Shkup, 6 nëntor – Pas shumë përplasjeve dhe zvarritjeve, të mërkurën përfundimisht Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë, pritet ta emërojë kryetarin e ri të Gjykatës Penale të Shkupit, shkruan gazeta KOHA. Meqë ushtruesi i detyrës kryetari GJPSH-së, Stojançe Ribarev, javë më parë dha dorëheqje, për këtë pozitë kandidaturat e tyre i kanë dorëzuar tetë gjykatës. Në mesin e gjykatësve që kanë konkurruar është edhe ish-kreu i GJPSH-së, Vlladimir Pançevski, Ivan Xholev dhe gjykatësja Vesna Dimishkovska. Burime brenda sistemit gjyqësor thonë se kandidatit më serioz për kreun e GJPSH-së, pritet të jetë gjykatësja Vesna Dimishkovska. Në mesin e kolegëve të saj, Dimishkovska gëzon respekt të lartë. Ndërkohë në biografinë e saj të punës qëndron edhe vendimi për masën e paraburgimit që vite me parë, ajo i shqiptoi deputetit të atëhershëm, tashmë kryeministër Zoran Zaev. Me ndërrimin e orarit të punës së gjykatësve, i cili në GJPSH, brenda periudhës së fundit disa herë u ndryshua, gjykatësja Vesna Dimishkovska, është caktuar për procedimin e lëndëve të veprave penale të kryera nga të miturit. Ndryshe, gjykatësja Dimishkovska është gjykatësja e vetme e cila dha urdhër që hetuesi e PSP-së të futën për hetime në DSK. (koha.mk)