Shkup, 16 dhjetor – Komisioni shtetëror zgjedhor pasdite e ka vazhduar seancën për shqyrtimin e ankimimeve të parashtruara nga partitë politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. KSHZ-ja duhet të prononcohet për ankimimet tjera të ngritura nga Koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja. Deri më tani, KSHZ i refuzoi shtatë parashtresa nga Lëvizja BESA dhe tri parashtresa të shtruara nga Koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja. Për një parashtresë të Lëvizjes Besa e cila ka të bëjë me një vendvotim në Gostivar KSHZ kërkoi ekspertizë grafologjike të nënshkrimit të një votuesi për të cilin është përcaktuar se ka pasur përpjekje për të votuar për herë të dytë. Nuk u pranuan as parashtresat e LSDM-së për vendvotimet 2010 dhe 2025 në komunën e Tearcës, ndërsa pas ekspertizës së bërë në materialin zgjedhor për vendvotimin 2024 u përcaktua se numri i votave dhe i fletëvotimeve të pavlefshme përkon me numrat në procesverbal, me ç’rast edhe kjo ankesë u refuzua. Për parashtresën për vendvotimin 2016 u thirr një anëtar i Këshillit zgjedhor, por me kërkesë të KSHZ-së nesër në seancë duhet të vijnë edhe anëtarët e tjerë të këshillit zgjedhor me qëllim që ta konfirmojnë procesverbalin zgjedhor. Komisioni e shqyrtoi edhe parashtresën e vendvotimit 2011 ku pohohet se ka munguar një fletëvotim dhe se është zbatuar i ashtuquajturi treni bullgar. Me qëllim që të përcaktohen faktet, janë marrë në pyetje anëtarët e këshillit zgjedhor dhe të KKZ-ve me ç’rast është bërë edhe shqyrtim i materialit zgjedhor ku kërkohej që procesverbali të bëhet para fillimit të votimit.