Kufijtë në rajon kanë filluar të hapen, ndërsa pritet që pas një qershorit me marrëveshje të ndërsjella të hapen kufijtë për tërë Ballkanin Perëndimor. Kufijtë e Evropës për banorët e rajonit pritet të hapen pas datës 15 qershor, apo më së voni nga 1 korriku
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 maj – Të gjitha shtetet e rajonit në varësi prej kurbës apo numrit pacientëve të sëmurëve dhe të shëndoshur nga ÇOVID-19 , ngadalë po hapin bizneset dhe shërbimet e tjera publike. Kufijtë në rajon kanë filluar të hapen, ndërsa pritet që pas një qershorit me marrëveshje të ndërsjella të hapen kufijtë për tërë Ballkanin Perëndimor. Kufijtë e Evropës për banorët e rajonit pritet të hapen pas datës 15 qershor, apo më së voni nga 1 korriku. Për dallim nga Maqedonia, vendet e rajonit tashmë kanë përgatitur protokolle se kush mund të hyjë në vendet e tyre. Edhe pse Maqedonia pritet t’i hapë kufijtë e saj brenda pesë ditëve, ende nuk është përcaktuar nëse do të kërkohet test të korona virusit për hyrje. Propozimi fillestar ishte që kufijtë e Maqedonisë të hapen më 15 qershor, por pas vendimeve të fqinjëve tanë, Komisioni për Sëmundje Infektive ndryshoi mendim dhe ndryshoi rekomandimin, edhe pse data është e njohur, komisioni nuk ka miratuar protokoll përfundimtar se si dhe në çfarë mënyre qytetarët do të largohen ose do të hyjnë në vend. Komisioni ende po diskuton nëse do të miratohen testet e detyrueshme për koronavirus. Për dallim nga ne, fqinjët kanë publikuar tashmë protokoll që qytetarët duhet ta respektojnë.
MALI I ZI, I PARI ME ZERO PACIENTË NGA KORONAVIRUSI
Mali i Zi bëhet gati të mirëpresë vizitorë sërish, pasi deklaroi zero numrin e të infektuarve me korona virus. Në një lëvizje që konsiderohet si jetësore për turizmin e shtetit në Adriatik, Podgorica njoftoi se në qershor do të rihapte kufijtë për ato shtete që raportojnë jo më shumë se 25 raste infektimesh për 100 mijë persona. Mali i Zi do të hapë kufijtë e saj me Kroacinë, Slloveninë, Austrinë, Gjermaninë, Poloninë, Republikën Çeke, Hungarinë, Shqipërinë dhe Greqinë më 1 qershor. Gjithashtu, janë hapur edhe kopshtet dhe kinematë javën e ardhshme, ndërsa do të lejohen tubime publike deri në një numër të caktuar njerëzish në fillim të qershorit.
SHQIPËRIA RIHAP KUFIJTË MË 1 QERSHOR
Në 1 qershor do të hapen kufijtë tokësor me vendet fqinje dhe kjo do të bëhet me anë të një marrëveshje bilaterale mes vendeve përkatës. Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Kornelia Ferizaj në një intervistë për Report TV sqaroi të gjitha procedurat, që sipas janë të detajuara në protokoll. Ferizaj u shpreh se edhe pse ky është një vit i vështirë, nga bizneset private të turizmit nuk do të ketë rritje të çmimit. Sipas Ferizaj, karantina për turistët që vijnë për plazh në Shqipëri nuk do të jetë si karantina që jemi mësuar deri tani. Drejtorja e Agjencisë Kombëtare e Turizmit tha se çdo hotel do të këtë një koordinator covid që do të mbajë regjistër të turistëve që hyjnë dhe dalin në hotel, do t’u matet temperatura dhe nëse do të këtë dyshime, në protokoll është përcaktuar procedura si do të ndiqet ky rast. Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se është miratuar protokolli i sigurisë për hapjen e çerdheve dhe kopshteve nga data 1 qershor. Gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, ministrja shtoi se faza e dytë e rihapjes do të vijojë edhe me sezonin turistik, me protokolle sigurie në funksion të mbrojtjes, për të kufizuar përhapjen e COVID-19.“Strategjia e rihapjes do të vijojë sipas fazave që komiteti teknik i ekspertëve ka miratuar. Do të vijojmë me hapjen e çerdheve dhe kopshteve nga data 1 Qershor, protokolli i të cilave është miratuar dhe është shpërndarë për t’u parapërgatitur për këtë datë. Nuk duhet të harrojmë që ky virus vijon të qarkullojë dhe ne duhet t’i përgjigjemi me të gjitha strukturat në gatishmëri. Kemi hyrë në javën e 12 të epidemisë me mbi 1 mijë të prekur. Tashmë edhe puna bëhet më e vështirë për të gjurmuar kontaktet, ndaj duhet të intensifikohet puna nga strukturat tona të terrenit”.
