Kthehen dy tetovarët që udhëtuan me biçikleta në Haxh

16

Tetovë, 28 gusht – Dy tetovarët  Senat Idrizi dhe Amir Asllani, të cilët më 23 qershor me biçikleta nga Tetova udhëtuan për në Haxh, janë kthyer të martën në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Ata në aeroportin e Shkupit janë pritur nga familjarët, miqtë dhe të afërmit e tyre, të cilët kishin organizuar një befasi me rastin e kthimit të tyre nga Haxhi duke u lugut që Zoti të ketë pranuar haxhin e tyre.

Ata kanë rrëfyer disa nga momentet më emocionuese gjatë rrugëtimit për në Mekë dhe Medinë, në veçanti kanë nënvizuar mikpritjen e njerëzve nëpër të gjitha vendet që kishin përshkuar me biçikletë në rrugëtimin e tyre drejt vendeve të shenjta në Arabinë Saudite.

Njëherësh, Senati dhe Amiri kanë falënderuar të gjithë organizatorët për këtë mikpritje madhështore që është bërë në nder të tyre. Rikujtojmë se  Senat Idrizi dhe Amir Asllani me biçikleta kishin arritur deri në Jordani në kufirin Al Mudauera mes Joradnisë dhe Arabisë Saudite, por për shkak të refuzimit të vizave nga Arabia Saudite, ata ishin detyruar të ndërpresin rrugëtimin e tyre.

Mirëpo, fatmirësisht kjo nuk u zgjati shumë, pasi më vonë ata arritën të siguronin vizat nga ambasada e Arabisë Saudite në Tiranë dhe përfundimisht realizuan qëllimin e tyre që këtë vit të kryejnë Haxhin, kushtin e pestë të fesë Islame, raporton KOHA.

Përndryshe, rruga nga Tetova për në Mekë është 4563 kilometra e gjatë, dhe kjo nuk është eksperienca e parë për Senatin dhe Amirin. Më herët, ata kanë udhëtuar me biçikleta edhe në Tiranë dhe Sarajevë. Një pritje solemne në nder të tyre është organizuar edhe në vendlindjen e tyre në qytetin e Tetovës. (koha.mk)

Comments are closed.