Nga Fisnik PASHOLLI
Një nga temat më të përfolura në periudhën e ardhshme parazgjedhore, patjetër se do të jetë ikja e madhe e të rinjve si dhe mundësia që së paku një pjesë e tyre të kthehen në vendlindje. Kishte një film aksion në disa vazhdime, shumë i bukur dhe interesant në vitet e kaluara me aktorin amerikan Tom Kruz, Misioni i Pamundur, apo “Mission: Impossible”. Por a është me të vërtetë mision i pamundur apo i pabesueshëm , kthimi i mërgimtarëve në vend?
Nëse kjo çështje mbetet në nivel të debatit se kush e ka fajin më shumë apo më pak për ikjen e të rinjve në 30 vitet e fundit, se kush e ka ndihmuar apo përshpejtuar atë, se kush e ka fajin apo jo, vështirë se do të kemi sukses për të zbutur këtë dukur negative. Fajin e kanë të gjithë faktorët politik nga pak, por edhe më shumë e kanë fajin krizat politike të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, pagat dhe jetesa thjesht më e mirë në perëndim, vonesat e integrimeve euro atlantike, ambienti që nuk ju bën përshtypje të mirë njerëzve, mungesa e perspektivës etj Po ikin njerëzit edhe nga Kroacia Bullgaria, apo Gjermania , por edhe kthehen ta zëmë në Poloni. Do të shohim në muajt në vijim se pozita dhe opozita jo vetëm do të angazhohen, por edhe do të ofrojnë pako dhe masa konkrete për vendbanime konkrete për të shtyrë një pjesë të mërgimtarëve që të vendojnë në peshore, argumentet pro dhe kontra për të qëndruar jashtë dhe për ty kthyer në vendlindje.
Do të shohim se sa për çdo vendbanim në veçanti, do të ofrohen masat konkrete dhe të ndryshme për të përmirësuar jetesën në nivel lokal, por edhe si do të duken politikat në nivel kombëtar të joshjes së kthimit. Krahas ofertave konkrete për përmirësimin e ambientit të përgjithshëm ekonomik, social, politik dhe shoqëror, nga ana e pretedentëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, mbetet edhe sfida e adresimit më konkret të shqetësimeve të rinisë që po ikin jashtë dhe zgjidhjes graduale të halleve dhe telasheve të tyre.
Përvojat edhe të shteteve që kanë kaluar kriza jo të lehta ekonomike tregojnë se edhe mërgimtarët shqiptarë nga Greqia kanë vajtur në Angli, apo nga Italia kanë vajtur në Zvicër. E tani në javët e kaluara, Greqia po angazhohet që të kthejë talentet e ndryshme apo trurin e ikur gjatë krizës financiare.
Për t’i inkurajuar të rinjtë e talentuar nga jashtë, autoritetet greke kanë filluar një model të subvencionimit të pagave të quajtur “Rebrain Greece” që ju ofron 500 të rinjve që konsiderohen ndër më të mirët një pagë mujore prej 3000 euro nëse kthehen në Greqi si pjesë e këtij projekti. Në muajin korrik të vitit të kaluar qeveria spanjolle dhe organizata private Volvemos, kanë ngritur nismën të kthejnë “gjeneratën e humbur”, përmes një pilot projekti”Po kthehemi”, apo “Plan de retorno”. Ai parashikon 50 masa konkrete që synojnë të bëjnë Spanjën një vend atraktiv për zhvillim personal dhe profesional, ndërsa do të financohet me 24 milion euro. Në gjashtë muajt e kaluar , 10.895 emigrant spanjoll kanë shprehur dëshirën për tu kthyer në shtëpi, 500 mërgimtarë janë kthyer, ndërsa janë ofruar edhe 527 vende pune për mërgimtarët.
Në rastin tonë akoma nuk kemi dëgjuar ndonjë plan konkret, por edhe të targetuar ndaj mërgimtarëve për tu përpjekur të kthejmë një pjesë të tyre. Në kohën kur ofrojmë subvencione nga gjilpëra deri te lokomotiva , apo turli tava subvencione për gjëra të ndryshme , ndoshta është koha të mendojmë edhe për subvencionet për kthimin e mërgimtarëve.