Kryetari i Komitetit Evropian të Rajoneve për vizitë në Maqedoninë e Veriut

Kryetari i Komitetit Evropian i Rajoneve, Karl-Hajnc Lamberc, i cili prej dje po qëndron për vizitë dyditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sot do të ketë takim me nikoqirin e tij, zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmanin, ndërsa do të pritet edhe nga shefi i shtetit Stevo Pendarovski dhe kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi.

Lamberc do të realizoj[ takim edhe me ministrin e Vetëqeverisjes Lokale Gpran Milevski, si dhe me kryetarin e Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov dhe me bashkëkryesuesin e Delegacionit të Republikës së Maqedonisë së veriut në punën e Komitetit të përbashkët konsultativ dhe kryetar i Shtipit, Bllagoj Boçvarski.

Siç bëri të ditur Sekretariati për Çështje Evropiane, është paraparë Osmani dhe Lamberc të bisedojnë për mundësitë për avancimin e bashkëpunimit i cili po zhvillohet përmes Komitetit të përbashkët konsultativ midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komitetit të rajoneve të Bashkimit Evropian, si pjesë e përpjekjeve të vendit për harmonizim me rregullat, standardet dhe vlerat evropiane në të gjitha nivelet.

Krahas aktiviteteve lidhur me integrimet evropiane, do të hapen edhe temat për zhvillimin e pushteteve lokale, bashkëpunim midis pushtetit qendror dhe vetëqeverisjes lokale, si dhe shkëmbim të praktikave të mira midis rajoneve evropiane, theksohet në kumtesë.

Në ditën e parë të qëndrimit në Shkup, Lamberc mbrëmë është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, me ç’rast është biseduar për integrimet evropiane të vendit dhe për pritjet e samitit të ardhshëm në tetor të BE-së, si dhe për çështje lidhur me kohezionin, decentralizimin, bashkëpunimin ndërkufitar, uljen e dallimeve ekonomike midis rajoneve të ndryshme evropiane, si dhe më gjerë për të ardhmen e Evropës.