Në Shqipëri, më datë 18 maj, rinisën punën, baret dhe restorantet rinisën punën, duke zbatuar protokollin e masave higjieno-sanitare të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Këto subjekte lejohen të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 17:30. Për ata subjekte që do të vazhdojnë aktivitetin pas kësaj fashe orari, qeveria ka parashikuar masa të ashpra me gjobë deri në pezullim të aktivitetit. Bar-kafetë dhe restorantet duhet të pajisen me të gjitha mjetet e nevojshme për mbrojtjen e personelit dhe klientëve, ku përfshihen dorezat, dezifektantët dhe maskat për stafin, ndërsa për klientët do të vendoset një higjienizues për duart, në hyrje të subjekteve. Ndërkaq, tavolinat vendosen në 2 metra largësi midis njëra- tjetrës për të respektuar distancën fizike ndërmjet klientëve. Sa i takon dezinfektimit të ambienteve të bareve dhe restoranteve, ky proces parashikohet të kryhet 2 herë në ditë.
KOSOVA, 28 MAJ NISËN LEHTËSIMI I MËTEJSHËM I MASAVE
Në Kosovë, nga data 28 maj, do të fillojë lehtësimi i mëtejshëm i masave të izolimit kundër koronavirusit. Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, dha më shumë detaje: “Ndër masat lehtësuese është hapja e objekteve fetare nga data 28 maj. Po ashtu orari i lëvizjes do të ndryshojë, do të largohen masat për lëvizje të qytetarëve dhe ky orar do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 21:00, pa kufizime”. Vitia po ashtu tha se varësisht nga situata epidemiologjike, deri në fund të këtij muaji do të mbyllet edhe karantina në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Sa i përket hapjes së kufijve, ai tha se ende nuk ka ndonjë vendim dhe se gjithçka do të varet nga situata epidemiologjike dhe nga shtetet e tjera. Ndërkaq, sa i përket hapjes së shkollave dhe kopshteve të fëmijëve, Vitia tha se po bëhen diskutime të vazhdueshme me Ministrinë në detyrë të Arsimit dhe se në qershor mund të ketë lehtësim të masave. Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë thënë se derisa kufizimet po hiqen gradualisht, masat mbrojtëse si: maskat, ruajtja e distancës dhe kujdesi i shtuar i higjienës, duhet të praktikohen nga qytetarët. Kosova më 18 maj nisi implementimin e fazës së dytë të rikthimit në normalitet, duke zbutur masat kufizuese të vendosura për të frenuar përhapjen e Covid-19.
Gjatë saj do kishte hapje më të madhe të ekonomisë dhe lëvizje të shtuar të qytetarëve. Konkretisht u rihapën sallonet e bukurisë dhe berberët, stomatologët, tregu me pakicë, , gastronomia, apo a varianti “ merre me vete”, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë. Faza e parë e lehtësimit të masave për të luftuar koronavirusin në Kosovë filloi më 4 maj, teksa faza e dytë parashikohet të zgjasë deri më 1 qershor.
