzë. Ai thotë: “Serbia nuk e ka përjetuar katarzën. Ajo akuzon Millosheviqin jo pse ka shkuar në luftë, por pse në atë luftë nuk ka fituar dhe tash disa nuk mund të pajtohen për ta kuptuar se kanë shkuar rrugës së gabuar dhe se duhet të ndërtojnë marrëdhënie me fqinjët.”. Kryetari kroat mendon se Serbia “as mund ta okupojë me ushtri, as me çfarëdo mënyre tjetër të zgjidhje të vet për Kosovën”.
Nëse është kështu si thotë Mesiqi, atëherë kthehemi te strategjia e luajtjes me faktorin kohë, për ta zgjatur statuskuonë për të pritur momentin e volitshëm. Kjo zaten shihet edhe nga armatimi, çka i falur e çka i blerë nga Rusia, për të krijuar epërsi ushtarake ndaj secilit fqinj dhe për cilindo qëllim(qoftë ndaj Kosovës, qoftë ndaj Bosnjës), sipas modelit turk të Qipros(40 vjet nga ndarja, me dhjetëra rezoluta, por Qiproja turke vazhdon të jetë e ndarë me ndihmën e Turqisë), ose nga periudha më e re, përkundër akuzave ose rezolutave të OKB-së, fuqia nuk pyet dhe praktikisht pjesa ruse e Gjeorgjisë ose Ukrainës (Osetia Jugore, Krimeja, Donjecki…), mbeten nën kontrollin rus.
Duke e ditur se ujku qimen e ndërron, e hujin jo, ose mashtrimi që djalli ia ka hedhur botës se nuk ekziston(sipas filmit të sipërcituar), atëherë mbetet që Kosova të veprojë me strategji të kundërt nga ajo e zvarritjes së dialogut, e jo siç dëgjoj të parapëlqejnë disa qarqe të afërta me pushtetin aktual të Kosovës se Kosova nuk ka nevojë të ngutet! Sepse, pikërisht zvarritja i përgjigjet Serbisë. Kosova duhet të bëjë përpjekje sa më parë ta përmbyllë dialogut, duke bindur faktorët ndërkombëtarë se kush i bën obstruksion procesit, ta zhveshë imazhin që është munduar ta ndërtojë Serbia dhe udhëheqësit e saj deri tash.
- Vetëm shkurt desha të them dy fjalë për ta përshëndetur kulturën politike që promovuan organizatat rinore të dy partive më të mëdha në pushtet. Ato nënshkruan një marrëveshje ku garuesve politikë të zgjedhjeve lokale u sugjeruan të bëjnë fushatë pozitive, të respektojnë ligjet etj,.etj. Por, kur jemi te respektimi i ligjit, “në prapavijë” ra në sy emri i Institutit për Strategji Ekonomike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Ohër, si organizator i kësaj, ku as emri, e as kudo qoftë tjetër, në një tryezë të rrumbullakët organizuar, nuk e përdornin shqipen, por veç maqedonisht dhe anglisht…
Shembull “i mirë” për respektimin e ligjit!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)