Në Spitalin e Përgjithshëm në Dibër thonë se po shënohet rritje si tek qytetarët e prekur, ashtu edhe tek banorët e vendbanimeve rurale. Psikiatri Shkëlqim Sekla tregon me sëmundje psikike më së shumti ballafaqohen moshat prej 18 deri në 50 vjet, ndërsa dominon gjinia femërore, e cila siç thotë ai, është më shumë e ngarkuar me përditshmërinë dhe angazhimet familjare dhe shoqërore
Vjollca SADIKU
Dibër, 22 shkurt – Dinamika e jetës, migrimi dhe jeta e ndarë e familjarëve po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen të sëmundjeve psikike. Kështu është edhe në Komunën e Dibrës, e cila karakterizohet me emigrimin dinamik të popullatës dhe me shumë probleme ditore. Institucionet shëndetësore, sipas të dhënave zyrtare, thonë se po rritet numri i të prekurve me sëmundje psikike, me një prezencë më të madhe të depresioneve dhe ankthit, shkruan gazeta KOHA.
Kur janë në pyetje sëmundjet psikike në Komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, në Spitalin e Përgjithshëm në Dibër thonë se po shënohet rritje si tek qytetarët e prekur, ashtu edhe tek banorët e vendbanimeve rurale. Psikiatri pranë këtij Spitali, Shkëlqim Sela, tregon për gazetën KOHA se me sëmundje psikike më së shumti ballafaqohen moshat prej 18 deri në 50 vjet. Po ashtu, sipas tij, dominon gjinia femërore, e cila siç thotë ai, është më shumë e ngarkuar me përditshmërinë dhe angazhimet familjare dhe shoqërore. “Në kontinuitet në të dy komunat në fjalë më se 65 për qind, më shumë nga gjinia femërore, ka probleme psikike dhe vuan nga depresioni dhe ankthet. Sigurisht që problemet sociale, por edhe emigrimi i popullatës shkakton depresionet dhe ankth, sëmundje këto që janë prezente po ashtu edhe tek meshkujt”, thotë dr. Sela, ndërsa shton se ka madje edhe pacient adoleshent, por edhe të moshuar të cilët nga dita në ditë janë më në numër.
“Në të kaluarën ishte shumë i vogël numri i pacientëve që kërkonin ndihmë psikiatrike për shërim të sëmundjeve. Kohëve të fundit, sëmundjet psikike tani më nuk janë tabu temë në Dibër. Shumë kontrolle për situatën psikike realizohen si nga meshkujt ashtu edhe nga femrat të të gjitha grupmoshave”, thotë doktor Sela, i cili shton se prezenca e pacientëve është si nga banorët e qytetit, ashtu edhe të fshatrave, por edhe të Komunës Qendër Zhupë. Një nga shkaqet kryesore përmendet edhe emigrimi masiv i popullatës, respektivisht jeta e ndarë e bashkëshortëve. “Duke marrë parasysh faktin se viteve të para emigrojnë meshkujt, e pastaj edhe femrat dhe në fund familja më e gjerë, depresionet dhe çrregullimet psikike shkaktojnë probleme në vet familjen. Po ashtu – problemet sociale me të cilët ballafaqohet një e treta e banorëve dibran, meqë afër 4 mijë banorë janë në listën e Qendrës për Punë Sociale që marrin ndihmë sociale, jetojnë ose mbijetojnë në kushte të rënda. Këto probleme me të vërtet kanë një ndikim të drejtpërdrejt të paraqitjeve të sëmundjeve psikike. Kërkesat e shumta të jetesës, mos arritja për ti plotësuar nevojat elementare të shtëpisë nga gjendja e rëndë ekonomike… shkaktojnë ankthe dhe shqetësime psikike”, shprehet dr. Sela.
Megjithatë, duke marrë parasysh se ka një zhvillim të madh të farmaceutikës në vend dhe jashtë vendit, institucionet shëndetësore në Dibër përdorin medikamente më me efekt në shërimin e këtyre sëmundjeve. Në Spitalin e Dibrës na thonë se pikërisht lista e gjerë e këtyre medikamenteve ndikon shumë pozitivisht në shërimin dhe uljen të numrit të pacientëve me sëmundje psikike. “Bashkëpunimi me të gjitha institucionet qendrore shëndetësore që merren me këto sëmundje është në nivelin e duhur. Shumë pacientë të cilët kanë forma më të rënduara të këtyre sëmundjeve dërgohen në qendrat klinike të vendit, por edhe në institucionet e specializuara për trajtimin e të sëmurëve psikik që ekzistojnë në vend”, thonë në Spitalin e Dibrës. (koha.mk)