Analisti politik, Sefer Selimi thotë se rezultatet e anketave janë reflektim i punës së kryetarëve për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve. Sipas tij, në bazë të hulumtimeve që janë publikuar, tregohet dhe suksesi që ata kanë pasur gjatë mandatit të tyre, por edhe nëse meritojnë edhe katër vitet e ardhshme të drejtojnë komunat përkatëse
Xhenur ISENI
Shkup, 26 qershor – Partitë politike në Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë bërë të ditur se me cilët kandidatë do të garojnë në zgjedhjet lokale, që janë paraparë të mbahen në vjeshtë, megjithëse kanë shpeshtuar aktivitetet politike në terren. Burimet brenda partive bëjnë të ditur se janë duke u zhvilluar sondazhe të brendshme se cilët kandidatë preferohen nga qytetarët në komuna të caktuara, të cilët do të mund të sillnin më shumë vota. Ndërkaq, hulumtimi që ka realizuar Qendra për Hulumtime Anketuese e Institutit Ndërkombëtar Republikan, nxjerr në pah se qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë të kënaqur me drejtuesit e tyre në pushtetin lokal. Në pyetjen nëse do të përkrahnin kryetarin aktual të komunës së tyre për rizgjedhje, më shumë se gjysma e të anketuarve, apo 53 për qind e tyre, janë përgjigjur se në komunën e tyre duhet të zgjidhet një kandidat i ri. Sipas këtij sondazhi të IRI-t, një e treta e të anketuarve kanë thënë se nuk e dinë emrin e kryetarit të komunës në të cilën jetojnë. Përderisa, asnjë nga komunat, ku është realizuar hulumtimi, qytetarët nuk kanë qenë në gjendje të numërojnë të paktën pesë këshilltarë të Asamblesë komunave, pavarësisht se janë pikërisht asamblistët që vendosin për politikat e komunave.
Analisti politik, Sefer Selimi thotë se rezultatet e anketave janë reflektim i punës së kryetarëve për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve. Sipas tij, në bazë të hulumtimeve që janë publikuar, tregohet dhe suksesi që ata kanë pasur gjatë mandatit të tyre, por edhe nëse meritojnë edhe katër vitet e ardhshme të drejtojnë komunat përkatëse. “Vetëqeverisja lokale ka pushtetin i cili është më afër qytetarëve dhe problemeve të përditshme me të cilët ata ballafaqohen. Adresimi i këtyre problemeve ka impakt të drejtpërdrejtë në kualitetin e jetës së qytetarëve. Pra, këto shifra janë reflektim i punës së kryetarëve të komunave dhe tregojnë se sa shumë kanë bërë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Nëse do të analizohen komunat në veçanti dhe perceptimi i qytetarëve për kryetarët e tyre është tregues i mjaftueshëm i suksesit dhe rezultateve që ato kanë pasur në mandatin e tyre, dhe poashtu nëse meritojnë edhe një mandat shtesë”, ka deklaruar për KOHA, Sefer Selimi.
Përfaqësuesit e sektorit civil thonë se vetëm përmes listave të hapura mund të ngrihet niveli i përgjegjësisë dhe llogaridhënies të autoriteteve të pushtetit lokal. Por, për lista të hapura kërkohen ndryshime në Kodin Zgjedhor, pa të cilat ndryshime nuk mund të shkohet në zgjedhjet lokale, që duhet të mbahen në tetor të këtij viti. Partitë politike edhe pse në parim janë shprehur se janë për ndryshime në Kodin Zgjedhor që të ketë lista të hapura, megjithatë ende kanë dallime të thella sa i përket zgjedhjes së kryetarit të komunës me një raund të vetëm zgjedhor, siç kërkon opozita maqedonase, si dhe rreth financimit të partive politike.
Por, Bashkim Bakiu nga Aleanca për Shqiptarët, para disa ditëve tha se si ASH janë për lista të hapura, por jo për zgjedhjen e kryetarit me një me një raund të vetëm, sepse kjo do të krijonte akoma më shumë ndarje etnike. “Çështja e listave të hapura nuk është në temë që është hapur sot dhe nuk është një temë, është një temë që është diskutuar edhe para një dekade, por fatkeqësisht nuk ka pasur një vullnet politik. Të gjitha partitë politike kanë qenë dakord për listat e hapura, por kur ka ardhur te puna konkrete ajo është shmangur. Ne jemi kundër modelit brenda partisë të një lideri sulltan, që nuk mund ti shkoj kundër askush. Dhe kjo nëpërmjet listave të hapura u jep mundësi figurave të tjera politike të ngrihen dhe të vlerësohen nga vetë votuesit. Por kjo edhe këtë herë nuk është akoma konkrete. NE jemi për 8 njësi zgjedhore, dhe kjo do t’u mundësoje të gjithëve të kenë përfaqësuesit e tyre. Por jemi kundër zgjedhjes së kryetarit me një raund të parë sepse do të kemi ndarje ndëretnike, sepse na mungon homogjenizimi”, deklaroi Bashkim Bakiu nga Aleanca për Shqiptarët. (koha.mk)