Me modelin për ndarjen e subvencioneve nga ana e Qeverisë së Maqedonisë, kryetari i Asociacionit të Mediave të Shkruara në Maqedoni (AMSHM), Lirim Dullovi, theksoi jo vetëm që lehtësohet puna e mediave, por po kthehen shpresat e gazetarisë së mirëfilltë në Maqedoni
Zejnulla VESELI
Shkup, 28 janar – Nga 13 gazeta të shkruara që kishin aplikuar për subvencionim e 50 për qind të mjeteve për shtyp dhe distribuim të gazetave për vitin 2018, Qeveria 11 prej tyre ua ka transferuar 42.568.620 denarë në bazë të programit Qeveritar për përkrahje financiare. Është refuzuar revista “Porta 3” dhe revista “Shenja” për shkak se nuk i kanë plotësuar kriteret. Kështu ka thënë ministri për komunikim dhe llogaridhënie, Robert Popovski, sipas të cilit, nga programi i Qeverisë për vitin 2018, ku ishin paraparë të ndahen 50 milionë denarë për ndihmë të mediave të shkruara, në bazat të faturave për vitin 2017, gazetës ditore “Nova Makedonija” i janë paguar 6.183.000 denarë, “Sloboden Peçat” 14.277.742 denarë, “Bitolski Vesnik” 244.500 denarë, “Zaman” 903.092 denarë, “Zenit Pres” 287.343 denar, magazina javore “Kapital” 2.115.614 denarë, gazeta “KOHA” 4.932.157 denarë, “Veçer” 7.255.047 denarë, “Lajm” 1.043.912 denarë, “Fokus” 4.624.438 denarë dhe “Ekonomi dhe Biznes” – 701.105 denarë.
Me ndihmën financiare që Qeveria ua ndan mediave të shkruara, ministri Popovski tha se Qeveria dëshmon se është e hapur të ndihmojë financiarisht mediat, gazetarinë dhe profesionin gazetarisë. “Maksimalisht pa ushtruar ndonjë ndikim në politikën redaktuese të mediave, edhe për vitin 2019 do t’i subvencionin mediat e shkruara me te njëjtën ndihmë prej 50 milionë denarë. Me shpërndarjen e këtyre mjeteve, nuk bëhet fjalë ose përpjekje për të korruptuar apo të ushtrojmë trysni ndaj politikës redaktuese të gazetave të shkruara. Mjetet e ndara nuk janë para për amputimin e mediave, por kthimin e një pjese të mjeteve të shpenzuara për shtyp dhe distribuim që i kanë bërë gazetat. Kriteret janë të qarta dhe për këtë ka rekomandim edhe nga OSBE dhe shumë vende tjera evropiane”, tha ministri Popovski.
Me modelin për ndarjen e subvencioneve nga ana e Qeverisë së Maqedonisë, kryetari i Asociacionit të Mediave të Shkruara në Maqedoni (AMSHM), Lirim Dullovi, theksoi jo vetëm që lehtësohet puna e mediave, por po kthehen shpresat e gazetarisë së mirëfilltë në Maqedoni. Sipas Dullovit, me këtë masë Maqedonia është vendi i parë në rajon që po e përcjell këtë shembull. “Dua të theksoj se pothuajse të gjitha vendet e BE-së një periudhë të gjatë i ndihmojnë mediat e shkruara. Modelin tonë shumë vende të rajonit e kërkojnë që të njëjtin t’ua dorëzojnë qeverive të tyre”, tha Dullovi. Kur bëhet fjalë për modelin e ndarjes së subvencioneve, Dullovi theksoi se i njëjti është përgatitur nga vetë anëtarët e AMSHM-së.
“Ne me konsensus miratuan rregullat dhe kriteret për ndihmë nga Qeveria. Ka media që nuk morën ndihmë, sepse nuk i plotësuan kushtet e nevojshme. Mirëpo, për këtë AMSHM vendosi të formojë një Fond solidar dhe një pjesë të mjeteve të marra nga Qeveria, t’i ndajmë mediave që nuk morën ndihmë”, tha Dullovi. Njëherit, ai falënderoi të gjitha subjektet që e përkrahën këtë iniciativë të AMSHM që në fillim.
“Falënderime shkojnë për zyrën e OBSE-së, SHGM-në, Sindikatën e gazetarëve, Qendrën për zhvillim të mediave, të dyja Odat ekonomike si dhe AMSHM-në. Falënderim i posaçëm shkon edhe për ministrin Robert Popovski. Në takimin e parë me ministrin Popovski, disa herë na është drejtuar me fjalët: ‘Ta dini se para se gjithash, jam përfaqësues i juaj në Qeveri e jo e kundërta’. Me duhet ta pranoj se unë, thellë në vete, për shkak të përvojës se deritanishme që e kam pasur me politikanët tanë, kisha rezerva çfarë thoshte ministri. Sot, më duhet ta pranoj se nuk paskam gjykuar drejtë. Pas këtyre bisedave, Popovski me të vërtetë dëshmoi para se gjithash është koleg i yni, pastaj ministër në Qeverinë e Maqedonisë”, tha Dullovi. (koha.mk)