GREQIA HAPET MË 15 QERSHOR PËR TURISTËT E HUAJ
Duke nisur nga 15 qershori, Greqia pret turistë nga jashtë. Autoritetet vendosën që të hënën që të hiqnin ndalimin për të udhëtuar në ishuj, për t’i dhënë vrull turizmit. Sshumica e fluturimeve për në Greqi do të rifillojnë deri në 1 korrik, kur hotelet sezonale do të rihapen dhe karantina dy-javore për të huajt nuk do të jetë më në fuqi. Por turistët nga vendet me nivele të larta infeksioni nuk do të lejohen fillimisht të vizitojnë. Për grekët plazhet janë hapur më 16 maj. Plazhistëve iu kërkohet që të mbajnë distancë me njëri tjetrin e madje edhe çadrat duhet të kenë distancën e duhur, në mënyrë që të mos ketë më rikthim të pandemisë së Covid-19.
Qeveria ka vendosur që të mos lejohen nëpër plazhe më shumë se 40 njerëz për 1000 metra katror, ndërsa çadrat duhet të jenë larg me njëra tjetrën 4 metra. Ne fillim të muajit maj, apo nga 4 maji, grekët kanë filluar të lëvizin lirisht duke respektuar protokollet e sigurisë shëndetësore. Rënia e karantinës në Greqi vlen për gjithë vendin teksa janë hapur dyqanet e vogla, kishat, libraritë, njësitë shitëse me pajisje elektronike, produktet atletike, parukeritë, qendrat estetike, produktet okulare. Greqia ka hedhur hapin e katërt drejt lehtësimit të masave kundër pandemisë në vend, duke rihapur bizneset e bar-restoranteve dhe lëvizjet me traget mes ishujve grekë. Të hënën, qeveria greke njoftoi hyrjen në etapën e katërt të luftës kundër pandemisë, me lehtësime të reja që synohet të shpëtojnë sezonin turistik të vendit.
SERBIA ANULON GJENDJEN E JASHTËZAKONSHME
Qeveria e Serbisë vendosi më 21 maj për rihapjen kufijve të saj, pasi i kishte mbyllur ato më 15 mars, për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19. “Pas përmirësimit të situatës me pandeminë, qeveria vendosi të rihapë pikat kufitare dhe të lejojë hyrjen e të gjithë njerëzve në Republikën e Serbisë, pa një test të detyrueshëm të koronavirusit dhe miratimin e komisionit”, thuhet në një deklaratë të qeverisë së Serbisë. Në kuadër të masave kundër pandemisë, Serbia gjithashtu kishte mbyllur restorante, kafene, shkolla dhe kopshte. Por, këto masa janë hequr dhe tani njerëzve u kërkohet vetëm të mbajnë distancën fizike dhe të vendosin maska kur janë jashtë shtëpisë.
BULLGARIA DHE KROACIA I KTHEHEN NGADALË NORMALITETIT
Bullgaria do të hap kufijtë me Greqinë dhe Serbinë më në 1 qershor. Disa hotele dhe pishina janë të hapura, dhe lejohen sporte individuale. Disa tregje dhe bare në natyrë janë gjithashtu të hapura, dhe restorantet do të jenë të hapura nga 1 qershori. Lejohen e dhe vizitat në male dhe parqet kombëtare .
Kroacia ka hapur disa kufij me shtetet evropiane. Të huajt që zotërojnë pasuri të paluajtshme, anije ose anëtarë të afërt të familjes dhe turistë me rezervime mund të hyjnë në vend. Parqet, plazhet, dyqanet, muzetë, hotelet, restorantet dhe baret janë të hapura por me respektimin e masave mbrojtëse ngjashëm me shtetet tjera , si dhe një pjesë e transportit publik. Po funksionojnë edhe disa linja ajrore vendase dhe ndërkombëtare. (koha.mk)