Fatos RUSHITI
Shkup, 27 gusht – Komisionin Shtetëror Zgjedhor vazhdon ta shoqërojë dilema sa i përket legjitimitetit të përbërjes së tij, por dhe paqartësive sa i përket pastrimit të Listës zgjedhore, shkruan gazeta KOHA. Lëvizja BESA ka kohë që pretendon të ketë anëtarin e saj në KSHZ, duke iu referuar bazës ligjore – konkretisht nenit 27 të Kodit zgjedhor që i jep të drejtë partisë së dytë më të madhe opozitare të propozojë dhe të ketë anëtar në KSHZ. Nga kjo parti thonë se shumë shpejtë do ta kenë anëtarin e tyre në KSHZ posa deputetët të kthehen me pushime në fund të gushtit, duke qenë të bindur se nga interpretimi autentik i Kodit Zgjedhor, e drejta do të jetë në anën e tyre. Deputeti nga radhët e Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, ka deklaruar se partia e tij pret që para zgjedhjeve lokale, anëtari i tyre të ulet në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Sipas tij, procedura ka filluar para tre muajve dhe nëse nuk përfundon para zgjedhjeve lokale, të gjitha vendimet do të kundërshtohen.“Neve na ka ra të kemi anëtar në KSHZ. Kjo është detyrë ligjore, nuk është patjetër të ketë marrëveshje ndërpartiake, duhet vetëm të zbatohet Ligji. Prandaj kemi kërkuar interpretim autentik të Ligjit zgjedhor. Tani duhet Parlamenti, Komisioni i ekzekutiv-ligjor ta zbatojë detyrimin. Vlerësoj se ka kohë para zgjedhjeve, procedurën e kemi filluar para tre muajve. Parlamenti duhet ta përfundojë këtë, sepse bëhet fjalë për respektim të Ligjit”, ka theksuar Zendeli. Nga ana tjetër, anëtari i KSHZ-së, Bedredin ibrahimi, nuk pranon të prononcohet përsëri për këtë çështje, por në një prononcim të një muaji më parë për gazetën KOHA, ai kritikoi kreun e Lëvizjes BESA, duke akuzuar se nuk dinë të lexojnë mirë ligje dhe kode dhe se mandati i tij është 5-vjeçar e të cilin e mbron vetë Kodi Zgjedhor. Përndryshe, përbërja e KSHZ-së ka nëntë anëtarë – tre të pavarur, tre të propozuar nga Qeveria dhe tre nga opozita. Lidhur me këtë çështje, Kodi zgjedhor konkretisht neni 27.5 thotë se “nga kandidatët e propozim-listës për anëtarë të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, tre anëtarë propozojnë partitë politike në opozitë, edhe atë partia politike në opozitë me numër më të madh deputetëve në Parlament propozon dy anëtarë, kurse partia politike në opozitë me numër më të madh të deputetëve në Parlament propozon një anëtar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve”. Në nenin 28, që ka të bëjë me përfundimin e funksionit në KSHZ para skadimit të mandatit, për të cilin pretendon se ka të drejtë Bedredin Ibrahimi, thuhet në paragrafin 1: “Funksioni i anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve u ndërpritet para kalimit të mandatit nëse ndërpritet një nga kushtet e përcaktuara në nenin 27, paragrafi 1 dhe 2 të këtij Kodi”. Ndryshe, paragrafi 1 thotë kështu: “anëtar të KSHZ-së të propozuar nga partitë politike mund të zgjidhet personi që i përmbush kushtet si në vijim: të jetë shtetas i RM me vendbanim të përhershëm në RM. Të jetë jurist i diplomuar më së paku pesë vjet përvojë pune dhe të mos jetë anëtar i organit të partisë politike”, ndërsa paragrafi 2 i referohet zgjedhjes së anëtarëve nga radhët e ekspertëve e jo nga partitë politike. Në zgjedhjet e parlamentare të vitit të kaluar ndërroi pozicioni i partisë së dytë më të madhe në opozitë, ku në vend të PDSH-së që ishte më herët, atë e zuri Lëvizja BESA me pesë deputetë, ndërsa partia e Menduh Thaçit nga 7 sa kishte më herët, mori vetëm 2 deputetë. Kështu, Lëvizja BESA thirret në legjitimitetin e KSHZ-së se do të cenohej rëndë nëse në zgjedhjet lokale të 15 tetorit, i propozuari nga PDSH-së, Bedredin Ibrahimi, që tanimë partia e tij është partia e tretë me radhë në opozitë, të vazhdojë