Shkup, 5 nëntor – Pas takimit të djeshëm në Budapest, kryetarët e Parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore dhe Grupit të Vishegradit kanë konfirmuar se e mbështesin zgjerimin e BE-së dhe kanë theksuar se secili vend evropian mund të hyjë në BE nëse i ruan të njëjtat vlera, transmeton gazeta KOHA.
Sipas komunikatës së tyre i përcjellë nga Parlamenti hungarez ku është mbajtur takimi, kryetarët e Parlamenteve të EJL-së dhe Grupit të Vishegradit thonë se politika e zgjerimit është mes politikave më të suksesshme të BE-së dhe se Unioni duhet të mbetet i hapur ndaj vendeve që janë të gatshëm të adaptohen në standardet e tyre.
Kryetarët e Parlamenteve kanë ftuar shefat e shteteve anëtare të rishikojnë se “përcaktimi i qartë i garantuar në Nenin 49 të Marrëveshjes së BE-së e cila thotë se të gjitha shtetet evropiane mund të hyjnë në BE nën kushtin të kenë të njëjtat vlera” është kyçe për progresin e Unionit.
“Qasja e shteteve të EJL-së në BE jo vetëm që ka ndikim mbi sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e vetë rajonit por edhe të mbarë kontinentit”, thuhet në komunikatë.
Kryetarët e Kuvendeve kanë ftuar liderët politik të shteteve anëtare të BE-së të japin gjithçka nga vetja që të sjellin vendim për fillim të bisedimeve qasës me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në afat sa më të shkurtër.
Çdo shtet në rajon duhet të përparojë në bazë të meritave të veta që në fund të bëhet anëtare e BE-së, theksohet në komunikatë ku nënvizohet se procesi i qasjes duhet të zhvillohet në mënyrë më dinamike me vendet që janë veçmë në fazën e bisedimeve.
Kryetarët e Parlamenteve shprehin falënderim deri te kolegët e Grupit të Vishegradit mbi përkushtimin e tyre të fortë dhe lobimin për përshpejtim të hapjes së negociatave paraqasëse me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.(koha.mk)