Shkup, 8 gusht – Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni është duke punuar me intensitet për organizimin e zgjedhjeve lokale, të cilat u caktuan të mbahen më 15 tetor të këtij viti. Subhi Jakupi nga ky institucion, thotë se institucioni që përfaqëson me përkushtim po punon në drejtim të eliminimit të të gjitha anomalive të cilat ishin vënë në pah nga faktori ndërkombëtar. “Nga dita e sotme, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është duke mbajtur takime permanente për të realizuar, në bazë të dinamikës së përcaktuar, të gjitha obligimet. Mendoj se kësaj radhe ky komision do të jetë shumë më i përgatitur, krahasuar me proceset e tjera zgjedhore, meqë kemi pasur kohë të mjaftueshme si institucion për t`i përmirësuar dhe shmangur tërësisht të gjitha anomalitë që kanë ndjekur proceset zgjedhore, dhe veçanërisht çështjen e distacimit të këtij institucioni nga politika”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Subhi Jakupi nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Por nga asociacioni CIVIL, i cili ka ndjekur shumë procese zgjedhore në Maqedoni, theksojnë si më problematike shfrytëzimin e resurseve shtetërore për fushatë dhe korrupsionin politik, si dhe presionet në forma të ndryshme ndaj trupit elektoral. Xhabir Deralla,drejtues i këtij asociacioni thotë se sfida më e madhe për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve mbetet pastrimi i listës së votuesve nga të ashtuquajturit votues fantom. “Për fat të keq, lista e votuesve gjatë proceseve të kaluara zgjedhore nxiti mosbesimin e qytetarëve, sa i përket procesit zgjedhor dhe rezultatet që u prodhuan. E dini se në listën e votuesve figuronin një numër i madh i votuesve të ashtuquajtur votues fantazmë dhe nga ana tjetër, një numër i madh i qytetarëve, të cilët dëshironin të votojnë nuk figuronin fare. Obligim i shtetit është t’i mundësojë çdo qytetari të drejtën për të votuar dhe gjithsesi shumë e rëndësishme është të dihet se sa është numri i qytetarëve me të drejtë vote, dhe të eliminohen të gjithë votuesit fiktivë”, thotë Deralla.