Shkup, 19 tetor – Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) e filloi seancën në të cilën vendos për ankesat e shtruesve të listave të kandidatëve lidhur me votimin në raundin e parë të zgjedhjeve lokale. Janë parashtruar 46 ankesa, prej të cilave 43 prej VMRO-DPMNE-së. Para fillimit të seancës partia opozitare i tërhoqi tre nga ankesat të cilat kanë të bëjnë me votimin dhe mbledhjen e rezultateve në Shkup dhe Prilep. Nga një ankesë i shtruan edhe TMRO, Aleanca për Shqiptarët dhe E majta. VMRO-DPMNE parashtroi ankesa për votimin në Gjorçe Petrov, Aerodrom, Qendër, Çair, Saraj, Kisella Vodë, Shuto Orizare, Gazi Babë, Krivogashtan, Karposh, Prilep, Radovish dhe Strugë. TMRO për votimin në Qytetin e Shkupit, Aleanca për Shqiptarët për Gostivarin dhe E majta për votimin në Kumanovë. Ankesa për zgjedhjet për kryetar komunash ka edhe për Qytetin e Shkupit, për Qendrën, Sarajin, për Strugën, për Radovishin dhe për Krivogashtanin. Për votimin për listat për këshilltarë ankesa ka edhe për Qytetin e Shkupit, Qendrën, Gostivarin, Strugën, Radovishin, Prilepin, Kumanovën dhe Krivogashtanin. KSHZ është e obliguar të vendosë rreth ankesave të kandidatëve në procedurën për votim, përmbledhjen dhe përcaktimin e rezultateve të votimit, në afat prej 48 orëve pas pranimit. Kundër vendimit të KSHZ-së mund të parashtrohet padi në Gjykatën Administrative në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit. Gjykata Administrative e Republikës së Maqedonisë, ndërkaq, pas pranimit të ankesës është e obliguar të sjellë vendim në afat prej 48 orëve. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 29 tetor