Shkup, 11 mars – Vetëm tre nga nëntë kandidatë do të futen në garën për president të shtetit më 21 prill. KSHZ sot konfirmoi se Gordana Siljanovska -Davkova, Stevo Pendarovski dhe Blerim Reka në afatin e paraparë ligjor kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme, njofton Koha.
“Nga gjithsej nëntë kandidatë të cilët mblodhën nënshkrimet në zyrat rajonale, më së paku 10 mijë nënshkrime të nevojshme për mbështetje të kandidaturës kanë mbledhur tre kandidatë edhe atë Gordana Siljanovska -Davkova, Stevo Pendarovski dhe Blerim Reka. Kandidatët e tjerë nuk i kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme”, ka deklaruar sot zëdhënësja e KSHZ-së, Lupka Guguçevska.
Silajnovska- Davkova e cila mbështetet nga VMRO-DPMNE ka mbledhur 15.926 nënshkrime, Stevo Pendarovski i mbështetur nga LSDM ka mbledhur 31.729 nënshkrime. Blerim Reka i përkrahur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA ka mbledhur 11.128 nënshkrime.
Pendarovski dhe Siljanovska- Davkova kanë mbështetjen edhe të së paku 30 deputetëve. Guguçevska ka thënë se vijon mbikëqyrja publike në Listën zgjedhore, i njëjti është i hapur për mbikëqyrje deri më 14 mars në ora 24.
Ajo ka thënë se deri dje gjithsej 50.572 qytetarë kanë kryer mbikëqyrje në Listën zgjedhore në zyrat rajonale dhe janë sjell 119 vendime për regjistrim në Listën zgjedhore, 107 vendime për fshirje nga Lista zgjedhore si dhe 29 vendime për ndryshim të të dhënave në Listën zgjedhore.
“Apeloj deri te qytetarët më së voni më 14 mars të shfrytëzojnë mundësinë për mbikëqyrje në Listën zgjedhore, të dorëzojnë kërkesë për regjistrim, fshirje ose ndryshim të të dhënave në zyrat tona rajonale”, ka shtuar zëdhënësja e KSHZ-së.
Në rrjedhë është paraqitja për votim në diasporë, ndërsa deri sot janë dorëzuar vetëm 920 fletëparaqitje, ku pesë prej tyre janë refuzuar. (koha.mk)