Shkup, 7 shtator – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, është takuar sot me Kryeministrin e Austrisë, Sebastian Kurc.
Lideri i BDI-së, Ahmeti dhe Kurc, siç njofton Shërbimi për informim i BDI-së, bashkëbiseduan hapur dhe miqësisht për sfidat e Maqedonisë dhe rajonit, me ç’rast kancelari Kurc e theksoi mbështetjen e madhe austriake për integrimin euroatlantik, por edhe nevojën për reforma të mëtejme.
“Miqtë e mirë janë vlerë e veçantë dhe z. Sebastian Kurtz bën pjesë në përkrahësit tanë më të mëdhenj”, ka thënë Ahmeti.
Kryeministri austriak, shtohet më tej, rikthehet në Shkup për të na dhënë mbështetje në rrgën tonë drejt NATO-s dhe BE-së.
“Erdhi koha t’i ecim bashkë edhe hapat e fundit drejt suksesit të dëshiruar, integrimit euroatlantik”, theksoi Ahmeti.
Lideri i BDI-së e falënderoi Kurcin për përkrahjen ndaj opsionit progresiv euroatlantik të vendit dhe u zotua që ai dhe BDI do të punojnë me përkushtim për realizim të marrëveshjes, por edhe për reforma të mëtejme.