KSHZ: Votimi i të burgosurve, të sëmurëve dhe diasporës po zhvillohet pa probleme

Shkup, 20 prill – Votimi i të burgosurve, të sëmurëve dhe diasporës po zhvillohet pa kurrfarë problemesh. Të gjitha vendvotimet janë hapur, ndërsa materiali zgjedhor është dorëzuar me kohë  kumtuan nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor për MIA-n.

“Përveç se në SHBA për shkak të dallimit në kohë, të gjitha vendvotimet në ambasadat e Maqedonisë së Veriut janë hapur me kohë dhe votimi po zhvillohet pa ndërprerje”, sqarojnë nga KSHZ-ja.

Sot, të drejtën e votës mund ta realizojnë 1.640 persona në shtëpitë ndëshkuese-përmirësuese dhe persona të cilët janë në paraburgim, shtatë të shpërngulur brenda vendit, si dhe 3.583 persona të sëmurë të cilët e kanë kërkuar këtë nga komisionet komunale zgjedhore.

Personat e shpërngulur votojnë në qendrat për pranim ku janë vendosur, të sëmurët në shtëpitë e tyre, ndërsa votuesit të cilët në ditën e zgjedhjeve janë në arrest shtëpiak në vendin ku e kryejnë masën.

Votimi edhe sot edhe në ditën e zgjedhjeve fillon në orën shtatë dhe do të zgjasë deri në orën 19.