Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, njoftoi sot se është rrugës për në Kiev, ku me presidentin Vollodimir Zelenski duhet të diskutojë masat e reja për të mbështetur Ukrainën. Zelenski kërkoi dorëzim më të shpejtë të armëve.
Të dy liderët do të diskutojnë “masat konkrete për të siguruar që (Ukraina) të jetë më e fortë dhe më e fuqishme,” tha Charles Michel në një video-mesazh në Tuiter.
Aleatët e NATO-s i kanë premtuar Kievit më shumë mbështetje me armë të rënda dhe më moderne për të kundërshtuar ofensivën ruse.
“Ukrainasit po luftojnë për vendin e tyre, për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Por ata po luftojnë gjithashtu për vlerat tona të përbashkëta evropiane të paqes dhe prosperitetit. Ata kanë nevojë për mbështetjen tonë dhe e meritojnë atë”, tha Michel.
Ai theksoi se në Kiev do të takohet edhe me kryeministrin ukrainas Denis Shmigal, si dhe me deputetët e Parlamentit.
Vizita e tij vjen përpara një takimi të Grupit të Kontaktit për Ukrainën në Ramshtajn, Gjermani. Ky grup përfshin rreth 50 vende të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara. Ata do të diskutojnë koordinimin e ndihmës për Ukrainën dhe në veçanti shpërndarjen e mjeteve të blinduara të rënda dhe sistemeve moderne të mbrojtjes ajrore.
Britania e Madhe ka premtuar tashmë 14 tanke të rënda “Çelinxher 2” ndërsa Polonia njoftoi se është gati të dërgojë 14 tanke “Leopard 2” të prodhimit gjerman nëse Berlini miraton rieksportin e tyre në Ukrainë.
Presioni po rritet mbi kancelarin gjerman Olaf Sholc për të miratuar sistemimin e tankeve “Leopard”, të cilat përdoren nga disa vende anëtare të NATO-s.