të votoj në KSHZ. Megjithatë, Kodi zgjedhor nuk jep sqarime se kur një partia e humb pozicionin në KSHZ, bile mund të mos jetë as parti parlamentare dhe të vazhdojë të ketë anëtarin e vet në KSHZ kur atij mandatin ia jep realisht partia politike, ndërsa Parlamenti e voton me dy të tretat e votave. Nga LSDM janë prononcuar në një vijë me Lëvizjen BESA – se atyre u takon të kenë anëtarin e tyre në KSHZ, ndërsa nga BDI hezitojnë të flasin. Nga ana tjetër, as anëtarë tjerë të KSHZ-së këto ditë sa ka tentuar të marrë vlerësim gazeta KOHA, bile as vetë kryetari që vjen nga radhët e ekspertëve, Aleksandër Çiaçakovski nuk pranoi të flas për këtë çështje. Megjithatë, kur jemi tek interpretimi autentik i Kodit zgjedhor, nga Lëvizja BESA kanë theksuar se janë në koordinim më kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe se nga LSDM kanë disponim të këtë një interpretim të tillë. Sa i përket pastrimit të Listës zgjedhore, edhe pas dy vitesh përpjekje nga faktori politik, por edhe nga vetë KSHZ, fatkeqësisht ende kemi dilema se ajo është e pastër nga personat që janë të evidentuar në të me të drejtë vote. Përveç të vdekurve që u pastruan më herët nga Lista, tek personat që kanë probleme me adresën e banimit vazhdojnë të mbeten problemet e vjetra duke mos mundur ti saktësojnë organet përkatëse – as MPB dhe as Enti Shtetëror i Statistikave. Rexhep Prekopuca, anëtarë i KSHZ-së ka thënë se këta persona kanë vetëm pasaporta dhe nuk kanë adresë në Maqedoni, por kanë adresë vetëm në diasporë. “Këto janë persona që kanë vetëm pasaportë, në të cilën nuk i është shënuar adresa në Maqedoni, por vetëm vendi ku jetojnë në diasporë. Meqë nuk kanë letërnjoftime, ata nuk kanë adresë në Maqedoni dhe për këtë shkak nuk mund të sistemohen nëpër vendvotime. D.m.th. ata kanë pasaportë valide, por nuk kanë vendbanim në Maqedoni. Ky numër i përafërt ka ekzistuar edhe në zgjedhjet e mëparshme”, përgjigjet Prekopuca. Por nga ana tjetër, në Kushtetutë precizohet se personat që posedojnë njërin nga dokumente personale, ose letërnjoftim ose pasaportë, kanë të drejtën e votës. Ndryshe, nga Qeveria e Maqedonisë thonë se KSHZ e ka fjalën e fundit lidhur me atë se kush duhet e kush nuk duhet të jetë në Listën zgjedhore, ndërsa shtojnë se Qeveria mund të veprojë, konkretisht MPB nëse nga KSHZ ka kërkesa lidhur me verifikimin e dokumenteve personale. “Ne nuk përzihemi në punën e KSHZ-së. Ai është organ i pavarur që organizon zgjedhjet. Se kush mundet e kush nuk mundet të jetë në Listën zgjedhore, atë e di KSHZ-ja e jo ne. Ne vetëm mund ti përgjigjemi KSHZ-së rreth kërkesave të saj nëse ka dilema rreth dokumenteve personale apo të problemeve të tjera”, tha për gazetën KOHA zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski. Në KZHZ, zyrtarë të njësive rajonale për Komunën e Çairit thonë se – nga 11 mijë personat që nuk janë të përfshirë në Listën zgjedhore, vetëm 1418 personave po punohet aktualisht t’i gjendet adresa dhe me këtë, të sistemohen si votues në vendbanimet ku jetojnë familjet e tyre. KSHZ deri më 25 gusht do të përfundojë punën me konsolidimin e Komisioneve Lokale dhe Këshillave zgjedhor të cilët përbëhen nga të punësuarit në administratën e publike të dytë të propozuar nga partitë politike. Shqyrtimi publik i Listës zgjedhore që ka filluar më 21 gusht do të përfundojë më 9 shtator. Deri më 14 shtator, partitë politike e kanë afatin fundit kur duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve për kryetarë të Komunave dhe listën e kandidatëve për këshilltarë komunal. Ndërkaq grupet e qytetarëve, pra kandidatët e pavarur – kanë afat deri më 4 shtator të dorëzojë nënshkrimet e qytetarëve për të fituar të drejtën e kandidimit në zgjedhje.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.